Kalo te përmbajtja

13 SHKURT 2015
UKRAINË

Zaptohen godina fetare në rajonet lindore të Ukrainës

Zaptohen godina fetare në rajonet lindore të Ukrainës

Grupe të armatosura kanë marrë me forcë disa Salla Mbretërie (vende adhurimi) që u përkasin Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë. Godinat e zaptuara ndodhen në rajonet e Donjeckut dhe të Luhanskut në anën lindore të vendit, ku prej shumë muajsh vazhdon me tërbim një konflikt i dhunshëm. Këta persona të armatosur kanë vënë në shënjestër Dëshmitarët e Jehovait për shkak të paragjykimit që kanë ndaj tyre dhe ngaqë shpërfillin të drejtën e Dëshmitarëve për lirinë e fesë dhe të mbledhjes.

Për më shumë se 20 vjet, Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë kanë pasur liri adhurimi. Vasyl Kobel, një Dëshmitar i Jehovait në zyrën e tyre të degës në Lvov, tha: «Jemi mbledhur rregullisht në vendet tona të adhurimit për të lexuar Biblën e për t’u lutur dhe gjithmonë jemi përpjekur të kemi një ndikim pozitiv në komunitetin ku jetojmë. Por muajt e fundit, jeta e popullit ukrainas është bërë shumë e vështirë nga trazirat në lindje të vendit. Dëshmitarët e Jehovait nuk bëjnë përjashtim; edhe ne jemi viktima të dhunës.»

Z. Kobel foli në emër të 150.000 Dëshmitarëve të Jehovait që jetojnë në Ukrainë. Muajt e fundit mijëra Dëshmitarë kanë ikur nga zona e luftës. Por rreth 17.500 prej tyre që janë ende në rajonet e Donjeckut dhe të Luhanskut po përpiqen të vazhdojnë aktivitetet e përditshme në mes të një konflikti të dhunshëm. Ngaqë ua kanë zaptuar Sallat e Mbretërisë, mijëra Dëshmitarë nuk kanë godina ku të mblidhen për të adhuruar, prandaj detyrohen të mblidhen ngucur në shtëpi private. Dëshmitarë të tjerë tani duhet të udhëtojnë deri në dy orë vetëm vajtje që të ndjekin shërbesat e tyre fetare.

Zaptimi i Sallave të Mbretërisë, një akt urrejtjeje fetare

Zaptimet e Sallave të Mbretërisë nuk janë akte të rastësishme, por sulme diskriminuese kundër Dëshmitarëve dhe bindjeve të tyre fetare. Komandanti i një grupi deklaroi se ka si qëllim «të heqë qafe të gjithë Dëshmitarët e Jehovait», sepse, sipas tij, Kisha Ortodokse është e vetmja fe e lejuar në rajon. Një komandant tjetër u shpreh: «Mori fund gjithçka për Dëshmitarët e Jehovait.» Pavarësisht nga këto kërcënime, Dëshmitarët e Jehovait janë të vendosur të qëndrojnë aktivë në mbarë Ukrainën.

Megjithëse si pasojë e këtyre zaptimeve nuk është lënduar asnjë Dëshmitar, siguria dhe liria e tyre për t’u shoqëruar me bashkëbesimtarët është në rrezik. Në një rast, gjatë një mbledhjeje fetare, burra të armatosur hynë furishëm në një Sallë Mbretërie në qytetin Horlivka në rajonin e Donjeckut, duke i trembur të pranishmit, përfshirë të moshuar, gra dhe fëmijë. Në një rast tjetër, Dëshmitarët që po vinin në Sallën e tyre të Mbretërisë për një shërbesë fetare, u tronditën që u kishin ndërruar bravat dhe godina po përdorej si kazermë ushtarake.

Çfarë po bëhet për këtë problem?

Z. Kobel tha: «Zyra e degës në Lvov ka kontaktuar me ministri të ndryshme të qeverisë dhe me zyrtarë të tjerë për t’i informuar në lidhje me këto zaptime të paligjshme të pronave. Kjo shërben për ta vënë në dijeni qeverinë se ajo që po ndodh në ato godina ose aktet e kryera nga zaptuesit, nuk janë në dorën tonë.» Përveç kësaj, zyra e degës i ka udhëzuar burrat përgjegjës në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në rajonet e Donjeckut dhe të Luhanskut që të bëjnë gjithçka munden për sigurinë e Dëshmitarëve. Këtyre burrave u është sjellë ndër mend se jeta e njerëzve është më e rëndësishme se godinat dhe se nuk duhet të ndërmarrin asnjë veprim që do të vinte në rrezik sigurinë e çdo Dëshmitari.

Për shkak të situatës së trazuar, aktualisht Dëshmitarët nuk kanë nisur asnjë veprim ligjor që të rimarrin Sallat e tyre të Mbretërisë. Por, pavarësisht nga vështirësitë që vijnë nga zaptimi i Sallave të Mbretërisë, Dëshmitarët janë të vendosur të vazhdojnë veprimtaritë e tyre fetare. Ata mezi presin kohën kur godinat t’u kthehen dhe të mund të mblidhen sërish me bashkëbesimtarët në sallat e sigurta dhe të rehatshme.