Kalo te përmbajtja

20 PRILL 2022
ZIMBABVE

Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çitonge (Zimbabve)

Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çitonge (Zimbabve)

Më 10 prill 2022, vëlla Xhon Hunguka, një anëtar i Komitetit të Degës të Zimbabves, prezantoi versionin dixhital të Shkrimeve të Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çitonge (Zimbabve). Programin e regjistruar paraprakisht e ndoqën rreth 500 veta. Botimi i shtypur do të jetë në dispozicion në korrik 2022.

Gjuha çitonge flitet kryesisht nga populli tongan, të cilët jetojnë në provincat jugore dhe perëndimore të Zambies dhe në veri të Zimbabves. Në vitin 2014, Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re u prezantuan në çitonge, një gjuhë e ngjashme që flitet në Zambie. Kjo është hera e parë që përkthehet dhe botohet një Bibël në gjuhën çitonge (Zimbabve). Para kësaj, ata që flitnin gjuhën çitonge (Zimbabve), duhej të përdornin botimin në gjuhën çitonge që flitet në Zambie.

Megjithëse gjuha çitonge e Zambies dhe çitonge (Zimbabve) janë të ngjashme, ka edhe ndryshime rrënjësore në kuptimet e disa fjalëve dhe shprehjeve. Për shembull, te Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çitonge të Zambies, 1 Gjonit 3:17 thotë se një i krishterë duhet të tregojë dhembshuri për një vëlla «në nevojë». Kurse në gjuhën çitonge (Zimbabve), e njëjta shprehje ka kuptimin se vëllai është «i çmendur». Skuadra e përkthimit zgjodhi fjalët e duhura që të përcillte kuptimin e qartë për auditorin përkatës.

Disa nga godinat e Zyrës Rajonale të Përkthimit për gjuhën çitonge (Zimbabve) në Bingë, Zimbabve

Një nga përkthyesit tha: «Në të kaluarën, në shërbim më duhej shumë kohë që t’i shpjegoja të zotit të shtëpisë fjalët në vargjet që i lexoja. Kurse tani unë thjesht lexoj vargun dhe lejoj Fjalën e Perëndisë të flasë.»

Gëzojmë bashkë me vëllezërit e motrat që flasin gjuhën çitonge (Zimbabve) që tani mund të përdorin përkthimin e ri, për t’u treguar «shtegun e jetës» më shumë njerëzve me zemër të sinqertë.—Psalmi 16:11.