Kalo te përmbajtja

Tani Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë mund të mblidhen në godina të marra me qira, pa pasur ndërhyrje

24 MARS 2017
UKRAINË

Gjykata e Lartë e Ukrainës mbron lirinë për t’u mbledhur paqësisht

Gjykata e Lartë e Ukrainës mbron lirinë për t’u mbledhur paqësisht

Më 8 shtator 2016, Gjykata Kushtetuese e Ukrainës mbrojti të drejtën për t’u mbledhur paqësisht pa ndërhyrje nga autoritetet qeveritare. Gjykata shfuqizoi një pjesë të Ligjit të Ukrainës për Lirinë e Ndërgjegjes dhe të Organizatave Fetare (Ligji për Fenë) të vitit 1991, i cili u kërkon organizatave fetare të marrin «leje» nga shteti për të mbajtur mbledhje fetare në godina të marra me qira. Gjykata Kushtetuese vendosi se ky kufizim bie ndesh me kushtetutën e vendit, e cila garanton lirinë për t’u mbledhur paqësisht. Ky vendim u mirëprit nga Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë, të cilët e kishin pasur të vështirë të merrnin me qira godina për të mbajtur shërbesa fetare.

Zyrtarët i refuzojnë lejet për të mbajtur shërbesa fetare

Që kur hyri në fuqi Ligji për Fenë, zyrtarët, të nxitur nga paragjykime, e kanë zbatuar ligjin sipas tekave për të justifikuar anulimin e kontratave të qirasë për godinat që Dëshmitarët donin të përdornin për shërbesa fetare. Një incident ndodhi verën e vitit 2012 kur mijëra Dëshmitarë të Jehovait në Ukrainën verilindore po prisnin me padurim kongresin fetar treditor që do të mbahej në qytetin e Sumit. Kontrata e qirasë për stadiumin e qytetit ishte firmosur tashmë dhe planet për organizimin e këtij aktiviteti po ecnin mirë. Siç e kërkonte kushtetuta, Dëshmitarët i njoftuan autoritetet për kongresin e planifikuar. Më pas, vetëm një muaj para se të fillonte, Këshilli i Qytetit të Sumit, duke u bazuar te Ligji për Fenë, vendosi se nuk mjaftonte thjesht një njoftim. Sipas këshillit, Dëshmitarët duhej të merrnin leje për të përdorur stadiumin, të cilën këshilli nuk pranoi ta jepte.

Ngaqë u njoftuan në momentet e fundit, Dëshmitarët e Jehovait duhej ta organizonin kongresin në qytetin e Harkovit, rreth 200 kilometra nga Sumi. Ndryshimi i vendndodhjes detyroi më se 3.500 Dëshmitarë t’i ndryshonin me shpejtësi planet e tyre. Shumë prej tyre nuk udhëtonin dot drejt Harkovit për të ndjekur këtë rast të rëndësishëm për shkak të moshës ose të shëndetit. Të tjerë nuk kishin mundësi ta ndiqnin ngaqë nuk arritën të merrnin leje nga puna ose ngaqë nuk kishin para për të udhëtuar drejt Harkovit. Vitin pasues, Këshilli i Qytetit të Sumit u bazua sërish te Ligji për Fenë që të mos u jepte leje Dëshmitarëve për të mbajtur një kongres në stadium.

Ilia Kobeli, nga zyra kombëtare e Dëshmitarëve të Jehovait në Lvov, shpjegoi: «Anulimet e kongreseve në Sumi nuk ishin raste të izoluara. Edhe herë të tjera, e kemi pasur të vështirë të merrnim godina me qira për shërbesat tona fetare.» Për shembull, në mars të 2012-s, autoritetet e qytetit të Vintsias nuk i lejuan Dëshmitarët të mbanin një mbledhje fetare në një sallë të marrë me qira, duke i detyruar t’i organizonin ndryshe gjërat në minutën e fundit. Muaj më vonë, autoritetet nuk i dhanë leje kongregacionit në Mohlov-Podilski që t’i mbanin shërbesat fetare javore në një godinë me qira, ndonëse kishin tre vjet që i mbanin mbledhjet atje. Ngaqë nuk kishin asnjë ndërtesë tjetër të përshtatshme për t’u mbledhur, ata që i përkitnin kongregacionit u detyruan të mblidheshin në shtëpi private ku s’kishte mjaft vend për ta.

Në shkurt të 2015-s, Administrata Shtetërore e Rajonit Vintsia këmbënguli se Dëshmitarët e Jehovait kishin shkelur ligjin në raste të shumta. Ajo nxori përfundimin se Dëshmitarët kishin shkelur ligjin duke mos marrë leje për të mbajtur mbledhje fetare në godina që nuk janë vendet e tyre të adhurimit. Nuk mjaftonte vetëm njoftimi.

Dëshmitarët përpiqen ta zgjidhin papajtueshmërinë ligjore

Vitet e fundit, në përgjithësi Dëshmitarët e Jehovait kanë pasur mundësi të mblidhen lirisht në vendet e tyre të adhurimit, pa ndërhyrje nga organet qeveritare. Gjithsesi, për mbledhje speciale ose kongrese rajonale, shpesh është e nevojshme të marrësh me qira një godinë më të madhe. Kushtetuta e Ukrainës e lejon një organizatë fetare të mblidhet paqësisht në një godinë me qira, mjafton që autoritetet qeveritare të njoftohen më përpara. Z. Kobeli tha: «Rrënja e problemeve tona ishte Ligji për Fenë i cili ishte kufizues, ndryshe nga kushtetuta që nuk kërkon të merret një leje e tillë nga autoritetet. Në përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje, ia parashtruam problemin Komisionerit të Parlamentit Ukrainas për të Drejtat e Njeriut, që njihet edhe si Avokati i Popullit.»

Roli i Avokatit të Popullit është të sigurohet që të gjithë qytetarët ukrainas të gëzojnë të drejtat që garanton kushtetuta dhe ligjet e vendit. Pasi shqyrtoi sfidat që hasën Dëshmitarët e Jehovait, Avokati i Popullit ishte dakord se kushtetuta binte ndesh me Ligjin për Fenë. Në kushtetutë garantohet e drejta për t’u mbledhur vetëm duke njoftuar paraprakisht autoritetet qeveritare se do të mbahet një shërbesë fetare publike në një godinë të marrë me qira. Megjithatë, Ligji për Fenë i ndalon shërbesat fetare publike në një godinë të marrë me qira, nëse grupi fetar nuk merr më parë leje nga autoritetet qeveritare të paktën dhjetë ditë para aktivitetit.

Më 26 tetor 2015, zyra e Avokatit të Popullit i parashtroi një peticion Gjykatës Kushtetuese të Ukrainës, duke e quajtur antikushtetuese pjesën e debatueshme të Ligjit për Fenë. Në peticion arsyetohej se e drejta për t’u mbledhur paqësisht është një liri themelore që garantohet për të gjithë qytetarët. Duke folur më tej për këtë të drejtë, aty thuhej: «Shtetet duhet t’i shmangin masat arbitrare që bien ndesh me të drejtën për t’u mbledhur lirisht.» Në mbështetje të qëndrimit të Avokatit të Popullit, Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë i dërguan Gjykatës Kushtetuese një dokument ku shpjegohej sa të vështirë e kishin të merrnin me qira ndërtesa për mbledhje fetare.

Gjykata Kushtetuese shfuqizon ligjin antikushtetues

Në vendimin e 8 shtatorit 2016, Gjykata Kushtetuese konfirmoi se asnjë ligj nuk mund të bjerë ndesh me të drejtën kushtetuese për t’u mbledhur paqësisht pasi të njoftohen autoritetet qeveritare. Gjithashtu, përveç ligjeve të vendit, ajo iu referua edhe nenit 9 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ku garantohet e drejta e lirisë së fesë, dhe nenit 11, ku garantohet e drejta për t’u mbledhur lirisht pa ndërhyrje të pajustifikueshme nga ana e shtetit. Gjykata e shpalli antikushtetuese pjesën 5 të nenit 21 të Ligjit për Fenë të vitit 1991, i cili kërkon që një grup fetar të marrë leje nga autoritetet qeveritare para se të mbajë një shërbesë fetare publike në një godinë të marrë me qira.

Një përfundim i kënaqshëm

Mbajtja e shërbesave fetare në një godinë të marrë me qira nuk është më në dorë të zyrtarëve, të cilët mund të vendosin të mos japin leje. Siç garantohet në kushtetutë, për sa kohë që Dëshmitarët i njoftojnë paraprakisht zyrtarët se po planifikojnë të marrin me qira një godinë për një mbledhje fetare, kërkesa nuk mund të refuzohet.

Z. Kobeli foli në emër të më shumë se 140.000 Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë: «Ky vendim i fundit i Gjykatës Kushtetuese mbron të drejtën për t’u mbledhur paqësisht. Jemi mirënjohës që autoritetet nuk do të ndërhyjnë më kur të marrim me qira godina për mbledhje fetare.»