13 DHJETOR 2016
UKRAINË
Zaptohen Salla Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait në rajonet Donjeck dhe Luhansk të Ukrainës
Rajoni i Donjeckut
HORLIVKË—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Nga fundi i qershorit 2014 burra të armatosur hynë me forcë në një Sallë Mbretërie në rrugën Viliamsa Akademika 3A, vodhën pajisjet elektronike dhe vunë dryna të rinj. E përdorën si kazermë ushtarake.
Më 13 prill 2015 ndërtesa iu rikthye Dëshmitarëve të Jehovait.
HORLIVKË—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 5 korrik 2014 burra të armatosur zaptuan Sallën e Mbretërisë. Ata e përdorën si kazermë ushtarake dhe si depo municionesh, por e braktisën në shtator të 2014-s. Dëshmitarët u rikthyen dhe e përdorën Sallën e Mbretërisë për mbledhjet e tyre fetare.
Më 12 tetor 2014 burra të armatosur ndërprenë një shërbesë fetare në Sallën e Mbretërisë dhe i urdhëruan gjithë të pranishmit t’i ndërpritnin aktivitetet fetare. U thanë se feja ortodokse është e vetmja fe e lejuar në rajon dhe se, së shpejti, «do t’i hiqnin qafe të gjithë Dëshmitarët e Jehovait». Ata e përdorin Sallën e Mbretërisë si kazermë ushtarake.
DONJECK—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 13 gusht 2014 burra të armatosur hynë me forcë në Sallën e Mbretërisë dhe nisën ta përdornin si kazermë ushtarake.
Më 19 gusht 2014 vodhën pajisjet e akustikës dhe e braktisën godinën. Dëshmitarët u kthyen dhe nisën ta përdornin sërish Sallën e Mbretërisë për mbledhjet e tyre fetare.
Më 18 tetor 2014 pas një shërbese fetare, përfaqësues të batalionit të katërt Oplot që hynë në Sallën e Mbretërisë, u thanë Dëshmitarëve të pranishëm se do t’ua merrnin Sallën.
Më 18 nëntor 2014 burra të armatosur u kërkuan Dëshmitarëve të firmosnin dokumente për ta kaluar Sallën e Mbretërisë në pronësi të zyrës së komandantit të krahinave Petrovskij dhe Kirovskij. Ata e përdorin ndërtesën si kazermë ushtarake.
HORLIVKË—Sallë Mbretërie e zaptuar nga civilë.
Më 30 shtator 2014 një stacion televiziv vendës intervistoi «pronarin e ri» të kësaj Salle Mbretërie, i cili tha se u ishte marrë Dëshmitarëve të Jehovait që të përdorej si shkollë boksi. Që nga viti 2013 kjo Sallë Mbretërie është bërë objekt i sulmeve të përsëritura vandalizmi e zjarrvënieje. Për herë të fundit u përpoqën t’i vinin zjarrin më 5 qershor 2014.
DONJECK—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 26 tetor 2014 burra të armatosur nga batalioni Shakhtar i Republikës Popullore të Donjeckut (RPD) mësynë në Sallën e Mbretërisë, dhe tani e përdorin si kazermë ushtarake.
ZHDANIVKË—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 27 tetor 2014, në bazë të urdhrit të një komandanti, burra nga grupi i armatosur i Horlivkës zaptuan Sallën e Mbretërisë. Nënkomandanti i Horlivkës tha se feja ortodokse është e vetmja fe e lejuar në rajon dhe se gjithë të tjerat janë të ndaluara.
Më 21 nëntor 2014 komandanti i skuadrës i një grupi tjetër të armatosur mori nën kontroll Sallën e Mbretërisë dhe u tha Dëshmitarëve të Jehovait se tani do të kujdeseshin vartësit e tij për të.
Më 20 nëntor 2015 burrat e armatosur e braktisën ndërtesën dhe Dëshmitarët e Jehovait e rimorën.
TELMANOVE—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 4 nëntor 2014 burra të armatosur hynë me forcë në godinë dhe vunë roja të armatosura.
Më 11 dhjetor 2014 burrat futën municione në godinë dhe tani e përdorin si kazermë ushtarake.
MAKIJIVKË—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia, por më pas e braktisur.
Më 5 nëntor 2014 burra të armatosur nga batalioni Rus hynë me forcë në Sallën e Mbretërisë. Ata i urdhëruan Dëshmitarët t’u jepnin çelësat dhe të mos ktheheshin më. Të nesërmen, nënkomandanti hoqi tabelën «Salla e Mbretërisë» dhe në vend të saj vuri flamurin e batalionit.
Më 26 nëntor 2014 batalioni e braktisi godinën.
HORLIVKË—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia, e braktisur dhe e zaptuar sërish.
Më 29 nëntor 2014 burra të armatosur hynë në Sallën e Mbretërisë në rrugën Vitchyzniana 105-A dhe u thanë Dëshmitarëve të pranishëm se do t’ua merrnin Sallën. Një nga burrat tha se qeveria e RPD-së do të lejonte vetëm fenë ortodokse në atë rajon. Burrat vunë roja të armatosura në godinë dhe i ndaluan Dëshmitarët të ktheheshin. Të nesërmen, burrat e braktisën ndërtesën.
Më 22 korrik 2016 burra të armatosur hynë sërish në godinë, i urdhëruan të gjithë të pranishmit të dilnin menjëherë dhe e plaçkitën.
ZUGRES—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 20 dhjetor 2014 komandanti i qytetit tha se do ta merrte ai nën kontroll godinën. I urdhëroi Dëshmitarët e Jehovait t’i jepnin çelësat e Sallës dhe të mos ktheheshin më.
Më 19 prill 2015 ndërtesa iu kthye Dëshmitarëve.
DONJECK—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 1 shkurt 2015 burra të armatosur hynë në Sallën e Mbretërisë. Ata u kërkuan Dëshmitarëve t’u jepnin çelësat dhe të firmosnin dokumente që pronësia e Sallës t’i kalohej milicisë për periudhën e luftës.
Më 29 shkurt 2016 ndërtesa iu kthye Dëshmitarëve, por duhej riparuar para se të përdorej sërish për mbledhje fetare.
JENAKIJEVE—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 3 mars 2015 burra të armatosur u kërkuan Dëshmitarëve të Jehovait t’u jepnin çelësat e Sallës së Mbretërisë që ta përdornin si kazermë ushtarake.
HORLIVKË—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 25 korrik 2016 burra të armatosur hynë në Sallën e Mbretërisë në rrugën Simferopolska 9, duke thënë se vetëm tri fe lejohen në rajon dhe se kanë si qëllim «t’i çrrënjosin Dëshmitarët e Jehovait».
Rajoni i Luhanskut
ANTRACIT—Sallë Mbretërie e zaptuar nga civilë.
Në shtator të 2014-s individë të paidentifikuar hynë me forcë në Sallën e Mbretërisë dy herë. Ata vodhën pajisje elektronike dhe shkruan në mur «Kozakët ortodoksë!»
Më 25 shtator 2014 një kanal televiziv vendës raportoi se Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait ishin zaptuar që të përdoreshin për funksione të tjera, si për shembull, kopshte fëmijësh.
Në maj 2015 ndërtesa iu kthye Dëshmitarëve të Jehovait.
ROVENKI—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 23 shtator 2014 burra të armatosur nga batalioni St. George hynë me forcë në Sallën e Mbretërisë dhe i ndaluan Dëshmitarët të ktheheshin. Ata e përdorën si kazermë ushtarake.
Në gusht 2015 ndërtesa iu kthye Dëshmitarëve të Jehovait.
PEREVALSK—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 5 nëntor 2014 burra të armatosur të udhëhequr nga nënkomandanti ushtarak, hynë në godinë dhe u thanë Dëshmitarëve se do ta merrnin Sallën për ta përdorur si mensë. Nënkomandanti deklaroi: «Mori fund gjithçka për Dëshmitarët e Jehovait.» Më pas u tha Dëshmitarëve se nuk mund t’i kryenin më veprimtaritë e tyre fetare.
KRASNIJ LUÇ—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 5 dhjetor 2014 burra të armatosur hynë me forcë në Sallën e Mbretërisë. Ata vunë roja të armatosura në godinë dhe i parkuan makinat ushtarake në oborr.
BRIANKË—Sallë Mbretërie e zaptuar nga milicia.
Më 26 mars 2015 burra të armatosur hynë me forcë në këtë Sallë Mbretërie. Ata i morën të gjitha orenditë në godinë dhe e zëvendësuan tabelën «Salla e Mbretërisë» me një tjetër ku shkruhej «I plotfuqishmi Don Host».