Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

A është flirtimi zbavitje e padëmshme?

A është flirtimi zbavitje e padëmshme?

 Çfarë është flirtimi?

 Disa njerëz mendojnë se të flirtosh do të thotë të lësh përshtypje me fjalë a veprime se të pëlqen dikush i seksit tjetër. A është e gabuar të shfaqësh interes romantik për dikë? Jo medoemos. Një e re me emrin Ana, thotë: «Nëse je aq i rritur sa të krijosh një lidhje dhe të pëlqen dikush, si ta zbulosh ndryshe nëse edhe tjetri ndihet po njësoj?»

 Megjithatë, në këtë artikull do të flasim për atë lloj flirtimi që përfshin interesin romantik kur nuk ke qëllime serioze.

 «Një gjë është t’i kushtosh vëmendje të veçantë dikujt sepse dëshiron të fillosh një lidhje romantike dhe komplet tjetër ta bësh dikë të ëndërrojë se ke diçka me të e pastaj t’ia shuash ëndrrat, sepse s’e ke pasur kurrë seriozisht.»​—Dina.

 Pse flirtojnë disa?

 Disa flirtojnë vetëm për të rritur vetëvlerësimin. «Kur e kupton se mund të tërheqësh këtë lloj vëmendjeje, do më shumë»,—thotë një e re me emrin Hejli.

 Por, nëse qëllimisht lë përshtypjen se të pëlqen dikush kur nuk është e vërtetë, po tregon se i shpërfill në mënyrë të pashpirt ndjenjat e tjetrit. Gjithashtu po vë në pikëpyetje mençurinë tënde. Bibla thotë: «Marrëzia është gëzim për atë që ka një zemër pa gjykim të mirë.»​—Proverbat 15:21.

 Jo më kot, Hejli arrin në këtë përfundim: «Flirtimi mund të fillojë si zbavitje e padëmshme, por fundi mund të jetë i rrezikshëm.»

 Cilat janë rreziqet?

  •   Flirtimi të prish reputacionin

     «Kush flirton, lë përshtypje si i pasigurt dhe i papjekur. Kur një vajzë flirton, e ndiej se nuk po tregohet e sinqertë, thjesht po përpiqet të përfitojë nga unë.»​—Xheremi.

     Bibla thotë: «Dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta.»​—1 Korintasve 13:​4, 5.

     Për të menduar: për shkak të cilave fjalë a veprime mund të krijosh reputacion si flirtues?

  •   Flirtimi lëndon personin tjetër

     «Nëse takoj një flirtues, nuk dua të shoqërohem me të. Më duket sikur më flet vetëm se jam gocë. Njerëzit që flirtojnë nuk interesohen vërtet për mua; duan vetëm të ndihen mirë vetë.»​—Zhaklina.

     Bibla thotë: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.»​—1 Korintasve 10:24.

     Për të menduar: a të ka dhënë dikush shkak për të besuar se i pëlqeje, por pastaj kuptove se gaboheshe? Nëse po, si u ndjeve? Si të mos i lëndosh ti të tjerët në këtë mënyrë?

  •   Flirtimi pakëson mundësitë për një lidhje të sinqertë në të ardhmen

     «Askujt nuk do t’i pëlqente të martohej, madje as të dilte me një flirtues. Si mund ta njoh a t’i besoj vërtet dikujt nëse po shtiret?»​—Olivia.

     Në Bibël, psalmisti David thotë: «Nuk përzihem me njerëz që e fshehin se ç’janë.»​—Psalmi 26:4.

     Për të menduar: ç’lloj personi tërheq një flirtues? Këta lloj njerëzish do ti që të tërheqësh?