Kalo te përmbajtja

13 SHKURT 2015
UKRAINË

Zaptohen Salla Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait në rajonet Donjeck dhe Luhansk të Ukrainës

Zaptohen Salla Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait në rajonet Donjeck dhe Luhansk të Ukrainës

Rajoni i Donjeckut

HORLIVKA—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Nga fundi i qershorit 2014, burra të armatosur hynë me forcë në një Sallë Mbretërie, vodhën pajisjet elektronike dhe vunë dryna të rinj. E përdorin sallën si kazermë ushtarake.

Qyteti Horlivka, rruga Akademika Koroliova 75

HORLIVKA—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 5 korrik 2014, burra të armatosur zaptuan Sallën e Mbretërisë. Ata e përdorën si kazermë ushtarake dhe si depo municionesh, por e braktisën në shtator të 2014-s. Dëshmitarët u rikthyen dhe e përdorën Sallën e Mbretërisë për mbledhjet e tyre fetare.

  • Më 12 tetor 2014, burra të armatosur ndërprenë një shërbesë fetare në Sallën e Mbretërisë dhe i urdhëruan gjithë të pranishmit t’i ndërpritnin aktivitetet e tyre fetare. Ata thanë se feja ortodokse është e vetmja fe e lejuar në rajon dhe se së shpejti «do t’i hiqnin qafe të gjithë Dëshmitarët e Jehovait». Burrat e përdorin Sallën e Mbretërisë si kazermë ushtarake.

Qyteti Donjeck, rruga Karamzina 10

DONJECK—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 13 gusht 2014, burra të armatosur hynë me forcë në Sallën e Mbretërisë dhe nisën ta përdornin si kazermë ushtarake.

  • Më 19 gusht 2014, ata vodhën pajisjet e akustikës dhe e braktisën godinën. Dëshmitarët u kthyen dhe nisën ta përdornin sërish Sallën e Mbretërisë për mbledhjet e tyre fetare.

  • Më 18 tetor 2014, pas një shërbese fetare, përfaqësues të batalionit të katërt «Oplot» hynë në Sallën e Mbretërisë dhe u thanë Dëshmitarëve të pranishëm se do ta merrnin ata.

  • Më 18 nëntor 2014, burra të armatosur u kërkuan Dëshmitarëve të firmosnin dokumente për ta kaluar Sallën e Mbretërisë në pronësi të zyrës së komandantit të krahinave Petrovskij dhe Kirovskij. Ata e përdorin ndërtesën si kazermë ushtarake.

Qyteti Horlivka, rruga Hertsena 4.

HORLIVKA—Sallë Mbretërie e zaptuar nga civilë.

  • Më 30 shtator 2014, një stacion televiziv vendës intervistoi «pronarin e ri» të kësaj Salle Mbretërie, i cili tha se u ishte marrë Dëshmitarëve të Jehovait që të përdorej si shkollë boksi. Që nga viti 2013, kjo Sallë Mbretërie është bërë objekt i sulmeve të përsëritura të vandalizmit e të zjarrvënies. Për herë të fundit u përpoqën t’i vinin zjarrin më 5 qershor 2014.

DONJECK—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 26 tetor 2014, burra të armatosur nga batalioni «Shahtar» i Republikës Popullore të Donjeckut (RPD) mësynë në Sallën e Mbretërisë, dhe tani e përdorin si kazermë ushtarake.

Qyteti Zhdanivka, rruga Komsomolska 14

ZHDANIVKA—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 27 tetor 2014, në bazë të urdhrit të një komandanti, burra nga grupi i armatosur i Horlivkas zaptuan Sallën e Mbretërisë. Nënkomandanti i Horlivkas tha se feja ortodokse është e vetmja fe e lejuar në rajon dhe gjithë të tjerat janë të ndaluara.

  • Më 21 nëntor 2014, komandanti i skuadrës së një grupi tjetër të armatosur mori nën kontroll Sallën e Mbretërisë dhe u tha Dëshmitarëve të Jehovait se tani do të kujdeseshin vartësit e tij për sallën.

Fshati Telmanove, rruga Pervomaiska 112

TELMANOVE—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 4 nëntor 2014, burra të armatosur hynë me forcë në godinë dhe vunë roja të armatosura.

  • Më 11 dhjetor 2014, burrat sollën municione në godinë dhe tani e përdorin si kazermë ushtarake.

Qyteti Makijivka, rruga Pecherska 17

MAKIJIVKA—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia, por më pas u braktis.

  • Më 5 nëntor 2014, burra të armatosur nga batalioni «Rus» hynë me forcë në Sallën e Mbretërisë. Ata i urdhëruan Dëshmitarët t’u dorëzonin çelësat e sallës dhe të mos ktheheshin më. Të nesërmen, nënkomandanti hoqi tabelën e Sallës së Mbretërisë dhe në vend të saj vuri flamurin e batalionit.

  • Më 26 nëntor 2014, batalioni e braktisi godinën.

HORLIVKA—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia, por më pas u braktis.

  • Më 29 nëntor 2014, burra të armatosur hynë në Sallën e Mbretërisë dhe u thanë Dëshmitarëve të pranishëm se do ta merrnin ata. Një nga burrat tha se qeveria e RPD-së do të lejonte vetëm fenë ortodokse në atë rajon. Burrat e vunë godinën nën mbikëqyrje të armatosur dhe i ndaluan Dëshmitarët të ktheheshin. Të nesërmen, burrat e braktisën ndërtesën.

Qyteti Zugres, rruga Cherniakhovskoho 1

ZUGRES—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 20 dhjetor 2014, komandanti i qytetit tha se do ta merrte ai nën kontroll godinën. I urdhëroi Dëshmitarët t’i jepnin çelësat e sallës dhe të mos ktheheshin më.

DONJECK—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 1 shkurt 2015, burra të armatosur hynë në Sallën e Mbretërisë. Ata u kërkuan Dëshmitarëve t’u jepnin çelësat e sallës dhe të firmosnin dokumente për t’ia kaluar pronësinë e sallës milicisë gjatë periudhës së luftës.

JENAKIJEVE—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 3 mars 2015, burra të armatosur u kërkuan Dëshmitarëve të Jehovait t’u jepnin çelësat e Sallës së Mbretërisë që ta përdornin si kazermë ushtarake.

Rajoni i Luhanskut

Qyteti Antracit, rruga Komunarska 4

ANTRACIT—Sallë Mbretërie e zaptuar nga civilë.

  • Në shtator të 2014-s, individë të paidentifikuar hynë me forcë në Sallën e Mbretërisë dy herë. Ata vodhën pajisje elektronike dhe shkruan në mur «Kozakët ortodoksë!»

  • Më 25 shtator 2014, një kanal televiziv vendës raportoi se Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait ishin zaptuar për t’u përdorur për funksione të tjera, si për shembull kopshte fëmijësh.

Qyteti Rovenki, rruga Dzerzhynskoho 84-A

ROVENKI—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 23 shtator 2014, burra të armatosur nga batalioni «Shën Gjergji» hynë me forcë në Sallën e Mbretërisë dhe i ndaluan Dëshmitarët të ktheheshin. Burrat e armatosur e përdorin si kazermë ushtarake.

PEREVALSK—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 5 nëntor 2014, burra të armatosur të udhëhequr nga nënkomandanti ushtarak, hynë në godinë dhe u thanë Dëshmitarëve të pranishëm se do ta merrnin sallën për ta përdorur si mensë. Nënkomandanti deklaroi: «Mori fund gjithçka për Dëshmitarët e Jehovait.» Më pas, u tha Dëshmitarëve se nuk mund t’i kryenin më veprimtaritë e tyre fetare.

Qyteti Krasnij Luç, rruga Radianska 37

KRASNIJ LUÇ—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 5 dhjetor 2014, burra të armatosur hynë me forcë në Sallën e Mbretërisë. Ata e vunë godinën nën mbikëqyrje të armatosur dhe i parkuan makinat ushtarake në oborr.

BRIANKA—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.

  • Më 26 mars 2015, burra të armatosur hynë me forcë në këtë Sallë Mbretërie. Ata i morën të gjitha orenditë në godinë dhe e zëvendësuan tabelën e Sallës së Mbretërisë me një tjetër ku shkruhej «I plotfuqishmi Don Host».