Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si t’i rezistoj tundimit?

Si t’i rezistoj tundimit?

 Apostulli Pavël shkroi: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.» (Romakëve 7:21) A je ndier ndonjëherë kështu? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë t’i rezistosh tundimit për të vepruar sipas dëshirave të gabuara.

 Çfarë duhet të dish?

 Tundimi dhe presioni i moshatarëve shpesh shkojnë krah për krah. Bibla thotë se «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme» ose parimet e shëndosha morale. (1 Korintasve 15:33) Presioni nga të tjerët ose nga forma të ndryshme të zbavitjes mund të të ngjallë dëshira që të çojnë në tundim e madje të të shtyjnë ‘të shkosh pas shumicës për qëllime të liga’.—Dalja 23:2.

 Për të menduar: Pse mund të bëhet më e vështirë t’i rezistosh tundimit nëse shqetësohesh tepër për opinionin e të tjerëve?—Proverbat 29:25.

 «Për shkak të presionit për të qenë i pëlqyer dhe i pranuar mund të bësh gjithçka që bëjnë të tjerët, vetëm e vetëm për të pasur miratimin e tyre.»—Xheremi.

 Përfundimi: Mos lejo që presioni i moshatarëve të të tundojë të bësh kompromis me normat e tua morale.

 Ç’mund të bësh?

 Ji i bindur për atë që beson. Nëse nuk je i bindur për atë që beson, do të jesh si kukull që kontrollohesh nga të tjerët. Është shumë më mirë të ndjekësh këshillën e Biblës: «Sigurohuni për të gjitha gjërat, mbani fort atë që është e shkëlqyer.» (1 Selanikasve 5:21) Sa më të qarta t’i kesh bindjet e tua, aq më të lehtë do ta kesh t’u përmbahesh atyre dhe t’i rezistosh tundimit për t’i shkelur.

 Për të menduar: Pse beson se normat morale të Perëndisë janë për të mirën tënde?

 «Kam vënë re se, sa herë që veproj në përputhje me bindjet e mia dhe nuk dorëzohem para tundimit, të tjerët më respektojnë edhe më shumë.»—Kimberli.

 Personazh biblik për t’u imituar: Danieli. Ndoshta Danieli ishte adoleshent kur ‘vendosi në zemër’ se do t’u bindej ligjeve të Zotit.—Danieli 1:8.

Nëse nuk je i bindur për atë që beson, do të jesh si kukull që kontrollohesh nga të tjerët

 Dallo dobësitë e tua. Bibla flet për ‘dëshirat rinore’—prirje që janë veçanërisht të forta në rini. (2 Timoteut 2:22) Këtu nuk përfshihen vetëm impulset seksuale, por edhe dëshira për t’u ndier i pranuar dhe dëshira për pavarësi pa qenë ende gati.

 Për të menduar: Bibla thotë se «secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet». (Jakovi 1:14) Cila dëshirë është më tunduese për ty?

 «Ji i sinqertë me veten se ndaj cilit tundim je më i dobët. Bëj kërkime që të dish si ta luftosh dhe shkruaj pika që mund të të vlejnë. Kështu, herës tjetër që do të jesh përballë tundimit, do të dish si t’i rezistosh.»—Silvia.

 Personazh biblik për t’u imituar: Davidi. Hera-herës ai iu dorëzua presionit të të tjerëve e madje edhe dëshirave të veta. Megjithatë Davidi mësoi nga gabimet dhe u përpoq të përmirësonte. Ai iu lut Jehovait: «Krijo tek unë një zemër të kulluar . . . dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur!»—Psalmi 51:10.

 Mbaje situatën nën kontroll. Bibla thotë: «Mos e lejo të keqen të të mundë.» (Romakëve 12:21) Kjo do të thotë se nuk ke pse të biesh pre e tundimit, por mund të zgjedhësh të bësh atë që është e drejtë.

 Për të menduar: Kur je përballë tundimit, si mund ta mbash situatën nën kontroll dhe të bësh atë që është e mirë?

 «Mendoj si do të ndihesha po të bëja gjërat që më tundojnë. A do të provoja lehtësim? Për momentin, ndoshta po. Por me kalimin e kohës do të ndihesha keq e më keq. Pra, a ia vlen të dorëzohem? Jo!»—Sofia.

 Personazh biblik për t’u imituar: Pavli. Ai e pranoi se kishte prirje të gabuara, ama i mbajti nën kontroll. Prandaj shkroi: «E rrah me grushte trupin tim dhe e drejtoj si një skllav.»—1 Korintasve 9:27.

 Përfundimi: E ke ti në dorë si do të veprosh para tundimit.

 Mos harro, tundimet janë të përkohshme. Melisa 20 vjeçe shprehet: «Mjaft gjëra që më tundonin shumë kur isha në shkollë të mesme, tani janë të papërfillshme. Kur mendoj për këtë, jam e sigurt se edhe tundimet e tanishme do të kalojnë dhe se një ditë, kur të kthej kokën pas, do të kuptoj se kam bërë mirë që u kam rezistuar.»