25 TETOR 2021
ZAMBIE
Prezantohet Bibla në gjuhën lunde
Më 16 tetor 2021 dolën Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën lunde. Botimi në format dixhital u prezantua gjatë një programi special që u transmetua streaming për lajmëtarët që jetojnë në 3 vende afrikane. Botimi i shtypur do të jetë në dispozicion duke filluar nga shkurti 2022.
Vëlla Emanuel Çiposa, anëtar i Komitetit të Degës në Zambie, e prezantoi këtë përkthim të Biblës gjatë një fjalimi të regjistruar paraprakisht. Programi u transmetua për auditorin në Angolë, në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Zambie.
Njerëzit që flasin gjuhën lunde, zakonisht merren me kultivimin e misrit, të maniokës dhe të patates së ëmbël. Në Zambie ata jetojnë pranë burimit të lumit të famshëm Zambezi, lumi i 4-t më i gjatë në Afrikë pas Nilit, Kongos dhe Nigerit. Dëshmitarët e Jehovait filluan t’u predikonin për herë të parë atyre që flasin gjuhën lunde në vitet 30 dhe të përkthenin literaturë në këtë gjuhë në vitin 2003.
Në shtator 2019, skuadra e përkthimit për gjuhën lunde u transferua në një Zyrë Rajonale Përkthimi të re. Ndër të tjera, kjo i kontribuoi punës së skuadrës, sepse i siguroi lidhje interneti stabël.
Për vite me radhë, lajmëtarët ishin të detyruar të përdornin Biblat që kushtonin sa qimet e kokës, të cilat kishin një gjuhë arkaike e mezi gjendeshin. Përkthimi Bota e Re në gjuhën lunde është i qartë dhe kuptohet fare lehtë. Për shembull, Biblat e mëparshme në gjuhën lunde e kishin në shumës fjalën ‘pasardhësi’ te Zanafilla 3:15. Prandaj, lajmëtarët e kishin tepër të vështirë të shpjegonin se kjo profeci së pari lidhet me Jezuin. Gjithsesi, te Përkthimi Bota e Re në gjuhën lunde kjo fjalë është lënë në numrin njëjës, ashtu siç duhet.
Përkthyesit janë shumë të lumtur me këtë përkthim të ri të Biblës. Një prej tyre tha: «Jam plotësisht i bindur se kur njerëzit ta lexojnë këtë përkthim, do të afrohen më shumë me Krijuesin e tyre, Jehovain.»
Përkthimi Bota e Re në gjuhën lunde është një dëshmi tjetër se Jehovai merakoset për popujt nga të gjitha kombet. Kjo Bibël do ta ndihmojë popullin e Jehovait të vazhdojë të flasë për mesazhin e Mbretërisë «deri në skajet e tokës së banuar».—Romakëve 10:18.