Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Pse t’i thuash JO pornografisë?

Pse t’i thuash JO pornografisë?

 A e ke forcën e duhur?

 Nëse e përdor Internetin, pritet që herët a vonë të përballesh me ndonjë lloj pornografie. «Madje, nuk ke më nevojë ta kërkosh,—thotë Hejli 17-vjeçare.​—Ajo të kërkon ty.»

 Pornografia mund të tundojë edhe ata që janë të vendosur ta shmangin. «I thashë vetes se nuk do ta ulja vigjilencën, por në fakt e bëra,—thotë Gregu 18-vjeçar.—Kurrë s’mund të thuash se nuk do të të ndodhë.»

 Sot mund të shohësh pornografi më kollaj se kurrë më parë. Dhe, tani që ekziston sexting, shumë adoleshentë bëjnë dhe shpërndajnë pornografinë e vet.

 Përfundimi: Sot, ti has vështirësi shumë më të mëdha se prindërit ose gjyshërit e tu kur ishin në moshën tënde. Pyetja është: «A e ke forcën e duhur t’i thuash JO pornografisë?»​—Psalmi 97:10.

 Përgjigjja është po​—nëse zgjedh ta bësh këtë. Por, para së gjithash duhet të jesh i bindur se pornografia është e keqe. Le të shqyrtojmë disa ide të gabuara dhe fakte për këtë temë.

 Ide të gabuara dhe fakte

 Ide e gabuar: Pornografia nuk do të më dëmtojë.

 Fakt: Pornografia ndikon te mendja ashtu si duhani te mushkëritë. Ajo të ndot. Zvetënon diçka që Perëndia e krijoi për të qenë një lidhje e fortë dhe e qëndrueshme mes dy personave. (Zanafilla 2:24) Me kalimin e kohës, ajo mund të të bëjë edhe të pandjeshëm për të dalluar të drejtën nga e gabuara. Për shembull, disa specialistë thonë se burrat që shohin rregullisht pornografi, ka më tepër gjasa të bëhen të pandjeshëm ndaj dhunës kundrejt grave.

Bibla flet për disa njerëz që nuk kanë më «asnjë ndjesi morale». (Efesianëve 4:19) Ndërgjegjja e tyre bëhet e pandjeshme deri në atë pikë sa nuk ndihen aspak keq kur bëjnë gjëra të këqija.

 Ide e gabuar: Pornografia mund të të mësojë për seksin.

 Fakt: Pornografia të mëson lakminë. Ajo ua ul vlerën njerëzve, duke i kthyer thjesht në objekte dhe kjo nënkupton se ata ekzistojnë vetëm për të plotësuar kënaqësitë e tua egoiste. Nuk habitemi pse një studim nxori përfundimin se ata që e bëjnë zakon shikimin e pornografisë, ka më pak të ngjarë të provojnë kënaqësi seksuale pas martese.

Bibla u thotë të krishterëve të shmangin «[imoralitetin seksual], ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë»; të gjitha këto i nxit pornografia.​—Kolosianëve 3:5.

 Ide e gabuar: Ata që i thonë JO pornografisë, thjesht mendojnë se seksi është diçka e turpshme.

 Fakt: Ata që i thonë JO pornografisë kanë një pikëpamje të lartë për seksin. E konsiderojnë seksin si një dhuratë nga Perëndia për të forcuar lidhjen mes një burri dhe një gruaje të martuar e të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit. Ata që kanë këtë pikëpamje, mund të provojnë më shumë kënaqësi seksuale pas martese.

Bibla flet hapur për seksin. Për shembull, ajo u thotë burrave: «Gëzo me gruan e rinisë sate. . . . Nga dashuria e saj qofsh vazhdimisht i dalldisur!»​—Proverbat 5:18, 19.

 Si t’i thuash JO pornografisë?

 Po nëse mendon se tundimi për të parë pornografi është kaq i fortë sa nuk mund t’i rezistosh? Për këtë mund të të ndihmojë fleta e punës «Si t’i thuash JO pornografisë?»

 Ji i sigurt se mund t’i thuash JO tundimit për të parë pornografi. Gjithashtu, mund të mësosh të mos shohësh më pornografi, nëse ke filluar tashmë. Kur vepron kështu, do të kesh vetëm dobi.

 Shqyrto rastin e Kalvinit, i cili pranon se e bëri zakon shikimin e pornografisë rreth moshës 13-vjeçare. Ai thotë: «E dija se ishte e gabuar, por thjesht nuk i rezistoja dot tundimit. Por, më pas, ndihesha përtokë. Më vonë, më zbuloi babai. Dhe, të jem i sinqertë, ndihesha shumë i lehtësuar. Më në fund, mund të merrja ndihmën e duhur.»

 Kalvini ka mësuar t’i thotë JO pornografisë. Ai thotë: «Shikimi i pornografisë ishte një gabim shumë i madh, gabim për të cilin po paguaj ende, ngaqë pamjet më vijnë herë pas here në mendje. Nganjëherë, tundohem ende të mendoj se çfarë pamjesh do të shfaqeshin po të shihja gjëra që s’duhet. Por pastaj mendoj sa të ardhme të lumtur, të pastër dhe të shkëlqyer mund të kem nëse i bëj gjërat ashtu siç do Jehovai.»