22 MAJ 2024
ZIMBABVE
Fushatë speciale predikimi në Zimbabve
Nga data 13 prill deri më 27 prill 2024, Dëshmitarë të Jehovait në gjithë Zimbabven morën pjesë në një fushatë predikimi në gjuhën çitonge (Zimbabve). Shumica e thuajse 300.000 vetave që flasin çitonge (Zimbabve) jetojnë në zona rurale të Rajonit të Bingës, që ndodhet në veriperëndim të Zimbabves. Nuk është e lehtë të flasësh me të gjithë ata që jetojnë në këtë zonë, pasi ka vetëm 300 Dëshmitarë që shërbejnë në 8 kongregacione të gjuhës çitonge (Zimbabve).
Fushata pati rezultate të shkëlqyera. Në një kongregacion, 77 të interesuar ndoqën mbledhjen që në fundjavën e parë të fushatës. Fundjavën tjetër, mbledhjen e ndoqën 126 të interesuar. Në total, u filluan më shumë se 2.000 studime të Biblës.
Në një rast, vëllezërit po i afroheshin një shtëpie dhe i përshëndeti një grua me fëmijët e saj. Lajmëtarët e pyetën nëse mund të flitnin me kreun e shtëpisë. Kur bashkëshorti i gruas erdhi, u prezantua si kreu i fshatit. Iu bë shumë qejfi që vëllezërit e kishin respektuar duke kërkuar të flitnin në fillim me të, prandaj u tregoi kopjen e tij të Biblës në çitonge (Zimbabve). Pastaj vëllezërit i treguan si bëhet një studim i Biblës dhe u organizuan ta vazhdonin. Burri u dha leje që të predikonin edhe në shtëpitë e tjera që ishin nën mbikëqyrjen e tij.
Dy vëllezër që po predikonin në një qytezë, takuan një burrë që u tha se ishte Dëshmitar i Jehovait. Ai shpjegoi se Dëshmitarët kishin folur me babanë e tij në vitin 1993. Babai i tij kishte nisur të studionte Biblën, por i kishte humbur kontaktet me Dëshmitarët pasi familja e tij ishte shpërngulur disa herë. Ditën tjetër, nga dëshira për ta takuar babanë e burrit, vëllezërit ecën një orë e gjysmë në këmbë deri te shtëpia e familjes. Babai ishte shumë i emocionuar dhe u tha se, bashkë me gruan, ishte lutur pak çaste më parë që Dëshmitarët të shkonin e t’i takonin. Gjithë familja filloi të studionte Biblën dhe mori pjesë në mbledhjen e mesjavës. Gjithashtu kishin marrë me vete edhe një komshi.
Një motër që quhet Alisia takoi një grua të moshuar që e pranoi menjëherë ftesën për të ndjekur një mbledhje kongregacioni. Kur Alisia shkoi për ta marrë, gruaja po e priste dhe kishte ftuar edhe një shoqen e saj. Pas mbledhjes, gruaja e moshuar tha: «S’ka pikë dyshimi që Perëndia është me ju. Nga dashuria dhe mikpritja e ngrohtë që më treguan, dua të vij prapë.»
Edhe ne jemi të kënaqur për rezultatet e bukura të kësaj fushate. Kjo na kujton se përpjekjet ‘për të mbjellë farën’ me zell në çdo cep të tokës, do të kenë sukses.—Eklisiastiu 11:6.