TË RINJTË PYESIN
Si të mos i zvarrit më gjërat?
A të ka ardhur në majë të hundës që i mbaron gjithmonë me vonesë punët e shtëpisë dhe detyrat e shkollës? Duhet të bësh diçka që të mos i shtysh më gjërat! Ky artikull do të të ndihmojë edhe nëse
Pasi të lexosh artikullin, bëj pyetësorin për zvarritjen e gjërave.
Bibla tregon një pasojë jo të mirë kur i zvarritim gjërat. Ajo thotë: «Kush vëzhgon erën, nuk do të mbjellë farë dhe kush shikon retë, nuk do të korrë.»—Eklisiastiu 11:4.
Shiko disa faktorë që mund ta theksojnë këtë problem dhe ç’mund të bësh që ta heqësh këtë zakon.
Detyra të zë frymën.
Të themi të drejtën, disa detyra janë kaq të vështira, sa duket më kollaj t’i shtysh për më vonë. Ja çfarë mund të bësh.
Ndaje detyrën në pjesë të vogla. «Edhe nëse e di që kam mbetur shumë mbrapa, përpiqem të fitoj kohë duke i marrë gjërat me radhë»,—thotë një vajzë me emrin Melisa.
Fillo menjëherë. «Sapo të caktohet një detyrë, fillo, edhe nëse kjo do të thotë thjesht ta shtosh në listën e punëve ose të shënosh disa ide para se t’i harrosh.»—Vera.
Kërko ndihmë. Ka të ngjarë që edhe prindërit, pjesëtarët e familjes ose ndonjë shok më i rritur kanë pasur një problem të tillë. Pse të mos përfitosh nga përvoja e tyre? Mund të të ndihmojnë të organizosh idetë dhe të planifikosh.
Këshillë: «Bëj një program. Vërtet kjo kërkon organizim dhe vendosmëri për ta ndjekur programin, por ia vlen, sepse kështu arrin të mbarosh gjithçka në kohë.»—Ebi.
Nuk ndihesh i motivuar.
Shumë shpesh, punët që duhet të bësh janë nga ato më të mërzitshmet për ty. Prandaj, ç’mund të bësh nëse nuk e ke shumë qejf punën që po bën? Provo këshillat e mëposhtme.
Gjej një arsye pse duhet ta bësh sa më shpejt. Për shembull, imagjino sa i lehtësuar do të ndihesh kur ta kesh mbaruar. «Më pëlqen ndjesia kur e kam bërë diçka në kohë ose para kohe dhe më në fund mund të çlodhem»,—thotë një vajzë me emrin Emi.
Mendo për pasojat. Sa më shumë ta vonosh, aq më shumë do të stresohesh dhe aq më të pakta janë mundësitë për t’ia dalë. Bibla thotë: «Do të korrësh pikërisht atë që mbjell.»—Galatasve 6:7, Good News Translation.
Afroje në mendjen tënde afatin. «Kjo më ndihmon të mendoj që një detyrë duhet të mbarojë një ose dy ditë para afatit të fundit,—thotë Alisia.—Kështu kam mundësi t’i hedh edhe një sy e madje më ngelen një ose dy ditë më shumë.»
Këshillë: «Varet e gjitha nga qëndrimi mendor. Thuaji vetes se do të bësh atë që duhet bërë dhe se asgjë nuk do të të ndalojë. Kur ia them këtë vetes, bëj atë që kam vendosur.»—Aleksa.
Je tepër i ngarkuar.
«Të tjerët thonë se e kam zakon t’i zvarrit gjërat,—shprehet Natani,—por nuk është e vërtetë! Nuk arrijnë ta kuptojnë sa i ngarkuar jam!» Nëse edhe ti ndihesh si Natani, provo si më poshtë.
Fillo me gjërat më të lehta. «Njëherë, dikush më mësoi se, nëse për diçka duhen më pak se pesë minuta, atëherë bëje pa vonuar,—citon Ambra.—Këtu mund të futen punë si pastrimi, varja e rrobave, larja e enëve dhe bërja e një telefonate.»
Vendos përparësi. Bibla thotë: ‘Sigurohu për gjërat më të rëndësishme.’ (Filipianëve 1:10) Si mund ta zbatosh në jetën e përditshme? «Mbaj një listë të gjithë detyrave që kam për të bërë dhe afatin kur duhet të mbarojnë,—thotë Ana.—Por ç’është më e rëndësishme, mbaj shënim kur kam ndër mend ta bëj dhe ta mbaroj secilën prej tyre.»
A duket kufizuese kjo? Mendoje pak! Kur bën një program, je ti që e ke në dorë kohën dhe jo koha ty. Dhe kjo pakëson stresin. «Kur kam një plan ndihem më e qetë dhe i shoh gjërat siç janë,—shprehet një vajzë me emrin Keli.
Elimino shpërqendrimet. «Kur kam ndër mend të filloj një punë, vë në dijeni gjithë familjen,—thotë Xheniferi.—Nëse duan të bëj diçka tjetër, me mirësjellje u kërkoj të ma thonë para se të filloj. Gjithashtu fik celularin dhe sinjalizimet për ardhjen e email-eve.»
Këshillë: «Çfarëdolloj gjëje duhet të bësh, s’i shpëton dot nëse nuk e bën. Në vend që ta mbash mendjen gjithë kohës aty, futju punës. Kështu mund të shijosh pjesën tjetër të ditës.»—Xhordani.