Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Po nëse vuaj nga një sëmundje? (Pjesa 3)

Po nëse vuaj nga një sëmundje? (Pjesa 3)

 Vitet e adoleshencës shpesh karakterizohen nga një shëndet plot gjallëri dhe nga energji në dukje të pashtershme. Por, ka nga ata të rinj që sëmundjet e rënda nuk i lënë të bëjnë gjithçka duan. A je edhe ti ndër ta? Nëse po, do të marrësh zemër nga përvoja e Vlorias, Xhastinit dhe Nisës, tre Dëshmitarë të Jehovait. Shih se si i përballojnë problemet sfilitëse me shëndetin.

 Vloria

 Vuaj nga fibromialgjia që në moshën 14-vjeçare. Kur mbusha 20 vjeçe, tashmë kisha artrit, lupus dhe sëmundjen Lyme. Është e vështirë të bësh gjërat që do kur ndihesh e pafuqishme gjithë kohës. Ndonjëherë paralizohesha nga mesi e poshtë dhe kisha nevojë për karrocë invalidi.

 Më keq se ana fizike e sëmundjes ishte tortura mendore që i shkaktoja vetes ngaqë nuk arrija të bëja as gjërat më të vogla, si të shkruaja ose të hapja një kavanoz. Shihja fëmijët tek ecnin dhe mendoja pse për mua ishte aq e vështirë të ecja. Më dukej vetja kot fare.

 Jam mirënjohëse që kisha jo vetëm ndihmën e familjarëve, por edhe të kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait ku bëj pjesë. Kongregacioni më vizitonte shpesh, dhe kështu ndihesha më pak e vetmuar. Disa më ftonin në aktivitete shoqërore, ndonëse nuk është e lehtë të më ngresh nga karroca e invalidit e të më ndihmosh të futem e të dal nga makina.

 Të moshuarit në kongregacion ishin goxha ndihmë sepse e dinin ç’do të thotë të kesh probleme shëndetësore. Më ndihmuan të pranoj kufizimet e të mos ndihem fajtore ngaqë nuk bëj dot aq sa të tjerët. Lumturinë më të madhe e provoj kur jam në mbledhjet e kongregacionit dhe në shërbim. (Hebrenjve 10:25) Në këto raste e kuptoj se, me gjithë sëmundjet, faktikisht nuk ndryshoj aq shumë nga të tjerët.

 Nuk harroj se Jehovai na jep atë që na nevojitet për të qëndruar të fortë. Për shembull, Bibla thotë se, edhe pse dikush tretet nga jashtë, njeriu i brendshëm ‘mund të përtërihet nga dita në ditë’. (2 Korintasve 4:​16) Sigurisht, kështu ndihem edhe unë.

 Për të menduar: Pse është e rëndësishme të marrësh iniciativën të shoqërohesh me të tjerët nëse vuan nga një sëmundje e rëndë? Nëse je mirë me shëndet, si mund ta ndihmosh një të sëmurë?​—Proverbat 17:17.

 Xhastini

 Rashë përtokë dhe nuk arrija të ngrihesha. Kisha shtrëngime në kraharor dhe nuk lëvizja dot. Më çuan menjëherë në urgjencë. Në fillim, mjekët nuk e gjenin dot çfarë kisha. Por, pas disa incidenteve të tjera, arritën të më diagnostikonin; kisha sëmundjen Lyme.

 Sëmundja Lyme më dëmtoi rëndë sistemin nervor. Në fakt ende kam dridhje, ndonjëherë të pavullnetshme, ndonëse ka disa vjet që jam diagnostikuar. Ka ditë kur i gjithë trupi më dhemb ose gishtat më therin kaq shumë sa nuk i lëviz dot. Është sikur më janë ndryshkur kyçet.

 Thosha me vete: «Jam tepër i ri për të qenë sëmurë», dhe kjo më acaronte. E pyesja Zotin çdo ditë me lot në sy: «Pse duhet të vuaj kështu?» Madje fillova të mendoja se Perëndia më kishte braktisur. Por në atë kohë më shkoi mendja te Jobi në Bibël. Ai nuk e kuptonte plotësisht pse i duhej të përballej me aq shumë halle, e prapëseprapë i qëndroi besnik Perëndisë. Nëse Jobi ia doli me gjithë ato vuajtje ekstreme, edhe unë mund t’ia dal.

 Pleqtë e kongregacionit tim më mbështetin jashtë mase. Interesohen gjithnjë për mua dhe më pyesin si ndihem. Një plak më tha t’i telefonoja sa herë kisha nevojë të flitja, në çfarëdolloj ore. E falënderoj Jehovain çdo ditë për këta lloj miqsh.​—Isaia 32:​1, 2.

 Ndonjëherë kur sëmuremi rëndë, harrojmë diçka që duket qartë: Jehovai e di çfarë po kalojmë. Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22) Këtë përpiqem të bëj përditë.

 Për të menduar: Si mund të të ndihmojnë ata që të duan që të qëndrosh i fortë përballë një sëmundjeje?​—Proverbat 24:10; 1 Selanikasve 5:​11.

 Nisa

 Kur isha në mes të adoleshencës, u diagnostikova me sindromin Marfan—një çrregullim që prek e dobëson kyçet. Ky sindrom mund të prekë edhe zemrën, sytë e organe të tjera jetësore. Nuk kam dhembje çdo ditë, por kur kam, më therin në shpirt.

 Në fillim kur u diagnostikova, s’pushoja së qari. Kisha frikë se nuk do të bëja dot gjithçka që më pëlqen. Për shembull, më pëlqen të kërcej dhe kur mendova se një ditë kërcimi, madje edhe ecja, mund të ishin tepër të dhimbshme për mua, kisha frikë për të ardhmen.

 Motra më përkrahu jashtë mase. Më ndihmoi të dilja nga faza e vetëmëshirimit. Ajo më tha se nuk duhej të jetoja me frikë, pasi kjo do të më gërryente forcën për të jetuar. Gjithashtu më nxiti të ngulmoja në lutje, sepse askush nuk e dinte dhe nuk e kuptonte më mirë se Jehovai ç’po kaloja.​—1 Pjetrit 5:7.

 Një shkrim që më jep vërtet zemër është Psalmi 18:6, që thotë: «Në vuajtjen time i thërrisja Jehovait, Perëndinë tim thërrisja për ndihmë. Nga tempulli i tij ai e dëgjoi zërin tim, dhe thirrja ime për ndihmë arriti në veshët e tij.» Ky varg më ndihmoi të kuptoja se, kur i lutem Jehovait e i kërkoj ndihmë që të përballoj sëmundjen, ai do të më dëgjojë e do të më ndihmojë. Ai është gjithmonë gati të më ndihmojë.

 Kam mësuar se nuk është problem të jemi të mërzitur e madje të inatosur kur na bie një tragjedi, sepse këto ndjenja janë normale për aq kohë sa nuk na gërryejnë forcën për të jetuar dhe miqësinë me Perëndinë. Nuk na i shkakton ai problemet dhe nuk do të na braktisë kurrë për aq kohë sa e vëmë në vend të parë në jetën tonë.​—Jakovi 4:8.

 Për të menduar: A duhet t’ia hedhim fajin Perëndisë për vuajtjet?​—Jakovi 1:​13.