8 QERSHOR 2015
UKRAINË
Gjykatat e Ukrainës njohin të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes në rast mobilizimi ushtarak
Trazirat dhe lufta civile në rajonet lindore të Ukrainës, e shtynë presidentin e vendit të dekretonte një mobilizim ushtarak të pjesshëm në verën e vitit 2014. Vitalij Shalaiko, ish-ushtar i ushtrisë ukrainase dhe tani Dëshmitar i Jehovait, iu përgjigj urdhrit për paraqitje që u nxor si rezultat i dekretit. Z. Shalaiko u paraqit para komisariatit ushtarak vendës dhe deklaroi se refuzonte për shkak të ndërgjegjes, e shprehu gatishmërinë për të kryer shërbim alternativ joushtarak.
Dega ushtarake e hodhi poshtë pretendimin e z. Shalaiko për të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes dhe ngriti padi penale për shmangie të shërbimit ushtarak gjatë mobilizimit. Në konfliktin aktual, kjo ishte e para padi në Ukrainë për refuzim të mobilizimit bazuar në bindje fetare.
Si ish-ushtar, z. Shalaiko e kupton interesimin e qeverisë për të ruajtur sovranitetin e vendit dhe detyrimin e saj për të mbrojtur qytetarët. Megjithatë, për z. Shalaiko, thirrja për shërbimin ushtarak ishte në kundërshtim me parimin biblik që t’i japim «Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë». * Si i krishterë, ndien detyrimin të respektojë jetën njerëzore dhe të shfaqë dashuri gjithnjë dhe ndaj të gjithëve. *
Në gjykatën e shkallës së parë: A është shërbimi alternativ shmangie nga detyrimi ushtarak?
Më 13 nëntor 2014, Gjykata Krahinore e Novomoskovskit në rajonin e Dnipropetrovskit mori në shqyrtim akuzën se z. Shalaiko i ishte shmangur mobilizimit ushtarak. Gjykata vërejti se ai nuk u ishte shmangur zyrtarëve dhe hetuesve ushtarakë, përkundrazi ishte paraqitur kur dega ushtarake e kishte thirrur. Gjykata vendosi se z. Shalaiko «ka të drejtën të kryejë shërbim alternativ në vend të detyrimit ushtarak, përfshirë shërbimin ushtarak gjatë mobilizimit, sepse i përket një organizate fetare, mësimet e së cilës nuk lejojnë përdorimin e armëve».
Gjithashtu, gjykata krahinore pohoi se e drejta e z. Shalaiko për shërbimin alternativ «garantohet nga Kushtetuta e Ukrainës». Më tej pranoi se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut * dhe vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mbrojnë lirinë e fesë. Gjykatësi e shpalli z Shalaiko të pafajshëm nga akuza e shmangies së mobilizimit. Prokurori apeloi.
Në apel: A qëndron mobilizimi mbi ndërgjegjen?
Në apel, prokurori tha se detyrimi kushtetues për të mbrojtur vendin qëndron mbi të drejtën e lirisë së fesë dhe të shërbimit alternativ joushtarak. Ai arsyetoi se vendimet e GJEDNJ-së për këto çështje, nuk zbatohen gjatë periudhave të mobilizimit.
Më 26 shkurt 2015, gjykata e apelit e rajonit të Dnipropetrovskit vendosi se «refuzimi i mobilizimit për arsye ndërgjegjeje nuk përbën shmangie të mobilizimit pa arsye të vlefshme». Në vendimin e saj, gjykata mori parasysh bindjet fetare të z Shalaiko dhe iu referua vendimeve të GJEDNJ-së që pohonin se «këto bindje fetare garantohen nga neni 9 i Konventës [Evropiane]» * për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë.
Po ashtu, gjykata e apelit pranoi se neni 9 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk lejon që shqetësimi për «‘sigurinë kombëtare’ . . . të justifikojë kufizimin e ushtrimit të të drejtave që janë të garantuara». Gjykatësit arsyetuan se «e drejta e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes nuk mund të kufizohet në interes të sigurisë kombëtare». Ata nxorën përfundimin se ligji i Ukrainës për të drejtën e shërbimit alternativ zbatohet edhe në kohë mobilizimi. Duke mbështetur vendimin e gjykatës së shkallës së parë, gjykata e apelit e shpalli të pafajshëm Vitalij Shalaikon.
Ushtrimi i të drejtave të njeriut nuk përbën krim
Këto vendime të gjykatës së shkallës së parë e të apelit në lindje të Ukrainës njohin dhe mbrojnë të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes dhe të drejtën e shërbimit alternativ civil, madje edhe në rast emergjence kombëtare. Gjithashtu, vendimet në çështjen e z. Shalaiko janë në përputhje me progresin e ligjeve ndërkombëtare që njohin të drejtën themelore për të refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. *
Prapëseprapë, prokurori ka apeluar dhe ka paraqitur para Gjykatës së Lartë të Specializuar për Çështjet Civile dhe Penale të Ukrainës të njëjtat argumente që u shqyrtuan dhe u hodhën poshtë nga gjykata e apelit. Më 30 prill 2015, këshilltari ligjor i z. Shalaiko paraqiti kundërshtimet ndaj apelimit të prokurorit.
Vitalij Shalaiko është një nga mijëra Dëshmitarët ukrainas që janë thirrur për shërbimin ushtarak. Me respekt, ata i përgjigjen thirrjes dhe kërkojnë shërbim alternativ që nuk bie ndesh me bindjet e tyre fetare të rrënjosura. Në përgjithësi këto kërkesa respektohen dhe pak Dëshmitarë janë ndjekur penalisht. Tani është në dorën e gjykatës së lartë të vendit që të japë sigurinë se Ukraina do të respektojë kërkesën e Dëshmitarëve për të refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.
^ par. 4 Shih artikullin «Pse nuk shkojnë në luftë Dëshmitarët e Jehovait?»
^ par. 7 Ukraina ratifikoi Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut më 1997.
^ par. 10 Vendimi i gjykatës së apelit iu referua në mënyrë specifike vendimeve të GJEDNJ-së për çështjet Dëshmitarët e Jehovait në Moskë dhe të tjerë kundër Rusisë dhe Bajatjani kundër Armenisë.
^ par. 13 Shih Bayatyan v. Armenia [GC], nr. 23459/03, par. 98-111, ECHR 2011; Jeong et al. v. Republic of Korea, UN Doc CCPR/C/101D/1642-1741/2007 (24 Mars 2011) par. 7.2-7.4.