3 TETOR 2023
ZIMBABVE
75-vjetori i zyrës së degës në Zimbabve
Shtatori i vitit 2023, shënon 75-vjetorin e zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Zimbabve. Aktualisht, godinat e degës ndodhen në Harare, kryeqyteti i Zimbabves.
Kur Dëshmitarët e Jehovait filluan të predikonin në Zimbabve, aktivitetet teokratike organizoheshin nga zyra e degës në Afrikën e Jugut. Më 1932, dega e Afrikës së Jugut dërgoi 4 pionierë në një fushatë predikimi në Zimbabve, që në atë kohë njihej si Rodezia Jugore. Pa kaluar shumë, vepra mori një hov të paparë.
Në nëntor të 1940-s, për shkak të nacionalizmit dhe histerisë së luftës, importi dhe shpërndarja e botimeve tona u ndalua. Shumë nga vëllezërit tanë u burgosën ngaqë mbajtën asnjanësinë e krishterë gjatë atyre viteve. Prapëseprapë, vëllezërit vazhduan të predikonin lajmin e mirë me maturi dhe korrën rezultate të shkëlqyera. Ndalimi u hoq 6 vjet më vonë. Pak pas kësaj, numri i lajmëtarëve në vend ishte rritur më shumë se trefish dhe kishte arritur shifrën 3.500.
Për të mbështetur veprën gjithnjë e në rritje, më 1 shtator 1948 u hap një zyrë dege në Bulavajo, qyteti i dytë më i madh në Zimbabve. Vëllai Erik Kuk u emërua si shërbëtori i parë i degës. Më vonë, në degën e Zimbabves u caktuan Xhorxh e Rubi Bradli, Filisa Kajti dhe Mërtëll Tejlori, misionarë të stërvitur në Galad.
Përgjatë dekadave vijuese, numri i lajmëtarëve në Zimbabve rritej vazhdimisht. Si rezultat, u blenë disa godina të reja për degën, që të mbështetnin veprën që rritej dita-ditës.
Kompleksi aktual i degës u ndërtua në Harare dhe u kushtua në dhjetor të 1998-s. Zyra e degës mbikëqyr veprën e përkthimit për 7 gjuhë dhe kujdeset për 960 kongregacionet në territorin e saj. Në këtë vend shërbejnë mbi 46.000 vëllezër e motra dhe, në vitin 2023, 120.702 ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.
Gëzojmë kur shohim rritjen e vazhdueshme në Zimbabve, e cila vërteton se ‘sytë e Jehovait dhe zemra e tij do të jenë përgjithmonë’ me ata që i qëndrojnë besnikë.—2 Kronikave 7:16.