TË RINJTË PYESIN
Mësimi online—Si ta menaxhoj këtë situatë të re?
Në këtë periudhë, shumë nxënës po marrin mësime në një «klasë» tjetër, në shtëpinë e tyre. Nëse po ndodh kështu edhe me ty, si të nxjerrësh më të mirën nga kjo situatë? Ja disa sugjerime. a
Pesë sugjerime
Organizoje ditën. Përpiqu të mbash një program të rregullt, siç do të bëje po të shkoje në shkollë. Planifiko kur do të merresh me mësimet, punët e shtëpisë ose me gjëra të tjera të rëndësishme. Gjithsesi, herë pas here mund ta përshtatësh programin sipas nevojës.
Parim nga Bibla: «Çdo gjë le të bëhet . . . me rregull.»—1 Korintasve 14:40.
«Organizoje ditën sikur të ishe në shkollë. Disa gjëra duhet t’i mbarosh brenda një kohe të caktuar.»—Keti.
Për të menduar: Pse do të ishte ide e mirë ta shkruaje programin dhe ta vendosje në një vend të dukshëm?
Kultivo vetëdisiplinë. Pjesë e rritjes është të kuptosh se diçka duhet bërë edhe kur nuk ta ka qejfi. Mos e zvarrit!
Parim nga Bibla: «Jini të papërtuar (të palodhur; të zellshëm) në punët tuaja.»—Romakëve 12:11, shënimi.
«Vetëdisiplinimi është gjëja më e vështirë. Është kollaj të nxjerrësh justifikime e të thuash: ‘Do t’i bëj pastaj.’ E si përfundim nuk i bën dhe të ngelen mbrapa një mal me gjëra.»—Aleksandra.
Për të menduar: Pse forcohet vetëdisiplinimi po t’i bësh mësimet në të njëjtin vend e në të njëjtën orë çdo ditë?
Krijo një vend studimi. Vendos pranë vetes çdo gjë që të duhet. Bëje të rehatshëm ambientin ku do të mësosh, por jo tepër. Të duhet për të mësuar, jo për të marrë një sy gjumë! Nëse nuk ke një vend kastile për këtë punë, mund të përdorësh kuzhinën ose një dhomë gjumi.
Parim nga Bibla: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri sukses.»—Proverbat 21:5.
«Lëri videolojërat, topin e basketbollit, kitarën dhe hiqja zilen celularit. Një ambient pa shpërqendrime është esencial.»—Elizabeta.
Për të menduar: Çfarë ndryshimesh mund të bësh te vendi i studimit që të përqendrohesh sa më mirë?
Mëso të përqendrohesh. Përqendrohu tek ajo që ke në dorë dhe mos bëj shumë gjëra njëherësh, sepse ka më shumë mundësi të gabosh dhe të harxhosh më tepër kohë.
Parim nga Bibla: «[Shfrytëzoje] sa më mirë kohën.»—Efesianëve 5:16.
«E kisha gati të pamundur të përqendrohesha kur e mbaja telefonin afër. Më ikte gjithë ajo kohë me gjëra koti.»—Olivia.
Për të menduar: A mund ta shtosh gradualisht kohën e përqendrimit në një detyrë të caktuar?
Bëj pauza. Dil për një ecje, për një xhiro me biçikletë ose bëj pak fizkulturë. Edhe një hobi mund të të karikojë. Në lidhje me këtë, libri School Power thotë: «Por më parë, mbaro çfarë ke në dorë. Koha e lirë shijohet më shumë kur ke mbaruar çdo gjë.»
Parim nga Bibla: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, sesa dy grushte me mund dhe të rropatesh pas erës.»—Eklisiastiu 4:6.
«Zakonisht në shkollë mund të marrësh mësime muzike ose pikture. S’ua ndieja lezetin deri në momentin që nuk i kisha më. Është mirë t’i ndërthurësh mësimet me diçka kreative.»—Tejlori.
Për të menduar: Çfarë mund të bësh që të karikohesh për të studiuar përsëri?
a Meqë ka mënyra të shumta të mësimit online ose në distancë, ndiq ato sugjerime që përshtaten me situatën tënde.