TË RINJTË PYESIN
Si të fitoj besimin e prindërve?
Çfarë duhet të dish
Sa më i besueshëm të jesh, aq më tepër besim do të fitosh. T’u bindesh rregullave të prindërve, është si të paguash një borxh. Bindjen ua ke borxh prindërve dhe sa më i besueshëm të jesh me pagesën e «kësteve», aq më tepër «kredi» (ose liri) mund të të japin. Nga ana tjetër, nëse nuk je treguar i besueshëm, mos u çudit nëse prindërit bëhen më dorështrënguar me «kredinë».
Besimi fitohet me kohë. Që prindërit të të japin më tepër liri, më përpara duhet t’u japësh prova me sjelljen tënde se je i përgjegjshëm.
HISTORI E VËRTETË: «Kur isha adoleshent, e dija fare mirë ç’prisnin prindërit, ndaj shtiresha sikur veproja ashtu, edhe pse fshehurazi bëja çfarë më donte qejfi. Ja pse prindërit e kishin të vështirë të më besonin. Pas ca kohësh mësova se s’kisha rrugë tjetër: me hile nuk fiton më tepër liri. Duhet të jesh i besueshëm që të të besojnë.»—Kreigu.
Ç’mund të bësh
Thuaj të vërtetën, edhe kur të dhemb. Çdokush bën gabime, ama, po t’i mbulosh duke gënjyer (ose po t’i fshehësh disa fakte për të mjegulluar të vërtetën), prindërit do ta humbasin besimin te ti. Nga ana tjetër, kur tregon ditë pas dite se je plotësisht i sinqertë, prindërit do ta kuptojnë se je aq i pjekur sa t’i pranosh gabimet. Kështu do të bëhesh person i besueshëm.
«Nuk e humbet gjithmonë besimin e të tjerëve kur gabon, ama e humbet se s’bën kur përpiqesh t’i fshehësh ato.»—Ana.
Bibla thotë: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.
Për të menduar: kur prindërit të pyesin ku po shkon dhe çfarë do të bësh, a u thua gjithë të vërtetën? Ose, kur prindërit të pyesin ku ishe dhe çfarë bëre, a i lë jashtë ca detaje që do të ishin të rëndësishme për ta?
Ji i përgjegjshëm. Bindju gjithë rregullave të familjes. Bëji pa vonesë punët e shtëpisë. Ji i përpiktë në takime. Mos u bëj bisht detyrave të shkollës. Respekto orarin e kthimit në shtëpi.
«Nëse prindërit të lënë të dalësh me shoqërinë, por të kërkojnë të kthehesh në 9 të darkës e ti kthehesh në 10.30, herën tjetër, mos prit të të japin prapë leje!»—Rajani.
Bibla thotë: «Secili do të mbajë ngarkesën e vet.»—Galatasve 6:5.
Për të menduar: si ke vepruar në rastet kur duhej të ishe i përpiktë, të bëje punët e shtëpisë dhe t’u bindeshe rregullave, qoftë edhe atyre që s’të pëlqenin?
Ji i duruar. Nëse i ke zhgënjyer prindërit, prit me durim.
«U zhgënjeva që prindërit nuk më dhanë më shumë përgjegjësi kur arrita njëfarë moshe. Nuk e kuptoja se pjekuria s’vjen automatikisht me moshën. U kërkova prindërve të më jepnin mundësi të tjera që t’u provoja se isha e besueshme. M’u desh pak kohë, por ia dola. Dhe mësova se nuk të bën mosha të besueshëm, por veprimet.»—Rakela.
Bibla thotë: «Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.»—2 Korintasve 13:5.
Për të menduar: ç’mund të bësh ‘që të provosh se çfarë je’, që të fitosh (ose të rifitosh) besimin e prindërve?
SUGJERIM: Vër një synim qoftë ky për përpikërinë, për të mbaruar punët e shtëpisë, për orarin e kthimit në shtëpi ose diçka tjetër. Tregoju prindërve për vendimin dhe pyeti ç’presin nga ti që të fitosh besimin e tyre. Pastaj puno me gjithë shpirt që të zbatosh këshillën e Biblës: «Flakni tej personalitetin e vjetër, që ishte në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj.» (Efesianëve 4:22) Avash-avash prindërit do ta vënë re se po përparon!