Kalo te përmbajtja

6 KORRIK 2015
UKRAINË

Dëshmitarët e Jehovait transmetojnë një mbledhje të veçantë në zonën e luftës në Ukrainë

Dëshmitarët e Jehovait transmetojnë një mbledhje të veçantë në zonën e luftës në Ukrainë

LVOV, Ukrainë—Më 14 shkurt 2015, Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë mbajtën një mbledhje të veçantë për t’u dhënë zemër nga Shkrimet më se 17.000 bashkëbesimtarëve që jetojnë në rajonin e shkatërruar nga lufta në Ukrainën Lindore. Programi dyorësh u transmetua drejtpërdrejt me video nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Lvov, dhe u ndoq në Ukrainën Lindore e në zona të tjera të vendit. Mbledhja ishte tamam në kohën e duhur, sepse më 24 janar 2015 qyteti-port i Mariupolit u sulmua me raketa, ku si pasojë u dëmtuan 3 shtëpi dhe 58 apartamente të Dëshmitarëve. Gjatë atij sulmi u plagos rëndë një Dëshmitar, ndërsa një tjetër, që ishte vetëm 16 vjeç, mbeti i vrarë.

Besimtarë të mbledhur në një Sallë Mbretërie në Makejevka, në zonën e luftës, duke dëgjuar mbledhjen që po transmetohet nga dega e Ukrainës.

Në bashkëpunim me zyrën e degës në Rusi, zyra e degës e Ukrainës mori masa që i tërë programi të regjistrohej dhe të transmetohej online për Dëshmitarët në Bjellorusi e Rusi. Kështu, përveç 150.841 Dëshmitarëve ukrainas, programin e ndoqën edhe 186.258 Dëshmitarë bjellorusë e rusë, duke arritur një total prej 337.099 shikuesish.

Gustav Berki, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë, shpjegon: «Raportet për ndihmën që po japim në Ukrainë i inkurajuan tej mase ata që jetojnë në zonën e luftës. Gjithashtu, auditori u ndie shumë i sigurt kur mori vesh si po kujdeset komiteti i ndihmës në Rostov-mbi-Don, Rusi, për miqtë tanë refugjatë.»

Jaroslav Sivulski, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, komenton: «Dëshmitarët e Jehovait njihen në të gjithë botën si paqësorë dhe asnjanës në çështjet politike. Në këtë mbledhje u mbajtën fjalime që theksonin bazën biblike për asnjanësinë tonë. Mbledhja nxori në pah se përse ne, pavarësisht nëse jemi rusë, ukrainas a shtetas të ndonjë vendi tjetër, nuk marrim anën e askujt në konfliktet ushtarake.»

Dy Dëshmitare të Jehovait në Horlivka, rajoni i Donjeckut, mbijetuan pasi një raketë goditi shtëpinë e tyre kur ishin brenda.

Deri më tani, zyra e degës e Ukrainës ka formuar 14 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash që të kujdesen për të prekurit nga lufta. Këto komitete kanë siguruar mbi 149 tonë ushqime dhe 21 tonë veshje për bashkëbesimtarët dhe për banorë të tjerë në atë rajon. Kanë marrë masa edhe për të strehuar më shumë se 7.600 refugjatë dhe kanë meremetuar a rindërtuar mjaft shtëpi e Salla Mbretërie (vende adhurimi) të dëmtuara ose të shkatërruara. Për shembull, në qytetin e Mariupolit, vetëm dy ditë pas sulmit, një Komitet i Ndihmës në Rast Katastrofash organizoi 160 vullnetarë që të fillonin të meremetonin 34 apartamente të dëmtuara.

Një parking i goditur nga raketat, pranë një Salle Mbretërie (nuk është në figurë) në Mariupol.

Më tej z. Berki tregoi se si nismat për të ndihmuar, të mbikëqyrura nga zyra e degës në Ukrainë, nuk plotësojnë vetëm nevojat e ngutshme fizike dhe materiale. Ai tha: «Përveç kësaj mbledhjeje të veçantë, përfaqësues të Dëshmitarëve të Jehovait vazhdojnë t’i vizitojnë 136 komunitetet e Dëshmitarëve në zonën e luftës. Dhe, siç ndodh gjithmonë në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait përreth botës, pleqtë vendës po bëjnë përpjekje të bashkërenduara që t’i ngushëllojnë e t’i inkurajojnë me anë të Shkrimeve ata që kanë nën kujdes.»

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: Xhejms Brauni, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Bjellorusi: Pavel Jadluski, tel. +375 17 292 93 78

Rusi: Jaroslav Sivulski, tel. +7 812 702 2691

Ukrainë: Gustav Berki, tel. +38 032 240 9323