TË RINJTË PYESIN
Pse prindërit nuk më lënë të bëj qejf?
Këtë fundjavë, shokët të kanë ftuar në një festë. Ti pyet prindërit nëse mund të shkosh, por ata përgjigjen prerazi jo. Nuk habitesh, edhe herën e fundit, jo të thanë.
Në këtë artikull
Pse prindërit më thonë gjithmonë jo?
Nëse duket sikur prindërit i hedhin gjithmonë poshtë kërkesat e tua, mund të arrish në përfundimin se ata thjesht nuk duan që të bësh qejf.
Kështu u ndie edhe një adoleshente që quhet Maria, kur mori celularin e saj të parë. Ajo thotë: «Babi më vuri shumë kufizime për aplikacionet që mund të shkarkoja, për njerëzit me të cilët mund të komunikoja dhe deri në ç’orë mund të komunikoja. Kurse shoqet e mia mund të bënin ça t’u donte qejfi.»
Për të menduar: A po përpiqej vërtet babai i Marisë ta pengonte që të kënaqej? Për çfarë mund të ketë pasur merak?
Provo këtë: Vëre veten në vendin e një prindi, i cili ka një fëmijë adoleshent që sapo ka marrë një celular. Për çfarë do të kishe merak ti? Cilat kufizime do të vendosje për ta mbrojtur fëmijën tënd? Nëse fëmija do të të thoshte se ti nuk do që të kënaqet, si do t’i përgjigjeshe?
«Babi më thoshte gjithmonë: ‘Vëre veten në vendin tim.’ Kjo më ndihmonte të shihja jo vetëm vlerën e rregullave që vendoste, por edhe arsyet që qëndronin pas tyre. Mendoj se po të kisha fëmijë, do të prisja prej tyre të njëjtat gjëra që pret babi nga unë.»—Tania.
Si mund t’i bind prindërit të më thonë po?
«Me të bërtitura nuk arrihet asgjë. Kjo vetëm sa të lodh emocionalisht ty, por edhe prindërit. Nëse debaton, prindërit do të të shohin si një fëmijë që nuk je pjekur akoma dhe nuk meriton më shumë liri.»—Riçardi.
«Zakonisht, pas çdo rregulli ka motive të mira. Nuk është që prindërit e mi s’duan që të bëj qejf; thjesht duan që ta bëj këtë në mënyrën më të mirë, në një mënyrë që s’do të më hapë probleme.»—Ajvi.
Parim nga Bibla: «I marri i shfryn gjithë ndjenjat, por i mençuri i mban nën fre me qetësi.»—Proverbat 29:11.
«U përpoqa të bëja të zgjuarën dhe t’i kapërceja kufijtë që më kishte vënë babi për celularin. Mundohesha të gjeja mënyra për t’u shkruar mesazhe shoqeve natën vonë ose për të shkarkuar aplikacione që babi nuk m’i lejonte. Por në fund, ai më zbulonte dhe më vendoste rregulla edhe më strikte, sepse e kishte humbur besimin tek unë. Nuk është asnjëherë e mençur të përpiqesh t’u bësh bisht rregullave.»—Maria.
«Trego durim. Prindërve mund t’u duhet kohë që të ndryshojnë një rregull, ama nëse shohin se ti u bindesh rregullave që tashmë kanë vënë, mund të jenë të gatshëm të të japin më shumë liri.»—Melinda.
Parim nga Bibla: «Bindjuni prindërve në çdo gjë.»—Kolosianëve 3:20.
«Këmbëngulja me kokëfortësi nuk do t’i përmirësojë gjërat, as do të të ndihmojë të arrish atë që do.»—Natalia.
«Një prind dëshiron të shohë që fëmija i tij di t’i gjykojë mirë gjërat. Prandaj, kur flas me të mitë, mundohem të përdor logjikën, jo emocionet, kur jap një argument. Nëse bëj kështu, zakonisht më ecën fjala.»—Xhozefi.
Parim nga Bibla: «Ndero babanë dhe nënën tënde.»—Efesianëve 6:2.