Kalo te përmbajtja

30 GUSHT 2017
VENEZUELË

Dëshmitarët e Jehovait në Venezuelë vazhdojnë veprën e arsimimit biblik në mes të krizës ekonomike

Dëshmitarët e Jehovait në Venezuelë vazhdojnë veprën e arsimimit biblik në mes të krizës ekonomike

NJU-JORK—Mediat ndërkombëtare kanë raportuar mbi keqësimin e kushteve në Venezuelë për shkak të krizës ekonomike atje. Komiteti i degës në Venezuelë raporton se edhe vëllezërit e motrat tona janë prekur nga kriza. Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait është shqetësuar jashtë mase nga këto raporte.

Kriminelë të armatosur kanë hyrë në disa Salla Mbretërie gjatë mbledhjeve javore për të vjedhur pajisje elektronike dhe sende të tjera me vlerë. Veç kësaj, disa herë mbledhjet janë mbajtur nëpër shtëpi private, sepse hyrjet për në Sallat e Mbretërisë ishin bllokuar për shkak të konflikteve të dhunshme. Shumë vëllezër e motra kanë humbur punën, ngaqë vendet ku punonin, janë mbyllur. Të tjerë që kishin një biznes, kanë qenë shënjestër e kriminelëve dhe e bandave, ndaj janë detyruar t’i shesin bizneset e të largohen nga vendi për hir të sigurisë. Mjerisht, vetëm vitet e fundit të paktën 680 vëllezër e motra i kanë rrëmbyer, mbi 13.146 kanë qenë viktima të grabitjeve me armë, madje 144 kanë qenë viktima të përdhunimit ose të tentativave për përdhunim. Tragjikisht, deri më 10 gusht 2017 raportohet se 47 vëllezër e motra i kanë vrarë. Të tjerë kanë vdekur, ngaqë s’kanë marrë dot trajtimin e duhur mjekësor.

Trupi Udhëheqës vazhdon ta mbikëqyrë nga afër situatën dhe po i përdor fondet e dhuruara për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve e motrave që s’kanë as gjërat bazë. Po ashtu, po komunikon me degët përreth botës që të përcaktojë rrugët më të përshtatshme për të mbështetur vëllezërit e motrat në Venezuelë, meqë është e rrezikshme që dikush të japë ndihmë të drejtpërdrejtë.

Që të kujdeset për nevojat e vëllezërve, Komiteti i degës atje ka ngritur pranë zyrës së degës një komitet ndihme për raste emergjence, që mbikëqyr 24 nënkomitete anembanë vendit. Mbi 149.000 lajmëtarët në Venezuelë, jo vetëm po qëndrojnë përballë sprovave të rënda të këtyre ‘ditëve të fundit’, por edhe po shtojnë përpjekjet për t’u dhënë fqinjëve mesazhin ngushëllues të Biblës. (2 Timoteut 3:1-5; 2 Timoteut 4:2) Luis Navasi, zëdhënës i zyrës së degës së Venezuelës, tregon: «Kurrë më parë s’kemi pasur rezultate kaq të mira. Pjesëmarrja në mbledhje është rritur. Shumë lajmëtarë kanë nisur të shërbejnë si pionierë të rregullt e në të njëjtën kohë tregohen tejet të kujdesshëm në shërbim. Fqinjët e mirëpresin mesazhin ngushëllues e shpresëdhënës të Biblës, ngaqë e dinë se jemi krejtësisht asnjanës dhe s’kemi lidhje me asnjë aktivitet kriminal që ka pllakosur vendin.»

Dëshmitarët e Jehovait në Venezuelë do të vazhdojnë të kujdesen për njëri-tjetrin e t’u japin zemër fqinjëve. Nga ana tjetër bashkëbesimtarët e tyre nëpër botë do të vazhdojnë t’i mbështetin e të luten për ta.—Romakëve 12:12, 13; 2 Korintasve 1:3, 4.

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Venezuelë: Luis Navasi, +58-244-400-5000