TË RINJTË PYESIN
Pse të pajtohem me motrën ose vëllanë?
«Miq dhe armiq»
Motrat dhe vëllezërit janë quajtur ‘miqtë dhe armiqtë më të thekur që mund të gjenden’. I do dhe të duan shumë, por ndonjëherë thjesht nuk arrini të shkoni mirë me njëri-tjetrin. Elena 18-vjeçare thotë: «Vëllai i vogël më mërzit. Ai thotë ose bën pikërisht gjërat që më acarojnë.»
Disa mosmarrëveshje me motrën ose vëllanë mund të zgjidhen thjesht duke folur e duke bashkëpunuar. Për shembull:
Dy vëllezër që jetojnë në të njëjtën dhomë mund të zihen për privatësinë. Zgjidhja? Mësoni të bëni kompromis dhe t’i lini hapësirën e nevojshme njëri-tjetrit. Zbatoni parimin biblik që gjendet te Luka 6:31.
Dy motra mund «t’i marrin hua» rrobat e njëra-tjetrës pa pyetur. Zgjidhja? Bisedoni për këtë dhe vini kufij të arsyeshëm. Zbatoni parimin biblik që gjendet te 2 Timoteut 2:24.
Në disa raste, problemet me motrën ose vëllanë janë më të mëdha dhe mund të kenë pasoja të rënda. Ja dy shembuj nga Bibla:
Miriami dhe Aaroni ishin xhelozë për vëllanë tjetër, Moisiun, dhe kjo solli pasoja tragjike. Lexo historinë e tyre te Numrat 12:1-15. Pastaj pyet veten: «Ç’mund të më ndihmojë të mos jem xheloz për motrën a vëllanë?»
Inati i Kainit u shtua deri aty sa vrau të vëllanë, Abelin. Lexo tregimin te Zanafilla 4:1-12. Pastaj pyet veten: «Si ta frenoj inatin në marrëdhëniet me motrën ose vëllanë?»
Dy arsye për t’u pajtuar
Pavarësisht sesa e vështirë është të shkosh mirë me motrën a vëllanë, ka të paktën dy arsye pse ia vlen të përpiqesh.
Tregon pjekuri. Një i ri me emrin Aleks, thotë: «Më ngriheshin shpejt nervat me dy motrat e vogla. Tani jam goxha më i qetë dhe më i duruar me to. Le të themi se jam rritur.»
Bibla pohon: «Kush nuk zemërohet shpejt, është plot aftësi dalluese, por kush është i paduruar, lartëson marrëzinë.»—Proverbat 14:29.
Stërvitesh mirë për të ardhmen. Nëse nuk i toleron papërsosmëritë e motrës a të vëllait, si do t’ia bësh me bashkëshortin, me shokët e punës, me punëdhënësin apo me ndonjë tjetër që do të të lidhë puna në të ardhmen?
Fakt: Suksesi i marrëdhënieve të tua në të ardhmen do të varet nga aftësia për të komunikuar e për të bashkëpunuar, dhe s’ka vend më të mirë sesa në familje për të zhvilluar aftësi të tilla.
Bibla thotë: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë.»—Romakëve 12:18.
A do të doje ndihmë për të zgjidhur problemet me motrën a vëllanë? Lexo pjesën «Ja ç’thonë moshatarët e tu» e më pas shih fletën e punës shoqëruese «Të shkosh mirë me motrën a vëllanë».