Kalo te përmbajtja

24 TETOR 2023
ZIMBABVE

Dëshmi publike në Ekspozitën Agrikulturore 2023 në Zimbabve

Dëshmi publike në Ekspozitën Agrikulturore 2023 në Zimbabve

Nga data 28 gusht deri më 2 shtator 2023, në Harare, Zimbabve, u mbajt Ekspozita Agrikulturore. Në këtë ekspozitë ndërkombëtare kishte mbi 500 pjesëmarrës dhe erdhën më shumë se 250.000 vizitorë. Vëllezërit e motrat në atë zonë ngritën një kënd me literaturë në gjuhët angleze, ndebele (zimbabviane) dhe shone. 79 vëllezërit e motrat që morën pjesë, shpërndanë afro 6.300 botime, dhe 116 veta kërkuan të studionin Biblën me ne.

Një adoleshent që quhet Tamuka u afrua te këndi ynë i literaturës, sepse i tërhoqën vëmendjen librat Të rinjtë pyesin...Përgjigje praktike, vëllimi 1 dhe 2. Por kur mori vesh se Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë kurse interaktive të Biblës, pa asnjë pagesë, ai pyeti tërë entuziazëm: «A mund të më tregoni më shumë për këtë kurs të Biblës?» Kur pa si zhvillohej kursi me broshurën Gëzoje jetën përgjithmonë, kërkoi një studim. Një vëlla në zonën e tij la takim të vazhdonte studimin me Tamukën.

Një burrë u afrua te këndi ynë dhe tha se i bënte shumë përshtypje përulësia e Dëshmitarëve dhe mënyra si predikojnë. Një vëlla i lexoi Mateun 28:19, 20 dhe i shpjegoi se Dëshmitarët e Jehovait e marrin seriozisht urdhrin e Jezuit për t’ua treguar të tjerëve mesazhin e Biblës. Burri tha se do të donte të kishte të njëjtin guxim. Vëllai i ofroi një studim të Biblës dhe burri pranoi me kënaqësi.

Një grua në ekspozitë shprehu vlerësim për sjelljen e mirë të Dëshmitarëve të Jehovait dhe për modestinë që tregojnë. Vëllezërit i shpjeguan se studimi i Fjalës së Perëndisë dhe zbatimi i asaj që mësojnë, i ndihmon t’i shfaqin këto cilësi. Pastaj një motër i tregoi gruas si studiohet Bibla me ndihmën e broshurës Gëzoje jetën përgjithmonë. Gruaja u mrekullua edhe kur pa shumëllojshmërinë e botimeve që vëmë në dispozicion falas, përfshirë botimet për familjen dhe të rinjtë. Pasi mori disa botime dhe një Bibël, ajo pranoi të studionte Biblën dhe tha: «Kjo është dhurata më e bukur që kam marrë ndonjëherë!»

Vëllezërit e motrat dëshmuan edhe në mënyrë joformale gjatë ekspozitës. Një vëlla hyri në bisedë me një grua që po kujdesej për këndin e saj në ekspozitë. Më vonë po atë ditë, vëllai foli përsëri me atë grua dhe i ofroi një Bibël dhe disa botime. Ajo i pranoi me shumë kënaqësi dhe i shpjegoi se ishte përpjekur të gjente një Bibël, por nuk ia kishte dalë. Pastaj dha informacionet e kontaktit që një motër ta vizitonte më vonë.

Duke përshkruar ndjenjat e saj pasi mori pjesë në ekspozitë, një motër që quhet Ranganai tha: «Vitin e kaluar, për shkak të problemeve me shëndetin, e kam pasur të vështirë të marr pjesë plotësisht në shërbim, siç do të kisha dashur. Por kam mësuar të shoh bekimet edhe mes vështirësive. Mundësia për të bërë pjesën time në këtë event është një nga këto bekime. Ekspozita më dha sigurinë dhe inkurajimin që më duhej.»

Këto eksperienca na gëzojnë zemrën dhe na bëjnë krenarë që shërbejmë krah për krah me vëllezërit e motrat në Zimbabve si «bashkëpunëtorë të Perëndisë».—1 Korintasve 3:9.