Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Pse nuk kam shokë?

Pse nuk kam shokë?

Je online duke parë fotot e një feste të kohëve të fundit. Atje janë të gjithë shokët e tu dhe duket që ia kanë kaluar shumë mirë. Por mungon diçka. Ose më mirë të themi se mungon dikush​—ti!

«Pse nuk më ftuan?»​—thua me vete.

Kureshtja kthehet në inat. Ndihesh i tradhtuar, sikur gjithë miqësitë e tua janë shembur si të ishin një shtëpi e brishtë prej letre. Një ndjenjë vetmie të pushton dhe pyet veten: «Pse nuk kam shokë?»

 Pyetësor për vetminë

 E vërtetë apo e rreme?

  1.   Nëse ke shumë shokë, nuk do të ndihesh kurrë vetëm.

  2.   Nëse bëhesh pjesë e një rrjeti shoqëror, nuk do të ndihesh kurrë vetëm.

  3.   Nëse dërgon shumë mesazhe, nuk do të ndihesh kurrë vetëm.

  4.   Nëse bën për të tjerët, nuk do të ndihesh kurrë vetëm.

 Të katër pohimet janë të rreme.

 Pse?

 Fakte për miqësinë dhe vetminë

  •   Të kesh shumë shokë nuk është garanci se nuk do të ndihesh kurrë vetëm.

     «Interesohem për miqtë e mi, por ndonjëherë ndihem sikur ata nuk duan t’ia dinë për mua. Vetmia më e keqe është kur je e rrethuar nga shokë që duket se nuk të duan siç i do ti ose që nuk ta kanë nevojën.»​—Anne.

  •   Të bësh pjesë në një rrjet shoqëror nuk është garanci se nuk do të ndihesh kurrë vetëm.

     «Disa koleksionojnë shokë siç koleksionojnë të tjerë kukulla. Por, edhe nëse ke një dhomë plot me koleksione kjo nuk të bën të ndihesh sikur të tjerët të duan. Nëse nuk ke miqësi të forta, shokët virtualë janë po aq të pajetë sa ato kukulla.»​—Elaine.

  •   Të dërgosh mesazhe pa fund, nuk është garanci se nuk do të ndihesh kurrë vetëm.

     «Ndonjëherë kur je vetëm, e kontrollon orë e çast celularin për të parë nëse ndonjë shok të ka dërguar mesazh. Të shohësh që askush s’është kujtuar për ty, kur tashmë ndihesh vetëm, të dërrmon.»​—Serena.

  •   Të bësh për të tjerët, nuk është garanci se nuk do të ndihesh kurrë vetëm.

     «Gjithmonë jam përpjekur të jem bujar me miqtë e mi, por kam vënë re se ata nuk veprojnë njësoj me mua. S’bëhem pishman që jam treguar bujar, thjesht ndihem pak keq që nuk ma kanë kthyer kurrë mirësinë.»​—Richard.

 Përfundimi: Në fund të fundit, vetmia është një qëndrim mendor. «Vjen nga gjendja e brendshme e një personi, jo nga rrethanat e jashtme»,—thotë një vajzë me emrin Jeanette.

 Ç’të bësh nëse ndihesh vetëm dhe pa shokë?

 Si ta fitosh betejën?

Rrit besimin te vetja.

 «Vetmia mund të burojë nga pasiguritë. Është e vështirë të jesh i hapur e të lidhësh miqësi kur mendon se nuk e meriton interesin e të tjerëve.»​—Jeanette.

 Bibla thotë: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Galatasve 5:14) Që të gëzojmë miqësi të dobishme, duhet të kemi njëfarë vetëvlerësimi, patjetër pa kaluar në krenari egoiste.​—Galatasve 6:3, 4.

Kujdes të mos biesh në vetëmëshirim.

 «Vetmia është si gropë thithëse. Sa më shumë rrotullohesh në të, aq më të vështirë e ke të dalësh. Nëse e lejon të të thithë gjithë mendimet, pas pak do të ndihesh kaq keq me veten, sa askush nuk do të të afrohet.»​—Erin.

 Bibla thotë: «Dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta.» (1 Korintasve 13:4, 5) E vërteta është se kur përqendrohemi shumë te vetja, bëhemi më të pandjeshëm ndaj të tjerëve, kështu ka të ngjarë të mos i bëjmë për vete. (2 Korintasve 12:15) Ta themi hapur: kur suksesi yt varet nga mënyra si veprojnë të tjerët, do të dështosh. Pastaj, shprehje të tilla, si «Askush nuk më merr në telefon» dhe «Askush nuk më fton» e vënë lumturinë tënde në duart e të tjerëve. A nuk po u jep pak si shumë pushtet?

Mos prano këdo si shok.

 «Njerëzit e vetmuar duan vëmendje dhe mund të arrijnë deri aty sa të mos u interesojë se nga kush vjen kjo vëmendje. Mjafton të ndihen se të tjerët i duan. Por disa mund të të bëjnë të ndihesh sikur të duan e pastaj të përfitojnë nga ty. Kështu do të ndihesh më vetëm se kurrë.»​—Brianne.

 Bibla thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Proverbat 13:20) Një person i uritur do të hajë pothuajse çdo gjë. Po kështu, njerëzit që vdesin për shokë mund t’i kërkojnë në vendet e gabuara. Madje mund të bëhen pre e lehtë e mashtruesve, me mendimin se kjo lidhje është normale dhe se nuk duhet të pretendojnë për më mirë.

 Përmbyllja: Kush më pak e kush më shumë, të gjithë ndihemi vetëm herë pas here. Ndonëse vetmia është një ndjenjë dërrmuese, në fund të fundit kaq mbetet​—veç një ndjenjë. Ndjenjat tona ushqehen nga mendimet. Ne mund t’i kontrollojmë mendimet.

 Gjithashtu, ji realist në atë që pret nga të tjerët. Jeanette e përmendur më sipër thotë: «Jo çdo njeri do të jetë miku yt më i mirë, por do të gjesh njerëz që të duan të mirën. Dhe kaq mjafton. Kjo pikëpamje të ndihmon të mos i lejosh ndjenjat e vetmisë të të vënë poshtë.»

 A ke nevojë për më shumë ndihmë? Lexo « Si të kapërcesh pasiguritë për miqësinë?» Gjithashtu shkarko PDF-në «Si ta përballoj vetminë?»