Kalo te përmbajtja

14 PRILL 2023
ZIMBABVE

«Dritë» në jetën e të verbërve në Zimbabve

«Dritë» në jetën e të verbërve në Zimbabve

Në fillim të vitit, zyra e degës në Zimbabve mori letra mirënjohjeje nga 2 institucione kombëtare: Qendra Dorothy Duncan për të Verbrit dhe për Invalidët dhe Universiteti i Zimbabvesë. Arsyeja ishte për ta falënderuar që u dhuroi këtyre 2 institucioneve disa kopje të Përkthimit Bota e Re dhe botime të tjera të bazuara në Bibël në gjuhën braili. Ndër të tjera, Universiteti i Zimbabvesë shkroi: «Dhurimet tuaja do t’i edukojnë studentët tanë që të jenë njerëz të moralshëm. Po i ndihmoni vërtet njerëzit, ndaj ju jemi thellësisht mirënjohës.»

Çiftet e pionierëve specialë që janë caktuar të ndihmojnë të verbrit dhe ata me probleme shikimi. Majtas: vëlla Uillard Mazarura me të shoqen, Niembezin. Djathtas: vëlla Thungulul Nkube me të shoqen, Eunisën

Dhurimi i botimeve ishte veçse një nga përpjekjet më të fundit që ka bërë zyra e degës për më shumë se 10.000 të verbër dhe persona me probleme shikimi në Zimbabve. Më 2017 dega organizoi një fushatë speciale predikimi për njerëzit e këtij komuniteti. Ndër të tjera caktoi 2 çifte pionierësh specialë për të ndihmuar lajmëtarët që të jenë më të efektshëm ndërsa i predikojnë këtij komuniteti. Si rrjedhojë, deri më sot, 46 veta kanë nisur të studiojnë Biblën dhe 3 veta janë pagëzuar.

Ndër ata që u pagëzuan ishte dhe motër Mejvis Çaja. Atë e kontaktuan në vitin 2021 nëpërmjet dëshmisë me telefon. Mejvisi ishte munduar të gjente shërim tek ata që shërojnë nëpërmjet besimit, por iu shuan të gjitha shpresat kur përpjekjet e tyre dështuan. Ama, kur mësoi për premtimin e Biblës se të verbrit do të shohin sërish në botën e re, iu rizgjuan shpresat. Nisi të studionte 2 herë në javë dhe u pagëzua në prill 2022.

Teksa mezi presim kohën kur Jehovai t’u rikthejë shikimin të verbërve, na gëzon zemra ndërsa shohim si ‘i jep dritë dhe i ndriçon mendjen’ që sot kujtdo që e kërkon.—Psalmi 119:130.