Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Njohjet​—Pjesa 3: A duhet të ndahemi?

Njohjet​—Pjesa 3: A duhet të ndahemi?

 Ke kohë që po njihesh me dikë, por po fillon të kesh dyshime. A ta vazhdosh njohjen apo t’i japësh fund? Ky artikull është përgatitur enkas që të të ndihmojë të marrësh vendimin.

Në këtë artikull

 Nëse ke dyshime

 Pasi dalin për njëfarë kohe bashkë, një djalë dhe një vajzë mund të kuptojnë se nuk përputhen aq shumë sa mendonin. Për shembull:

  •   Njërit i pëlqen plazhi, tjetrit i pëlqen mali.

  •   Njëri është ekstrovert, tjetri introvert.

  •   Njëri nuk e sheh gënjeshtrën si diçka të gabuar, tjetri vlerëson sinqeritetin.

 Vër re se secila prej këtyre situatave ka veçantinë e vet. E para ka të bëjë me interesa të ndryshme; e dyta me tipare të ndryshme personaliteti; dhe e treta ka të bëjë me vlera të ndryshme.

 Për të menduar: Cilën nga këto 3 situata do ta kishe më të vështirë ta duroje po të martoheshit? Për cilën situatë, nëse ka ndonjë, do të ishit të dy gati të bënit kompromis?

 Një burrë e një grua mund të kenë tipare personaliteti ose interesa të ndryshme, e prapëseprapë të kenë një martesë të lumtur. Në fund të fundit, s’është e thënë të jenë identikë që të shkojnë mirë. Në disa raste, një burrë e një grua mësojnë të pëlqejnë gjërat që i interesojnë bashkëshortit, e madje të nxjerrin dobi nga tiparet e personalitetit të njëri-tjetrit. a

 Nga ana tjetër, është jetësore që personi me të cilin do të martohesh, të ketë të njëjtat vlera, siç janë ato që lidhen me fenë, moralin dhe etikën. Nëse ai ose ajo nuk ka të njëjtat vlera, ky pa dyshim është një tregues që mund të të duhet t’i japësh fund lidhjes.

 Për shembull, mendo për bindjet e ndryshme fetare. Një libër thotë: «Studimet tregojnë vazhdimisht se, kur burri dhe gruaja nuk kanë të njëjtën fe, ka shumë më tepër të ngjarë të divorcohen.»—Fighting for Your Marriage.

 Parim nga Bibla: «Mos u lidhni me të pafetë e mos u përpiqni të bashkëpunoni me ta.»—2 Korintasve 6:14, Bibla ECM.

 Si të marrësh vendimin

 Bibla thotë se ata që martohen, «do të kenë vështirësi në jetë». (1 Korintasve 7:28) Prandaj, mos u habit nëse keni disa nga këto vështirësi që tani ndërsa njiheni.

 Zënkat për gjëra të vogla s’do të thonë se lidhja juaj është e destinuar të dështojë. Çështja është nëse mund t’i zgjidhni në mënyrë paqësore. Pa diskutim, kjo aftësi do t’ju duhet të dyve nëse martoheni.

 Parim nga Bibla: «Jini zemërmirë me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur bujarisht njëri-tjetrin.»—Efesianëve 4:32.

 Nga ana tjetër, mosmarrëveshjet e shpeshta e për çështje serioze mund të jenë tregues se nuk përputheni. Nëse është kështu, më mirë ta zbulosh tani, sesa pas martese!

Mosmarrëveshjet e shpeshta e për çështje serioze mund të jenë tregues se nuk përputheni

 Përfundimi: Nëse ke dyshime serioze për personin me të cilin po njihesh, a madje edhe për veten tënde nëse je vërtet gati për martesë, mos i shpërfill ato.

 Parim nga Bibla: «Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon përpara dhe vuan pasojat.»—Proverbat 22:3.

 Nëse vendos të ndahesh

 Ndarja mund të jetë e dhimbshme. Megjithatë, nëse njëri prej jush ose të dy keni dyshime të vazhdueshme dhe serioze për lidhjen tuaj, mund të jetë më mirë t’i jepni fund.

 Si mund ta bësh këtë? Përveç rasteve kur ju detyrojnë rrethanat, është më mirë të mos ndaheni nëpërmjet një mesazhi ose telefonate. Në vend të kësaj, zgjidh një vend e kohë të përshtatshme për të biseduar së bashku rreth kësaj çështjeje serioze.

 Parim nga Bibla: «I thoni të vërtetën njëri-tjetrit.»—Zakaria 8:16.

 A nënkupton ndarja se je dështak? Aspak. Mos harro, periudha e njohjes duhet të të ndihmojë të marrësh një vendim: ose të martohesh me atë person, ose jo. Edhe kur një lidhje merr fund, prapëseprapë mund të nxjerrësh mësime me vlerë nga kjo përvojë.

 Pyet veten: «Çfarë kam mësuar për veten nga kjo marrëdhënie? A më ka zbuluar kjo përvojë ndonjë aspekt ku kam nevojë të rritem? Çfarë do të bëja ndryshe nëse në të ardhmen vendos të njihem me dikë tjetër?»

a Për të kuptuar më mirë si mund të ndikojnë këto vështirësi te burri dhe gruaja, shih artikullin: «Ndihmë për familjen—Si t’ia bëj që jemi tipa të ndryshëm?» dhe «Ndihmë për familjen—Një pikëpamje më pozitive për tiparet që të bezdisin te bashkëshorti».