Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Ç’të themi për betimin e virgjërisë?

Ç’të themi për betimin e virgjërisë?

 Çfarë është betimi i virgjërisë?

 Betimi i virgjërisë është një premtim me shkrim ose me gojë për të mos kryer marrëdhënie seksuale para martese.

 Betimi i virgjërisë u përhap në vitet 90 kur Kuvendi i Baptistëve Jugorë në Shtetet e Bashkuara nxori programin «Dashuria e vërtetë pret», i cili ndërthurte vlerat e Biblës me nxitjen qëllimmirë të të rinjve te bashkëmoshatarët që t’i thoshin jo seksit para martese.

 Pak pas kësaj filloi një program i ngjashëm, që përfshinte ceremoni ku pjesëmarrësve që bënin betimin u jepej një unazë argjendi që simbolizonte (dhe u kujtonte) premtimin: jo seks para martese.

 A vlen betimi i virgjërisë?

 Varet se kë pyet.

  •   Sipas studiuesve Kristina K. Kim dhe Robert Rektori «studime të ndryshme kanë zbuluar se betimi i virgjërisë nga adoleshentët vononte ose pakësonte aktivitetin e tyre seksual».

  •   Kurse kërkimet e publikuara nga Instituti Gutmaker, tregojnë se «adoleshentët që bëjnë ‘betimin e virgjërisë’ ka po aq të ngjarë të kryejnë marrëdhënie seksuale sa ata që nuk bëjnë betimin».

 Pse këto rezultate kontradiktore?

  •   Ca studime krahasojnë disa që kanë bërë betimin me disa që nuk e kanë bërë betimin të cilët nuk kanë të njëjtën pikëpamje për seksin si grupi i parë.

  •   Studime të tjera krahasojnë disa që kanë bërë betimin me disa që nuk e kanë bërë betimin, por që kanë të njëjtën pikëpamje për seksin.

 Çfarë zbuloi lloji i dytë i studimit? Dr.  Zhanetë Rozenbaumi, specialiste për shëndetin e adoleshentëve, thotë se pas 5 vjetësh «nuk ka asnjë dallim midis sjelljes seksuale të atyre që bëjnë betimin dhe të atyre që nuk e bëjnë këtë betim».

 Një alternativë më e mirë

 Programet për betimin e virgjërisë kanë qëllime fisnike. Por jo medoemos rrënjosin vlerat e nevojshme që të mbahet premtimi. Shumë nga ata që premtojnë se do të ruajnë virgjërinë, sipas dr. Rozenbaumit, «nuk e marrin seriozisht betimin. Kush përmbahet nga marrëdhëniet seksuale, e bën sepse është i bindur vetë jo sepse merr pjesë në ndonjë program».

 Bibla nxit këtë lloj bindjeje, jo duke i urdhëruar njerëzit të bëjnë një betim me shkrim ose me gojë, por duke i ndihmuar ‘t’i kenë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’. (Hebrenjve 5:​14) Në fund të fundit, virgjëria nuk ruhet vetëm për të shmangur sëmundjet dhe shtatzëninë. Ajo është një mënyrë për të nderuar Krijuesin e martesës.​—Mateu 5:​19; 19:​4-6.

 Normat e vendosura në Bibël janë për të mirën tonë. (Isaia 48:17) Të gjithë njerëzit, pavarësisht nga mosha, mund të zhvillojnë forcën e duhur të karakterit që t’i binden urdhërimit të Perëndisë ‘për të ikur nga kurvëria’. (1 Korintasve 6:​18) Kur të martohen, do të shijojnë plotësisht intimitetin seksual, pa telashet dhe keqardhjet që vijnë si pasojë e seksit paramartesor.