28 GUSHT 2015
UKRAINË
Gjykata e Lartë e Ukrainës mbron të drejtën e refuzimit të ushtrisë në rast mobilizimi ushtarak
Gjykata e Lartë e Ukrainës ka konfirmuar se ata që nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, kanë të drejtën të bëjnë shërbim alternativ edhe në kohë luftërash e trazirash civile. Ky vendim do të ketë ndikim të gjerë për të drejtat e njeriut në Ukrainë e në vende të tjera.
Vitalij Shalaiko, një Dëshmitar i Jehovait, u akuzua për shmangie nga shërbimi ushtarak gjatë mobilizimit sepse kërkoi të bënte shërbim alternativ kur e thirrën për rekrutim. Ai u shfajësua si nga Gjykata e Shkallës së Parë, ashtu edhe nga Gjykata e Apelit, por prokurori iu apelua Gjykatës së Lartë të Specializuar për Çështjet Civile dhe Penale të Ukrainës. Në 23 qershor 2015 Gjykata e Lartë e hodhi poshtë apelimin e tij, duke vulosur kështu vendimet e dy gjykatave të mëparshme.
Gjykata e Lartë konfirmoi se «Gjykata e Shkallës së Parë kishte më se të drejtë kur iu referua masave të ngjashme që kishte marrë Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut». Gjykata e Lartë ishte dakord edhe që të përdorej si precedent çështja Bajatjani kundër Armenisë. Vendimi i kësaj çështjeje ishte marrë nga Dhoma e Madhe e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut më 7 korrik 2011. Sipas këtij vendimi historik, e drejta për të mos bërë shërbimin ushtarak për shkak të bindjeve fetare të sinqerta është ndër të drejtat e garantuara nga neni 9 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në çështjen e Vitalij Shalaikos, Gjykata e Lartë e Ukrainës bëri të qartë se të drejtat e atyre që nuk pranojnë të bëjnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje duhen garantuar jo vetëm kur bëhet fjalë për rekrutim rutinë, por edhe në rast se vendi mobilizohet për një konflikt të armatosur. Vendimi i Gjykatës së Lartë është përfundimtar, pa mundësi tjetër apelimi.
Z. Shalaiko u lehtësua jashtë mase nga ky vendim i fundit. Ai shprehet: «E kuptoj se shteti interesohet për mbrojtjen e nënshtetasve me anë të mobilizimit ushtarak. Edhe pse ndërgjegjja nuk më lejon të kryej shërbimin ushtarak, prapëseprapë jam gati të bëj pjesën time nëpërmjet shërbimit alternativ civil. Jam mirënjohës që gjykatat kanë kuptuar se refuzimi im ndaj shërbimit ushtarak bazohet në bindje fetare që i besoj me gjithë zemër.»
Vendim i dobishëm për shumë të tjerë
Mijëra Dëshmitarë të Jehovait në mbarë Ukrainën janë përballur me çështjen e asnjanësisë gjatë mobilizimit. Ata që rrezikojnë të paditen penalisht për shmangie nga shërbimi ushtarak, tani mund të përfitojnë nga precedenti ligjor që vendosi çështja e Vitalij Shalaikos.
Avokati i z. Shalaiko, z. Vadim Karpov, tha: «E thënë thjesht, Gjykata e Lartë shpjegon se, si Dëshmitar i Jehovait, z. Shalaiko nuk mund të paditej ngaqë refuzonte shërbimin ushtarak. Edhe në një vend të përçarë nga lufta e nga mungesa e stabilitetit, si Ukraina, është mjaft domethënëse që është zbatuar standardi i ligjit ndërkombëtar për lirinë e fesë dhe lirinë e ndërgjegjes.»
Ukraina: shembull për respektimin e të drejtave të njeriut
Gjykatat e Ukrainës kanë kuptuar se refuzimi i shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje është një e drejtë themelore e njeriut që duhet garantuar edhe në rast mobilizimi ushtarak. Ai nuk përbën as shmangie egoiste nga detyrimi ushtarak, as kërcënim për interesat dhe sigurinë e kombit. Duke konfirmuar vendimet e gjykatave më të ulëta, Gjykata e Lartë ka mbrojtur të drejtat e njeriut për të gjithë ukrainasit. Ukraina ka lënë një shembull për vendet që ndëshkojnë ata që nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.