Kalo te përmbajtja

Vëllezërit dhe motrat në Venezuelë ndjekin Përkujtimin

21 PRILL 2021
VENEZUELË

Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për vitin 2021—Venezuelë

Pavarësisht nga vështirësitë, vëllezërit e motrat në Venezuelë gjejnë mënyra për të ndjekur Përkujtimin dhe për të ftuar të tjerët

Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për vitin 2021—Venezuelë

Motrat e vëllezërit në Venezuelë vazhdojnë të përballen me shumë vështirësi, si kriza ekonomike, trazirat civile, e tani edhe me pandeminë COVID-19. Prapëseprapë gjetën mënyra të ndryshme për të ndjekur Përkujtimin e vdekjes së Krishtit e madje për të ftuar edhe të tjerë në këtë event.

Për shembull, gjatë dy javëve para Përkujtimit shpërthyen konflikte të armatosura në qytetin e La Viktorias, shteti i Apures, pranë kufirit me Kolumbinë. Të gjithë lajmëtarët e kongregacionit atje u detyruan të iknin menjëherë në Kolumbi. Vëllezërit dhe motrat në kongregacionin Araukita në Kolumbi arritën t’i ndihmonin vëllezërit nga Venezuela, që të ndiqnin Përkujtimin me videokonferencë.

Një çift e dëgjoi fjalimin e Përkujtimit me radio dore

Një kongregacion në shtetin Falkon ndodhet në një zonë ku është e vështirë të sigurosh shërbime telefonike ose lidhje interneti. Kështu, 70 lajmëtarët e kongregacionit e dëgjuan fjalimin e Përkujtimit me radio dore.

Një motër tha: «Edhe pse nuk takohemi e nuk përqafohemi dot, mund të dëgjojmë zërin e vëllezërve tanë. Është sikur të jemi të gjithë bashkë.»

Ditët para Përkujtimit, kongregacionet bënë përpjekje të veçanta për të ftuar njerëzit që banojnë në zona të thella të vendit, që të dëgjonin programin. Fjalimin e Përkujtimit mund ta dëgjonin në mënyra të ndryshme. Vëllezërit dërguan mbi 3.000 ftesa. Rezultatet ishin të shkëlqyera. Për shembull, në qytetin bregdetar të Arajës, fjalimin e Përkujtimit e dëgjuan më shumë se 100 veta nëpërmjet telefonit.

Një vëlla dëgjon fjalimin në radio

Veç kësaj, dega e Venezuelës mori masa që ta transmetonte Përkujtimin në 82 stacione radiofonike dhe në 9 kanale televizive. Të paktën 8.000 vëllezër dhe të ftuar e ndoqën Përkujtimin në këtë mënyrë. Programi u transmetua edhe në disa gjuhë indigjene, të tilla si guahibo, pemone, piaroa, pumé, varao, uajunaiki dhe jekuana.

Në Guasipati, shteti i Bolivarit, ishte programuar që fjalimi i Përkujtimit të transmetohej një herë nëpërmjet një stacioni radiofonik vendës në orën 6.30 të pasdites. Mjerisht, në atë zonë, energjia elektrike ndërpritet shpesh. Kjo do të thoshte që disa nuk do ta dëgjonin dot gjithë fjalimin e Përkujtimit. Mirëpo, për shkak të një problemi teknik në stacionin e radios, fjalimi vazhdoi të ritransmetohej pa pushim më shumë se 10 herë gjatë gjithë natës. Si rezultat, dëgjuesit arritën ta dëgjonin të plotë fjalimin e Përkujtimit në orare të ndryshme. Sipas raporteve, fjalimin e kanë dëgjuar mbi 600 veta. Një vëlla komentoi: «Jehovai donte që askush të mos e humbiste këtë fjalim të veçantë.»

Ndonëse mes «sprovave të ndryshme», vëllezërit tanë ‘po gëzojnë shumë’, sepse panë që Jehovai i bekoi përpjekjet e tyre për të ndjekur Përkujtimin e për të ftuar edhe të tjerë në këtë ngjarje.—1 Pjetrit 1:6, 7.