Kalo te përmbajtja

9 PRILL 2015
VANUATU

Dëshmitarët e Jehovait organizojnë ndihmat pas ciklonit Pam

Dëshmitarët e Jehovait organizojnë ndihmat pas ciklonit Pam

NOUMEA, Kaledonia e Re—Duke filluar nga nata e 13 marsit 2015, cikloni tropikal Pam me erëra të kategorisë 5, goditi mespërmes shtetin-ishull Vanuatu në Paqësor. Raportet e para nga zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Kaledoninë e Re tregojnë se asnjë Dëshmitar në Vanuatu nuk vdiq ose nuk u lëndua gjatë kësaj stuhie kataklizmike. Dëmet e shkaktuara janë duke u llogaritur ende, por është konfirmuar se në ishullin Efate u shkatërruan 31 shtëpi të Dëshmitarëve, kurse 58 të tjera u dëmtuan rëndë. Në ishullin Tanna, pothuajse të gjitha shtëpitë e Dëshmitarëve ose u dëmtuan rëndë, ose u shkatërruan. Erërat e ciklonit shkatërruan edhe tri Salla Mbretërie, kurse një tjetër u dëmtua nga një pemë që u rrëzua mbi të.

Një komitet për ndihmë në rast katastrofash me bazë në kryeqytetin Port Vila të Vanuatut ka siguruar ushqim, ujë të pijshëm dhe strehim bazë për rreth 100 familje Dëshmitarësh. Përveç kësaj, Dëshmitarëve në Tanna iu dërguan një ton ndihma për t’u siguruar nevojat më të ngutshme. Zyra e degës në Australi po bashkëpunon me zyrën e degës në Kaledoninë e Re për dhënien e ndihmave, ku do të përfshihen ndërtimi i strehimeve, riparimi i shtëpive të dëmtuara dhe sigurimi i shtrojave, i veshjeve dhe i gjërave të tjera.

Jean-Pierre Francine, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Kaledoninë e Re, thotë: «Jemi mirënjohës për ndihmën nga jashtë vendit, si edhe nga agjencitë qeveritare që ndihmuan bashkadhuruesit tanë. Tani që fluturimet për në Vanuatu kanë rifilluar, një përfaqësues i zyrës së degës në Kaledoninë e Re dhe përfaqësues të tjerë të Dëshmitarëve po vizitojnë ishullin që të japin jo vetëm ndihmë praktike, por edhe ngushëllim dhe inkurajim nga Shkrimet.»

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Kaledonia e Re: Jean-Pierre Francine, tel. +687 43 75 00