TË RINJTË PYESIN
Si ta përballoj një tragjedi?
Tragjeditë mund t’i ndodhin çdokujt. Bibla thotë: «Garën nuk e fitojnë gjithmonë të shpejtët dhe as betejën të fuqishmit. . . . Të gjithëve u rastis . . . të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.» (Eklisiastiu 9:11) Këtu përfshihen edhe disa të rinj që u ka ndodhur ndonjë tragjedi. Si i kanë përballuar? Shqyrtoni dy shembuj.
REBEKA
Prindërit u divorcuan kur isha 14 vjeçe.
I thosha vetes se prindërit nuk po divorcoheshin vërtet, por babi thjesht kishte nevojë të rrinte për pak kohë vetëm. Ai e donte mamin: pse duhej ta linte? Pse duhej të më linte edhe mua?
E kisha të vështirë t’i hapesha dikujt për këtë që po më ndodhte. Doja ta hiqja mendjen që aty. Isha e zemëruar, megjithëse në atë kohë nuk e kuptoja. Fillova të kisha ankth dhe probleme me gjumin.
Kur isha 19 vjeçe, më vdiq mami nga kanceri. Ajo ishte shoqja ime më e shtrenjtë.
Divorci i prindërve më tronditi thellë, ama vdekja e mamit më rrënoi komplet. Ende nuk e kam kaluar. Tani kam më tepër probleme me gjumin dhe akoma përjetoj ankth.
Por ndërkohë më kanë ndihmuar disa gjëra. Për shembull, te Proverbat 18:1 paralajmërohemi të mos veçohemi, prandaj mundohem t’ia vë veshin kësaj këshille.
Gjithashtu, si Dëshmitare e Jehovait, përpiqem të lexoj botimet tona biblike zemërdhënëse. Një prej botimeve që më ndihmoi gjatë divorcit të prindërve, ishte libri Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike. Në veçanti, më kujtohet te vëllimi 2 që lexova kapitullin «A mund të jem i lumtur në një familje me një prind?»
Një nga shkrimet e mia të preferuara për të përballuar ankthin, është Mateu 6:25-34. Në vargun 27, Jezui pyeti: «Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet?»
Të gjithëve mund të na ndodhin gjëra të këqija, por nga shembulli i mamit kam mësuar se është e rëndësishme mënyra si i përballojmë këto sprova. Ajo vuajti shumë—në fillim divorcin, pastaj një sëmundje që i mori jetën. Por gjithmonë mbajti qëndrim pozitiv dhe deri në fund pati besim të fortë te Perëndia. Nuk do t’i harroj kurrë gjërat që më ka mësuar për Jehovain.
Për të menduar: Si mund të të ndihmojë leximi i Biblës dhe i botimeve biblike për të përballuar një tragjedi?—Psalmi 94:19.
KORDELI
Kur isha 17 vjeç, pashë babanë tek vdiste. Humbja e tij ishte gjëja më e keqe që më ka ndodhur. Ndihesha i rrënuar.
Nuk më besohej që kishte vdekur vërtet, që trupi i pajetë ishte trupi i babit tim. I thosha vetes: «Ai do të zgjohet nesër.» Ndihesha bosh dhe i humbur.
Të gjithë si familje jemi Dëshmitarë të Jehovait, dhe kongregacioni ynë na mbështeti tej mase kur vdiq babi. Na gatuanin, u ofruan të rrinin me ne dhe na ndenjën pranë, jo vetëm për pak, por për një kohë të gjatë. Mbështetja e tyre ishte për mua provë se Dëshmitarët e Jehovait janë të krishterë të vërtetë.—Gjoni 13:35.
Një shkrim që më inkurajoi shumë, ishte 2 Korintasve 4:17, 18: «Ndonëse shtrëngimi është kalimtar dhe i lehtë, ai prodhon për ne një lavdi që ka një peshë, e cila tejkalon gjithnjë e më shumë çdo gjë dhe është e përhershme. Ndërkohë, i kemi sytë jo te gjërat që shihen, por tek ato që nuk shihen, sepse gjërat që shihen janë të përkohshme, por gjërat që nuk shihen janë të përhershme.»
Vargu i fundit ndikoi jashtë mase tek unë. Vuajtja e babit ishte e përkohshme, por ajo që premton Perëndia për të ardhmen, është e përhershme. Vdekja e babit më nxiti të mendoja si po e përdorja jetën dhe të vija synimet e duhura.
Për të menduar: Si mund të të nxitë një tragjedi që t’i shqyrtosh edhe një herë synimet e jetës?—1 Gjonit 2:17.