Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si po ndikon tek unë media sociale?

Si po ndikon tek unë media sociale?

 A të lejojnë prindërit të përdorësh median sociale? Nëse po, ky artikull do të të ndihmojë në tri aspekte të rëndësishme të jetës.

Në këtë faqe

 Si po më ndikon media sociale te koha?

 Të përdorësh median sociale, është si të kalërosh një kalë energjik—po nuk e mbajte nën kontroll ti, do të të kontrollojë ai.

 «Futem në rrjetet sociale me idenë që do të rri vetëm ‘pak minuta’, por pa e kuptuar fare më ikin orë të tëra. Rrjetet sociale të bëjnë të varur dhe të grabitin kohën.»—Joana.

 A e dije? Media sociale është projektuar kastile për të krijuar varësi. Projektuesit e dinë se sa më shumë të klikohet një sit dhe sa më shumë kohë të shpenzojnë njerëzit në të, aq më tepër do të paguajnë kompanitë për të reklamuar produktet.

 Pyet veten: «A më kalon koha si pa kuptuar, duke u endur nëpër media sociale? A mund të përdor ca nga kjo kohë për aktivitete më produktive?»

 Ç’mund të bësh. Vër një limit për kohën që do të kalosh në median sociale dhe respektoje.

Vër një limit për kohën që do të kalosh në median sociale

 «Vendosja një kohëmatës në telefon që m’i bllokonte disa aplikacione pas një kohe të caktuar. Pasi isha treguar strikte me veten për njëfarë kohe, arrita të gjeja ekuilibrin. Tani po e përdor median sociale, por nuk më merr tërë ditën.»—Tina.

 Parim nga Bibla: «[Shfrytëzoje] sa më mirë kohën.»—Efesianëve 5:16.

 Si po më ndikon media sociale te gjumi?

 Shumë ekspertë thonë se adoleshentët kanë nevojë për të paktën 8 orë gjumë çdo natë, por mjaft prej tyre flenë më pak. Një nga arsyet është përdorimi i medias sociale.

 «Para se të fle, i hedh një sy telefonit për ndonjë njoftim të rëndësishëm, por në fund harxhoj orë të tëra duke parë postimet e të tjerëve. Është një ves i keq që po përpiqem ta heq.»—Maria.

 A e dije? Mungesa e gjumit mund të shkaktojë ankth dhe depresion. Sipas Xhin Tuinxhit, profesoreshë psikologjie, mungesa e gjumit është një nga faktorët kryesorë pse njerëzit nuk janë në humor. Ajo shton se «me kalimin e kohës» mungesa e gjumit mund të çojë në «probleme serioze të shëndetit mendor». a

 Pyet veten: «Sa orë gjumë fle çdo natë? A po merrem me median sociale kur në fakt duhet të relaksohem dhe të bëhem gati për të fjetur?»

 Ç’mund të bësh. Mos i mbaj pajisjet elektronike në dhomën e gjumit gjatë natës. Sa herë të jetë e mundur, mos i përdor pajisjet elektronike 2 orë para gjumit. Nëse të duhet të vësh alarmin për t’u zgjuar në mëngjes, mos e vër në telefon ose në tablet.

Mos e përdor median sociale pak orë para gjumit

 «Ndonjëherë e përdor deri vonë telefonin, por po përpiqem të përmirësoj. Ka ardhur koha të rritem dhe kjo nënkupton të bëhem më i përgjegjshëm. Duhet të fle herët që ditën tjetër të jap maksimumin tim.»—Xheremi.

 Parim nga Bibla: «[Sigurohu] për gjërat më të rëndësishme.»—Filipianëve 1:10.

 Si po më ndikon media sociale te gjendja emocionale?

 Afro gjysma e vajzave në shkollë të mesme që morën pjesë në një studim, u shprehën se «ndihen vazhdimisht të mërzitura e të pashpresa». Dhe për këtë, një pjesë të fajit mund ta ketë media sociale. Dr. Leonard Saksi b thotë: «Sa më shumë kohë të harxhosh në media sociale, duke u krahasuar me të tjerët, aq më tepër gjasa ka të biesh në dëshpërim.»

 «Të rinjtë kanë prirjen të krahasohen me të tjerët dhe mediat sociale mund ta thellojnë këtë prirje. Mund të kalosh orë duke parë postimet e njerëzve të ndryshëm dhe të krahasosh jetën tënde me të tyren ose të shohësh se miqtë e tu po bëjnë qejf, kurse ti ndihesh sikur s’po e shijon fare jetën.»—Fibi.

 A e dije? Megjithëse media sociale të ndihmon të ruash lidhjet me miqtë, asgjë nuk i zëvendëson bisedat ballë për ballë. Dr. Nikolas Kardarasi shkruan: «Komunikimi me anë të mjeteve elektronike nuk e përmbush vërtet nevojën tonë të natyrshme për të folur drejtpërdrejt me të tjerët. Nuk na plotëson, sepse për ne si njerëz është jetësore të rrimë afër me njëri-tjetrin.» c

 Pyet veten: «A ndihem i vetmuar pasi shoh nëpër postime se çfarë po bëjnë miqtë e mi? A më duket e mërzitshme jeta ime kur e krahasoj me jetën në dukje interesante që shokët shfaqin në median sociale? A shkurajohem kur postimet e mia marrin pak ose asnjë like?»

 Ç’mund të bësh. Provo «detoksin e medias sociale»—pra të mos e përdorësh median sociale për disa ditë, një javë a madje një muaj. Kalo më shumë kohë duke takuar miqtë ose duke folur me ta në telefon. Shih nëse gjatë kësaj periudhe ndihesh më pak i stresuar dhe më i lumtur.

A mund të kalosh më shumë kohë duke takuar miqtë?

 «Kur përdorja median sociale, përqendrohesha tej mase te gjërat që bënin të tjerët. Por, pasi i fshiva llogaritë, ndieva sikur m’u hoq një barrë nga supet dhe papritmas kisha kohë të merresha me aktivitete më produktive.»—Briana.

 Parim nga Bibla: «Secili të shqyrtojë veprimet e tij, dhe atëherë do të ketë arsye për t’u gëzuar vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»—Galatasve 6:4.

a Nga libri iGen.

b Nga libri Why Gender Matters.

c Nga libri Glow Kids.