13 DHJETOR 2017
UKRAINË
Liria fetare nën kërcënim në rajonet lindore të Ukrainës
Për shkak të konflikteve të vazhdueshme në disa pjesë të rajoneve të Luhanskut dhe të Donjeckut në lindje të Ukrainës, që po vazhdojnë prej katër vjetësh, shumica e banorëve jeton në kushte gjithnjë e më të mjerueshme dhe po përballen me shumë vështirësi të tjera. Intoleranca fetare gjithnjë e në rritje po ua përkeqëson gjendjen e vështirë Dëshmitarëve të Jehovait që jetojnë në këto zona. Me sa duket, autoritetet lokale janë ndikuar nga vendimet e fundit gjyqësore në Rusi që ndalojnë adhurimin e Dëshmitarëve të Jehovait atje. Disa autoritete vendëse po ndjekin modelin rus duke përdorur metoda të paligjshme për të inkriminuar Dëshmitarët në zonat që janë nën kontrollin e tyre dhe po kërcënojnë lirinë e tyre fetare.
Sajojnë prova
Autoritetet e këtyre rajoneve po ndjekin taktikat e prokurorëve rusë dhe kanë ngritur akuza mbi prova të sajuara ndaj Dëshmitarëve të Jehovait.
Në korrik të 2017-s Gjykata e Lartë e republikës popullore të Donjeckut përfshiu në Listën e Materialeve Ekstremiste të Republikës dy artikuj të numrave të kaluar të revistave fetare të Dëshmitarëve. Dëshmitarët nuk u njoftuan për procesin gjyqësor dhe as kanë arritur të merrnin një kopje të vendimit që hynte në fuqi menjëherë, që të mund ta apelonin.
Në gusht të 2017-s prokuroritë në Novoazovsk dhe në Debaltsevo u dërguan letra paralajmërimi Dëshmitarëve vendës, duke i urdhëruar të mos i shpërndanin revistat e tyre fetare, Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, pa marrë leje më parë. Në këtë mënyrë, autoritetet po pengojnë shpërndarjen edhe të materialeve fetare që nuk janë deklaruar ekstremiste dhe kërcënojnë pleqtë e kongregacionit se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për shpërndarjen e çdo literature të Dëshmitarëve. Një paralajmërim i ngjashëm iu dha më vonë edhe Dëshmitarëve në qytetin e Makejevkës.
Më 4 gusht 2017 forcat speciale të antiterrorit, të shoqëruara nga ushtarë dhe policë, ndërprenë mbledhjet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në Alçevsk dhe Luhansk, duke thënë se ishin njoftuar për një bombë. Pasi i evakuan të pranishmit nga godinat, u kontrolluan dokumentet të gjithëve. *
Në Alçevsk, policët e filmuan inspektimin e godinës, me pretekstin se po kërkonin një bombë. Nga ky kontroll gjetën një sasi të vogël të literaturës fetare të Dëshmitarëve dhe më pas «zbuluan» pamflete propaganduese kundër RPL-së *, që policët i kishin futur fshehurazi.
Ngrihen akuza të pabaza për të justifikuar ndalimin e aktivitetit fetar
Disa javë pas bastisjeve të Sallave të Mbretërisë, autoritetet në Luhansk, pa asnjë bazë, i cilësuan Dëshmitarët e Jehovait si armiq të shtetit. Më 28 gusht 2017 Oleksandër Basovi, zëvendësministri i Sigurimit të Shtetit të RPL-së, bëri një deklaratë zyrtare ku diskreditonte Dëshmitarët e Jehovait. Si provë për supozimin e tij se Dëshmitarët mbështetin grupe që konsiderohen terroriste në territorin e Luhanskut, ai përmendi materialet propaganduese të vëna dhe «të zbuluara» në Sallën e Mbretërisë në Alçevsk.
Zëdhënësi i Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë, Ivan Riheri, tha: «Të gjitha materialet e kësaj natyre, që sipas zëvendësministrit Basov ishin ‘zbuluar’ në Sallën e Mbretërisë, sigurisht janë vënë aty nga i njëjti grup që i zbuloi. Ndoshta, siç pretendohej, literatura e këtij lloji shpërndahej në Alçevsk—por është më se e sigurt se nuk e shpërndanin Dëshmitarët e Jehovait. Ata janë asnjanës, siç vërtetohet nga qindra Dëshmitarët e burgosur në mbarë botën, ngaqë refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Asnjë nga Dëshmitarët e Jehovait nuk ka luftuar në mbrojtje të ndonjë pale gjatë këtij konflikti në Ukrainë.» *
Shtohet presioni ndaj Dëshmitarëve të Jehovait
Disa Dëshmitarë të Jehovait në këtë rajon raportojnë se autoritetet ua kanë ndaluar të flasin me të tjerët për bindjet e tyre dhe i kanë paralajmëruar të mos vazhdojnë më këtë vepër, ndonëse ende nuk është akuzuar asnjë nga policia. Gjithashtu, shumë Dëshmitarë raportojnë se Shërbimi i Sigurimit i ka thirrur të takoheshin me autoritetet. Gjatë këtyre takimeve, Dëshmitarët i kanë marrë në pyetje, i kanë frikësuar dhe u kanë bërë presion të tregonin emrat e personave që organizonin aktivitetin e tyre fetar. Përveç kësaj, autoritetet lokale kanë bastisur dhe kanë penguar mbledhjet e tyre fetare.
Diskriminimi fetar dhe presioni gjithnjë e në rritje ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në disa territore të rajoneve të Luhanskut dhe të Donjeckut nuk është thjesht ngacmim—është përndjekje fetare dhe kërcënim i lirisë fetare. Dëshmitarët e Jehovait po tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm, si edhe po kërkojnë zgjidhje ligjore që të mund të vazhdojnë aktivitetin e tyre fetar paqësor.
^ par. 7 Në Alçevsk, dy pleq i morën në pyetje gjithë ditën. Ata shpjeguan se gjatë gjithë konfliktit, kongregacioni i ka mbajtur mbledhjet fetare pa i trazuar kush në Sallën e Mbretërisë, e cila ndodhet pranë zyrës së komandantëve. Gjithsesi, një plak u gjobit me 5.000 rubla (83 dollarë amerikanë) ngaqë organizoi një mbledhje të madhe gjatë kohës së luftës, dhe me 3.000 rubla (48 dollarë amerikanë) ngaqë shkeli rregullat e mbrojtjes kundër zjarrit në Sallën e Mbretërisë.
^ par. 8 RPL-ja, ose republika popullore e Luhanskut, ka nën kontroll disa territore në rajonin e Luhanskut.
^ par. 11 Në verën e 2014-s presidenti i Ukrainës dekretoi një mobilizim ushtarak të pjesshëm për shkak të konfliktit në rajonet e Donjeckut dhe të Luhanskut. Vitalij Shalaiko, një ish-ushtar i ushtrisë ukrainase që sot është Dëshmitar i Jehovait, iu përgjigj thirrjeve për ushtar duke thënë se e refuzonte shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Më 23 qershor 2015 Gjykata e Lartë e Specializuar për Çështjet Civile dhe Penale të Ukrainës e mbrojti të drejtën e tij për ta refuzuar shërbimin ushtarak edhe gjatë mobilizimit. Mijëra Dëshmitarë të tjerë në Ukrainë kanë mbajtur të njëjtin qëndrim.