TË RINJTË PYESIN
Ç’të bëj nëse kam një prind të sëmurë?
Shumë të rinj nuk e vrasin mendjen që të kujdesen për prindërit. Tek e fundit, do të kalojnë vite para se prindërit e tyre të kenë probleme shëndetësore.
Po nëse mami ose babi yt sëmuret ndërsa je ende i vogël? Shqyrto shembullin e dy vajzave që janë përballur me këtë vështirësi.
Historia e Emelinës
Mami im ka sindromën Ehlers-Danlos (EDS), një sëmundje kronike dhe e dhembshme që prek kyçet, lëkurën dhe enët e gjakut.
Kjo sëmundje nuk kurohet dhe gjendja e mamit është përkeqësuar gjatë dhjetë viteve të fundit. Në fakt, ka pasur raste kur treguesit e gjakut ishin kaq të ulët, sa i rrezikohej jeta ose kur dhimbja ishte kaq e madhe sa nuk e donte më jetën.
Unë dhe familja jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe kongregacioni ynë na ka mbështetur shumë të gjithëve. Për shembull, kohët e fundit një vajzë gati moshatare me mua na dërgoi një kartolinë për të na treguar sa shumë na do e për të na siguruar se mund të mbështetemi gjithmonë tek ajo. Sa mirë është të kesh miq të tillë!
Bibla më ka ndihmuar pa masë. Për shembull, një nga shkrimet e mia të preferuara është Psalmi 34:18, që thotë: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve.» Një tjetër është Hebrenjve 13:6, i cili thotë: «Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë.»
Shkrimi i fundit ka shumë kuptim për mua. Frika ime më e madhe është se mamin do të ma rrëmbejë vdekja. E dua kaq shumë dhe çmoj çdo ditë që kaloj me të. Ai varg biblik më ndihmon të kuptoj se mund ta përballoj të ardhmen me besim, sido që të jetë ajo.
Por kam edhe një frikë tjetër. Sindroma EDS është e trashëgueshme. Mami im e mori nga nëna e saj, kurse unë e kam marrë nga imja. Po, edhe unë e kam këtë sindromë. Por Hebrenjve 13:6 më siguron se Jehovai do të jetë «ai që më ndihmon» edhe në këtë situatë.
Ndërkohë përpiqem të vlerësoj gjërat që kam tani e të mos jetoj me të shkuarën—ose të merakosem për të ardhmen. Nëse krahasoj kufizimet që ka mami tani me atë që bënte në të kaluarën, mund të trishtohem shumë. Bibla thotë se vështirësitë që kemi, janë ‘kalimtare dhe të lehta’ po t’i krahasosh me shpresën për të jetuar përgjithmonë pa sëmundje.—2 Korintasve 4:17; Zbulesa 21:1-4.
Për të menduar: Çfarë e ndihmon Emelinën të mbajë një qëndrim pozitiv? Po ti, si mund të jesh pozitiv edhe kur kalon një vështirësi?
Historia e Emilisë
Kur isha në shkollë të mesme, babi pati krizën e parë të depresionit. Ishte sikur babi i dikurshëm u zhduk dhe e zëvendësoi një njeri tjetër. Që nga ajo kohë, babin e kanë mbytur trishtimi, frikërat e paarsyeshme dhe krizat e ankthit. Po bën 15 vjet që vuan nga kjo sëmundje. Sa e dhimbshme duhet të jetë për të, të ndihet aq i trishtuar edhe pse e di se nuk ka asnjë arsye që të ndihet ashtu.
Jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe kongregacioni me të cilin shoqërohemi na mbështet shumë. Bashkëbesimtarët janë treguar goxha të sjellshëm e të kuptueshëm, dhe asnjë nuk e ka bërë babin të ndihet ndonjëherë i padobishëm për kongregacionin. E dua më shumë se kurrë babin ndërsa shoh si i bën ballë kësaj vështirësie.
Më ka marrë malli për babin e dikurshëm—për atë që nuk e kishte pushtuar ankthi, që nuk vuante e që ishte i lumtur. Ndihem shumë keq që çdo ditë i duhet të luftojë me një armik të padukshëm në mendjen e tij.
Pavarësisht kësaj, babi përpiqet fort të mbajë një qëndrim pozitiv. Në një rast kur ishte shumë sëmurë, bëri çmos të lexonte çdo ditë një pjesë të vogël nga Bibla, sikur edhe pak vargje. Kjo i dha forcë të jashtëzakonshme. Ishte një rutinë në dukje e vogël, por që i shpëtoi jetën. Kurrë më parë s’jam ndier aq krenare për babin sesa gjatë asaj periudhe të errët.
Më pëlqen shumë shkrimi i Nehemisë 8:10 që thotë: «Gëzimi i Jehovait është kalaja juaj.» Kjo është plotësisht e vërtetë. Gëzimi që ndiej kur shoqërohem me kongregacionin, duke marrë pjesë e duke qenë plotësisht aktive, ma mbush zemrën kur jam e mërzitur e ndihem bosh. Më jep një lloj ngrohtësie që zgjat gjithë ditën. Shembulli i babit më ka mësuar se, pavarësisht nga halli që të bie, Jehovai do të jetë gjithmonë aty për të të ndihmuar.
Për të menduar: Si e ka ndihmuar Emilia babin e saj? Si mund ta ndihmosh dikë që po vuan nga depresioni?