7 MARS 2022
ZELANDË E RE
Lajmi i mirë ‘i themeluar ligjërisht’ prej 75 vjetësh në Zelandën e Re
Marsi i vitit 2022 shënon plot 75 vjet që kur Dëshmitarët e Jehovait u njohën ligjërisht në Zelandën e Re. Më 7 mars 1947, vëllezërit Nejthën Nor, Milton Henshel dhe Çarls Klejtën, misionari i parë në Zelandën e Re i diplomuar në Shkollën e Galadit, vizituan Parlamentin e Zelandës së Re. Zyrtarët e qeverisë u dorëzuan vëllezërve tanë dokumentet që u jepnin njohjen ligjore Dëshmitarëve të Jehovait. Sot atje ka rreth 14.500 Dëshmitarë që po predikojnë me zell dhe vepra vazhdon të lulëzojë.
Mesazhi i Mbretërisë arriti për herë të parë në Zelandën e Re më 1898, dhe numri i lajmëtarëve atje është rritur sistematikisht. Por, e zemëruar që botimet tona po hidhnin dritë mbi të vërtetat e Biblës, Kisha Katolike nxiti urrejtje kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Më 24 tetor 1940, qeveria e ndaloi veprën tonë. Megjithatë, më 8 maj 1941, Parlamenti nxori një amendament lidhur me ndalimin. Amendamenti i lejonte vëllezërit tanë të mblidheshin së bashku për të adhuruar Perëndinë dhe të merrnin pjesë në shërbim. Mirëpo atyre u lejohej të përdornin vetëm Biblën, jo botimet tona. Ndalimi u hoq zyrtarisht më 29 mars 1945, dhe numri i lajmëtarëve nisi të rritej përsëri. Vetëm dy vite më vonë, numri lajmëtarëve u rrit me 40 për qind, dhe një maksimum i ri prej 659 vëllezërish e motrash po shpallnin lajmin e mirë.
Vëlla Nori vendosi të vizitonte Zelandën e Re gjatë udhëtimit të tij ndërkombëtar të shërbimit, në vitin 1947. Pikërisht gjatë këtij udhëtimi vizitoi Parlamentin.
Pasi morën njohjen ligjore, Dëshmitarët e Jehovait hapën një zyrë dege në Uellington për të organizuar më mirë veprën e predikimit. Vëllai Robert Lazenbaj u emërua si shërbëtori i parë i degës.
Më vonë, duke folur për zyrën e re të degës dhe për rritjen e vazhdueshme të numrit të lajmëtarëve, vëlla Nori shkroi kështu në një raport për Zelandën e Re: «Të gjithë ishin të gatshëm të merrnin përsipër përgjegjësi të reja që të mbështetnin degën dhe po ndjekin drejtimin e saj.»
Më 8-9 mars 1947, vëllezërit Nor dhe Henshel mbajtën fjalime gjatë një asambleje speciale që paradite u zhvillua në bashkinë e qytetit të Uellingtonit, kurse pasdite në një universitet teknik aty afër. Për këtë rast ishin të pranishëm thuajse 500 vëllezër e motra.
Motër Beril Todi, 17 vjeçe në atë kohë, kujton: «Ishte asambleja më e madhe që kisha ndjekur ndonjëherë dhe ndjeva një emocion të paparë që kishim vëlla Norin mes nesh.» Një nga vëllezërit që u pagëzuan atë ditë në një pishinë publike aty afër ishte Klajd Kenti, i cili më vonë shërbeu si koordinatori i degës së Zelandës së Re.
Më 10 mars 1947, u mblodhën edhe 300 të tjerë në Oklend për të dëgjuar fjalimet e vëllezërve Nor, Henshel dhe Lazenbaj. Vëlla Nori raportoi se shihte potencial për rritje të mëtejshme në Zelandën e Re. Ai tha: «Jam i bindur se këtu do të ketë rritje. Potenciali i këtij territori është i jashtëzakonshëm.»
Fjalët e vëlla Norit dolën të vërteta. Gjatë tetë viteve pasuese, numri i lajmëtarëve në Zelandën e Re u rrit rreth 18 për qind. Në vitin 1955, atje ishin 2.519 lajmëtarë. Në vitin 1989, numri i lajmëtarëve arriti në 10.000.
I jemi mirënjohës Jehovait që ka ndihmuar vëllezërit tanë të themelojnë ligjërisht lajmin e mirë në Zelandën e Re.—Filipianëve 1:7.