Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Ç’të bëj nëse e kam inat shkollën?

Ç’të bëj nëse e kam inat shkollën?

 Mësues striktë. Presion nga moshatarët. Provime stresuese dhe një mal me detyra. Prandaj, nëse thua se nuk të pëlqen shkolla, kuptohet pse. a Një adoleshente që quhet Rejçëll b thotë:

 «Do të doja të isha kudo tjetër, vetëm në shkollë jo. Do të preferoja të isha në plazh ose me miqtë e mi, madje edhe duke ndihmuar prindërit për të gatuar ose për të pastruar.»

 Nëse ndihesh si Rejçëll, vitet e shkollës mbase të duken si një dënim me burg. Sikur s’ke rrugë tjetër veçse të durosh derisa ta kryesh «dënimin». Por, a mund ta shohësh nga një këndvështrim më pozitiv periudhën e shkollës?

 A e dije? Po të zhvillosh një pikëpamje më pozitive për shkollën, kjo do të të ndihmojë të mos jesh viktimë e situatës e të mos e shohësh më shkollën si provë nervash, por si një mjet që mund ta shfrytëzosh për të përmirësuar aftësi që do të të duhen kur të rritesh.

 Që të kesh një pikëpamje më pozitive për shkollën, përpiqu të përqendrohesh tek aspektet e mëposhtme:

 Arsimimi. Sa më shumë të mësosh, aq më i aftë do të jesh për të zgjidhur vetë problemet që do të hasësh në punë dhe në fusha të tjera të jetës, në vend që të varesh gjithmonë nga të tjerët. Pyet veten: «Edhe pse ka gjëra që nuk më pëlqejnë nga shkolla, çfarë po përfitoj nga arsimimi që më siguron ajo?»

 Parim nga Bibla: «Ruaje mençurinë praktike dhe aftësinë për të menduar mirë.»—Proverbat 3:21.

 Për më shumë informacion, shih artikullin «Çfarë të bëj nëse po ngel në shkollë?»

 Zakonet. Programi i shkollës mund të të mësojë si ta menaxhosh kohën, si të kesh vetëdisiplinë dhe si të zhvillosh etikë të mirë pune—aftësi që do të të duhen kur të rritesh. Pyet veten: «Si po më ndihmon programi i shkollës të kem vetëdisiplinë dhe të jem punëtor i palodhur? Çfarë përmirësimesh mund të bëj në këto fusha?»

 Parim nga Bibla: «Çdo punë e palodhur sjell dobi.»—Proverbat 14:23.

 Për më shumë informacion, shih artikullin «Si ta menaxhoj kohën?»

 Aftësitë sociale. Ndërveprimi me shokët dhe shoqet e klasës mund të të ndihmojë të zhvillosh empati dhe respekt për të tjerët. Një i ri që quhet Xhoshua thotë: «Të mësosh të komunikosh me të tjerët është po aq e rëndësishme sa të mësosh historinë ose lëndët shkencore. Është një aftësi që do të të duhet për gjithë jetën.» Pyet veten: «Çfarë kam mësuar në shkollë që do të më ndihmojë të shkoj mirë me të tjerët, edhe me ata që kanë prejardhje ose bindje ndryshe nga të miat?»

 Parim nga Bibla: «Ndiqni udhën e paqes me të gjithë.»—Hebrenjve 12:14.

 Për më shumë informacion, shih artikullin «Si t’i përmirësoj aftësitë komunikuese?»

 E ardhmja. Shkolla mund të të ndihmojë të dallosh për çfarë je i prirur dhe të vendosësh synime në përputhje me këtë. Një e re që quhet Bruk thotë: «Disa shkolla, si ajo që kam bërë edhe unë, të përgatisin në një fushë specifike, dhe kështu je i kualifikuar për një punë sapo të mbarosh shkollën.» Pyet veten: «Si do ta mbaj veten pasi të mbaroj shkollën? Çfarë të studioj që të jem i përgatitur për atë lloj pune?»

 Parim nga Bibla: «Mendohu mirë për atë që do të bësh.»—Proverbat 4:26, Bibla ECM.

a Shumë nga parimet e diskutuara në këtë artikull janë ndihmë edhe për të rinjtë që shkollohen në shtëpi.

b Disa emra janë ndryshuar.