TË RINJTË PYESIN
Po nëse vuaj nga një sëmundje? (Pjesa 1)
A njeh ndonjë të ri që vuan nga një sëmundje e rëndë? Po ti, a vuan nga një sëmundje ose paaftësi që të privon nga kënaqësitë që gëzojnë moshatarët e tu?
Nëse po, është e natyrshme që hera-herës të të lëshojë zemra. Megjithatë, në Bibël gjejmë dy mendime që të japin vërtet zemër.
Krijuesi yt, Perëndia Jehova, e di çfarë po kalon. Jo vetëm kaq, por ai «interesohet për ty».—1 Pjetrit 5:7.
Qëllimi i Perëndisë Jehova është të shërojë çdo sëmundje. Mund të lexosh për këtë në Bibël, tek Isaia 33:24 dhe Zbulesa 21:1-4.
Mjaft të rinj me një sëmundje të vështirë, kanë parë se besimi te Perëndia dhe te premtimet e tij u jep forcë që t’ia dalin mbanë. Le të shohim katër shembuj.
JEJMI
Që kur isha 11 vjeçe, kudo lëvizja me karrigen me rrota. Nuk jam në gjendje të bëj as gjëra të vogla, si për shembull të ngre pesha të lehta.
Në moshën 5-vjeçare u diagnostikova me distrofi muskulore, një sëmundje degjeneruese që më kufizon jashtë mase. Ndonjëherë shkurajohem, pasi nuk bëj dot gjërat që bëjnë moshatarët e mi. Por prindërit dhe bashkëbesimtarët e kongregacionit më mbështetin fizikisht, emocionalisht e frymësisht. Shërbej në kohë të plotë dhe bashkadhuruesit shpesh më shoqërojnë kur drejtoj studime biblike me të interesuarit.
Jezui tha se secilës ditë i mjaftojnë ankthet e veta. (Mateu 6:34) Prandaj mendoj vetëm për të sotmen, pa u shqetësuar për të nesërmen, dhe të vë synime realiste që mund t’i arrij. Mezi pres të vijë bota e re e Perëndisë, kur do të kem «jetën e vërtetë» dhe do të jem e lirë nga kjo sëmundje që të shter fuqitë.—1 Timoteut 6:19.
Për të menduar: Jejmin e ndihmojnë shumë «synimet realiste». Si të bësh edhe ti njësoj?—1 Korintasve 9:26.
MATEO
Kur isha gjashtë vjeç, nisi të më dhembte shpina. Në fillim doktorët thanë se ishin veçse dhembjet e rritjes. Por një vit më vonë, zbuluan se kisha tumor në shtyllën kurrizore.
U operova, por kirurgu arriti të hiqte vetëm 40 për qind të tumorit. Për dy muaj, tumori arriti sërish masën fillestare. Që nga ajo kohë, kam bërë shumë analiza e trajtime dhe kam pasur mjaft zhgënjime.
Me raste, tumori më shkakton dhembje si të therur thike në të gjithë trupin, por më shumë në shpinë e kraharor. Megjithatë, mundohem të mos e mëshiroj veten. I them vetes se edhe të tjerë kanë kaluar situata të tmerrshme, e prapëseprapë kanë mbetur optimistë. Ndihmën më të madhe për të qenë optimist ma jep besimi se një ditë Perëndia Jehova do të përmbushë premtimin e tij për t’u dhënë fund gjithë vuajtjeve.—Zbulesa 21:4.
Për të menduar: Ashtu si Mateo, si mund të marrësh forcë po të mendosh rreth premtimit të Perëndisë për t’u dhënë fund vuajtjeve?—Isaia 65:17.
BRUNA
Meqë sëmundja ime nuk ka shenja të dukshme, disa ndoshta mendojnë se jam dembele. Por e vërteta është se gjithçka mund të jetë e vështirë për mua, përfshirë punët e shtëpisë, studimi madje edhe të ngrihem nga krevati.
Kur isha 16 vjeçe, u diagnostikova me sklerozë të shumëfishtë, një sëmundje ligështuese e progresive që më ka prekur si aftësinë për të punuar, edhe atë për të marrë pjesë në veprimtaritë e krishtere aq sa do të doja. Lexoj vazhdimisht 1 Pjetrit 5:7, ku thuhet: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai interesohet për ju.» Më jep forcë mendimi se Jehovai interesohet për secilin nga ne. Kjo më ka dhënë forcë deri tani.
Për të menduar: Ashtu si Bruna, si mund të nxjerrësh dobi duke ia hedhur ankthin Jehovait?—Psalmi 55:22.
ANDRÉ
Disa më trajtojnë si të isha një fëmijë 10-vjeçar. S’u vë faj, se në fund të fundit ashtu dukem.
Në moshën 2-vjeçare, më diagnostikuan me një lloj kanceri të rrallë që nisi në shtyllën kurrizore dhe më pas u përhap deri në tru. Doktorët arritën ta mbanin nën kontroll sëmundjen, por trajtimet mjekësore ndikuan te rritja ime. Sot jam vetëm 1,37 metra i gjatë. Shumë veta mendojnë se gënjej kur u them që jam 18 vjeç.
Në kongregacionin e krishterë njerëzit më trajtojnë me dinjitet. Nuk me kurdisin shaka pa vend, siç bënin fëmijët me të cilët shkoja në shkollë. Mundohem të jem pozitiv për gjendjen time. Sinqerisht, më ka ndodhur gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë dikujt—kam njohur Jehovain. Jam i sigurt se Jehovai do të kujdeset për mua, pavarësisht se çfarë më duhet të duroj. Meditimi për botën e re të mrekullueshme që ka premtuar Perëndia Jehova, më ndihmon të mbaj një qëndrim pozitiv.—Isaia 33:24.
Për të menduar: Pse të njohësh Jehovain, siç thotë André, është «gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë dikujt»?—Gjoni 17:3.