Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Ç’duhet të di për sulmet seksuale?—Pjesa 1: Masa parandaluese

Ç’duhet të di për sulmet seksuale?—Pjesa 1: Masa parandaluese

 Çfarë është një sulm seksual?

 Megjithëse përkufizimet ligjore ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, në kuptimin e përgjithshëm, shprehja «sulm seksual» mund t’i referohet kontaktit seksual të padëshiruar, ndonjëherë me forcë. Mund të përfshijë abuzimin seksual ndaj një fëmije ose adoleshenti, incestin, përdhunimin dhe shfrytëzimin seksual nga një «specialist i besueshëm»​—mbase një mjek, mësues ose klerik. Disa viktima, pavarësisht nëse sulmohen me fjalë ose fizikisht, i kërcënojnë nëse tregojnë.

 Sipas një sondazhi, çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara pothuajse 250 mijë veta raportojnë se janë sulmuar seksualisht. Gati gjysma e tyre janë të moshave 12 deri në 18 vjeç.

 Çfarë duhet të dish?

  •   Bibla i dënon sulmet seksuale. Bibla flet për një turmë të marrosur pas seksit që u orvat të përdhunonte dy burra, të cilët po vizitonin qytetin e Sodomës rreth 4.000 vjet më parë​—ngjarje që thekson pse Jehovai e shkatërroi atë qytet. (Zanafilla 19:4-13) Përveç kësaj, Ligji që iu dha Moisiut rreth 3.500 vjet më parë e ndalonte incestin, përfshirë edhe sulmet seksuale ndaj një familjari.​—Levitiku 18:6.

  •   Shumë sulme i kryejnë të njohur të viktimave. Libri Talking Sex With Your Kids thotë: «Në çdo tri përdhunime, dy kryhen nga të njohur të viktimave. Ata nuk janë të huaj që dalin nga hiçi.»

  •   Sulmet seksuale prekin të dyja gjinitë. Në Shtetet e Bashkuara, rreth 10 për qind e viktimave janë meshkuj. Sipas organizatës Rape, Abuse & Incest National Network (RAINN), viktimat meshkuj «mund të kenë frikë se mos bëhen homoseksualë nga një sulm i tillë» ose «zhburrnohen».

  •   Nuk është për t’u habitur pse janë kaq të përhapura sulmet seksuale. Bibla ka parathënë se në «ditët e fundit» shumë njerëz do të ishin «pa përzemërsi të natyrshme», «të egër» dhe «pa vetëkontroll». (2 Timoteut 3:​1-3) Këto tipare i shfaqin qartazi ata që përpiqen të përfitojnë seksualisht nga të tjerët.

  •   Sulmet seksuale nuk ndodhin për faj të viktimës. Askush nuk e meriton të jetë viktimë e sulmeve seksuale. Fajin e ka vetëm ai që kryen sulmin. Sidoqoftë, mund të marrësh masa që të zvogëlosh rrezikun e një sulmi seksual.

 Çfarë mund të bësh?

  •   Ji i përgatitur. Planifiko më përpara se ç’do të bësh nëse dikush​—qoftë edhe personi me të cilin po njihesh ose një i afërm​—orvatet të të bëjë presion për marrëdhënie seksuale. Erina, një e re, thotë se, që të përgatitesh për çdo lloj situate ku mund të hasësh presion nga bashkëmoshatarët, imagjino rrethanat ku mund të gjendesh dhe si do të reagosh. «Mund të duket gjë koti, por nëse ndodhesh në një situatë të tillë, do të kesh më pak gjasa të biesh viktimë»,​—thotë ajo.

     Bibla thotë: «Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, . . . sepse ditët janë të liga.»​—Efesianëve 5:​15, 16.

     Pyet veten: «Si do të veproja nëse dikush do të më prekte në një mënyrë që do të më vinte në siklet?»

  •   Ki një plan për t’u larguar. Organizata RAINN rekomandon «të kesh një fjalë sekrete që, kur të mos ndihesh rehat, t’u telefonosh miqve ose familjarëve e ta përdorësh që ta kuptojnë ata dhe jo personi me të cilin je. Më pas, ata mund të vijnë të të marrin ose të nxjerrin justifikim që të largohesh.» Mund t’i kursesh vetes shumë dhembje duke i shmangur që në fillim situatat e rrezikshme.

     Çfarë thotë Bibla: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.»​—Proverbat 22:3.

     Pyet veten: «Çfarë plani kam për t’u larguar?»

    Ki gjithmonë një plan për t’u larguar

  •   Vendos kufij​—dhe përmbaju atyre. Për shembull, nëse po njihesh me dikë, ti dhe personi tjetër diskutoni se cila sjellje është e përshtatshme ose jo. Nëse ai ose ajo mendon se është budallallëk të vendosësh kufij, ke nevojë për dikë tjetër, i cili të respektojë normat e tua morale.

     Bibla thotë: «Dashuria . . . nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta.»​—1 Korintasve 13:​4, 5.

     Pyet veten: «Cilat norma morale kam? Ç’lloj sjelljeje i kalon caqet e sjelljes së hijshme?»