5 NËNTOR 2021
VENEZUELË
Dalin librat e parë të Biblës në gjuhën venezuelase të shenjave
Më 30 tetor 2021 dolën në gjuhën venezuelase të shenjave dy libra të Biblës, ai i Mateut dhe i Gjonit. Vëlla Migel Guileni, anëtar i Komitetit të Degës të Venezuelës, i prezantoi këta libra gjatë një programi special të regjistruar paraprakisht që u transmetua streaming për më shumë se 2.200 vëllezër e motra. Në fakt, që nga viti 2006 kjo degë ka përkthyer gati 7.000 vargje të Biblës në gjuhën venezuelase të shenjave, por kjo është hera e parë që libra të plotë të Biblës vihen në dispozicion në këtë gjuhë.
Përkthyesit e Përkthimit Bota e Re filluan me Ungjijtë e Mateut dhe të Gjonit, sepse këto tregime rreth jetës së Jezuit janë shumë të njohur dhe stili i tyre tregimtar është më i lehtë për t’u përkthyer sesa librat e tjerë të Biblës.
Në vitin 2003, në Kabimas, një qytet në perëndim të Venezuelës, u formua kongregacioni i parë në gjuhën e shenjave. Sot në të gjithë vendin ka 1.204 lajmëtarë që shërbejnë në 53 kongregacione të gjuhës së shenjave. Shumë venezuelas që nuk dëgjojnë, kanë mjaft dëshirë të mësojnë për Biblën por mezi e kuptojnë gjuhën spanjolle të shenjave, e cila ndryshon goxha.
Një mbikëqyrës qarkor tha: «Një burrë që nuk dëgjon, tha se gjeti një Bibël në spanjisht, por kur e lexoi, nuk kuptonte asgjë. Ai iu përgjërua Perëndisë që ta ndihmonte. . . . Kur i shpjeguan se mund të mësonte për Biblën me ndihmën e gjuhës venezuelase të shenjave, ai pranoi menjëherë të studionte Biblën me ne.»
Për këtë projekt ka punuar një skuadër me 6 përkthyes për 10 muaj. Ata janë konsultuar me një panel prej 7 vëllezërish që nuk dëgjojnë e që janë nga rajone të ndryshme të vendit, të cilët shqyrtuan përmbajtjen. Kjo i ka ndihmuar përkthyesit të sigurohen që njerëz nga rajone të ndryshme të kuptojnë Fjalën e Perëndisë, pavarësisht nga ndryshimet e gjuhës.
Për shkak të pandemisë COVID-19, përkthyesve u është dashur të punojnë në vende të ndryshme e të lidhen me videokonferencë. Mirëpo lidhjet e dobëta të internetit e vështirësuan goxha bashkëpunimin. Një nga përkthyesit tha: «Nuk ishte e lehtë, por Jehovai na ndihmoi të kapërcenim çdo vështirësi.»
Lutemi që të gjithë vëllezërit e motrat në Venezuelë të nxjerrin plotësisht dobi nga ‘argjendi i rafinuar’ i Fjalës së Jehovait në gjuhën e tyre.—Psalmi 12:6.