Kalo te përmbajtja

IMITONI BESIMIN E TYRE | JOBI

«Nga integriteti im nuk do të heq dorë»

«Nga integriteti im nuk do të heq dorë»

 Imagjino pak një burrë të ulur përdhe, plot flluska therëse, ose ulcera, nga maja e kokës deri te gishtat e këmbëve; me kokën që i varet poshtë, me krahë të lëshuar, vetëm, thuajse pa pikë fuqie për të hequr qafe mizat që i zukatin rreth e qark. I ulur në mes të hirit, si shenjë vajtimi, s’mund të bëjë gjë tjetër veçse të kruajë lëkurën e sëmurë me një copëz qeramike. Deri dje shumë i respektuar, ndërsa sot i përbuzur. Miqtë, fqinjët dhe familjarët e kishin braktisur. Të gjithë e vinin në lojë, madje edhe fëmijët. Mendonte se edhe Perëndia Jehova i ishte kthyer kundër, por sa gabim e kishte!—Jobi 2:8; 19:18, 22.

 Ky ishte Jobi. Për të, Perëndia tha: «Nuk ka në tërë tokën njeri si ai.» (Jobi 1:8) Shekuj më vonë Jehovai e renditi akoma Jobin ndër njerëzit më të drejtë.—Ezekieli 14:14, 20.

 Po ti, a po përballesh me vështirësi ose a të ka ndodhur ndonjë fatkeqësi? Nëse po, mund të ngushëllohesh shumë po të lexosh tregimin për Jobin. Po ashtu, do të kuptosh më mirë një cilësi që i duhet çdo shërbëtori besnik të Perëndisë—integriteti. Njerëzit tregojnë integritet kur i përkushtohen me gjithë zemër Perëndisë, aq sa vazhdojnë të bëjnë vullnetin e tij, pavarësisht nga sfidat. Le të mësojmë më shumë nga Jobi.

Çfarë nuk dinte Jobi

 Mendohet se Jobi kishte vdekur kur Moisiu besnik shkroi për jetën e tij. I frymëzuar nga Perëndia, Moisiu nuk shkroi vetëm për ngjarjet që ndodhën në tokë dhe që ndikuan te Jobi, por edhe për disa ngjarje që u shpalosën në qiell.

 Në fillim të tregimit lexojmë se Jobi bënte një jetë të lumtur. Ishte i pasur, i njohur dhe i respektuar nga të gjithë në Uz, një vend që mund të ketë qenë në veri të Arabisë. Jobi dhe gruaja e tij kishin 10 fëmijë. Ai ishte dorëgjerë me nevojtarët dhe u dilte zot të munduarve. Mbi të gjitha, e donte shumë Jehovain dhe bënte çmos t’i pëlqente Atij, ashtu si farefisi i tij i largët: Abrahami, Isaku, Jakobi dhe Jozefi. Njësoj si këta patriarkë, Jobi shërbente si prift për familjen e tij, duke bërë rregullisht flijime për fëmijët.—Jobi 1:1-5; 31:16-22.

 Krejt papritur tregimi kalon në një plan tjetër. I hedhim një sy qiellit dhe mësojmë gjëra që Jobi nuk kishte si t’i dinte. Engjëjt besnikë të Jehovait ishin mbledhur para tij e me ta ishte dhe engjëlli rebel, Satanai. Jehovai e dinte që ai e urrente Jobin e drejtë, prandaj i përmendi integritetin ose besnikërinë e jashtëzakonshme të Jobit. Satanai tha pa pikë turpi: «Vallë, më kot ka frikë Jobi nga Perëndia?! A nuk ke ngritur një gardh rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe rreth gjithçkaje që ka përqark?» Ai i urren njerëzit me integritet, sepse, kur ata i përkushtohen me gjithë shpirt Perëndisë Jehova, i çjerrin maskën Satanait si tradhtar që s’do askënd përveç vetes. Kështu ai këmbëngulte se Jobi i shërbente Perëndisë vetëm për arsye egoiste. Madje tha se, nëse Jobi do të humbte gjithçka, do ta mallkonte sy më sy Jehovain.—Jobi 1:6-11.

 Edhe pse Jobi s’kishte si ta dinte, Jehovai i kishte besuar një privilegj shumë të madh: të provonte se Satanai e kishte gabim. Këtij iu lejua t’i rrëmbente çdo gjë Jobit, përveç jetës. Satanai mezi priste të niste veprimet sadiste. Brenda një dite të vetme, Jobi përjetoi një sërë ngjarjesh të tmerrshme. Mori vesh që papritur kishte humbur të gjithë bagëtinë—në fillim qetë dhe gomaricat, pastaj delet dhe devetë. Dhe më keq akoma, ishin vrarë edhe shërbëtorët që kujdeseshin për to. Në një rast, një lajmës i raportoi Jobit se «një zjarr nga Perëndia», mbase rrufe, kishte vrarë delet dhe shërbëtorët. Nuk pati kohë as të mendohej për gjithë sa i kishte ndodhur kur mori vesh për gjëmën e radhës. 10 fëmijët e Jobit ishin mbledhur në shtëpinë e vëllait të madh kur papritur një stuhi e fortë goditi shtëpinë, e shembi dhe vrau të gjithë fëmijët.—Jobi 1:12-19.

 Është e vështirë e ndoshta e pamundur të imagjinosh si ndihej Jobi. Ai shqeu rrobat, qethi kokën dhe u ul përtokë. Jobi doli në përfundimin që Zoti i kishte dhënë gjithçka dhe Zoti ia kishte marrë. Me dhelpëri, Satanai i krijoi përshtypje Jobit se këtë tragjedi ia kishte sjellë Perëndia. Megjithatë, Jobi nuk e mallkoi Perëndinë siç kishte thënë Satanai. Përkundrazi tha: «Qoftë përherë i bekuar emri i Jehovait!»—Jobi 1:20-22.

Jobi nuk e dinte që Satanai po shpifte për të para Perëndisë

«Shih po nuk të mallkoi sy më sy!»

 I tërbuar, Satanai nuk u dorëzua. Ai u paraqit përsëri para Jehovait teksa ishin mbledhur edhe engjëjt e tjerë. Sërish Jehovai e lavdëroi Jobin që po e ruante besnikërinë, pavarësisht nga çdo sulm i Satanait. Satanai ia ktheu gjithë inat: «Lëkurë për lëkurë, dhe njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij. A mund ta zgjatësh dorën e të prekësh kockat dhe mishin e tij? Pastaj shih po nuk të mallkoi sy më sy!» Ai ishte i bindur se, nëse Jobi sëmurej rëndë, do ta mallkonte Perëndinë. Me besim të plotë te shërbëtori i tij, Jehovai e lejoi të bënte ç’të donte me shëndetin e Jobit, mjaftonte të mos i shkaktonte vdekjen.—Jobi 2:1-6.

 S’kaloi shumë dhe ai u sëmur siç u përshkrua në fillim. Imagjino gruan e tij të gjorë. E helmuar thellë nga vdekja e 10 fëmijëve, tani ndihej komplet e pafuqishme për të ndihmuar të shoqin që po vuante tmerrësisht. Në gjendje agonie, ajo rënkoi: «Akoma e mban të patundur integritetin?! Mallko Perëndinë dhe vdis!» Jobi s’po u besonte dot veshëve! Prandaj i tha se po fliste si e pamend. Prapëseprapë nuk e mallkoi Perëndinë dhe as mëkatoi me buzët e tij.—Jobi 2:7-10.

 A e di se kjo histori e trishtë dhe e vërtetë të prek edhe ty? Vër re se Satanai nuk ia drejtoi vetëm Jobit këto fjalë të vrerosura, por gjithë njerëzimit. Ai pohoi: «Njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij.» Pra tha se asnjeri nuk mund t’i qëndrojë plotësisht besnik Jehovait dhe nguli këmbë që ti nuk e do vërtet Perëndinë dhe që do ta braktisje menjëherë nëse do të të vihej koka në rrezik. Me fjalë të tjera, Satanai tha se ti je egoist, tamam si ai. A do të provosh se ai e ka gabim? Secili prej nesh e ka këtë mundësi. (Proverbat 27:11) Le të shohim një vështirësi tjetër që hasi Jobi.

Ngushëllues koti

 Tre burra që e njihnin Jobin dhe që Bibla i përshkruan si shokët e tij, morën vesh për gjëmën që i kishte rënë, prandaj vajtën t’i qanin hallin e ta ngushëllonin. Kur e panë nga larg, s’po e njihnin dot. I dërrmuar nga dhembjet dhe i nxirë nga sëmundja, Jobi ishte shpërfytyruar krejtësisht. Elifazi, Bildadi dhe Zofari, gjoja tejet të pikëlluar, qanë me të madhe dhe hodhën pluhur mbi kokë. Pastaj u ulën përtokë bashkë me të për shtatë ditë e shtatë net, dhe asnjëri s’i tha as gjysmë fjale. Vështirë që heshtja e tyre të ketë qenë ngushëllim, pasi nuk e pyetën fare Jobin dhe kuptuan vetëm atë që shihej qartë: ai po vuante tmerrësisht.—Jobi 2:11-13; 30:30.

 Përfundimisht, Jobit iu desh ta niste vetë bisedën. I pushtuar nga dhembja, ai mallkoi ditën që kishte lindur dhe foli për një nga arsyet pse ndihej aq keq. Mendonte se gjithë këto të këqija ia kishte sjellë Zoti. (Jobi 3:1, 2, 23) Edhe pse nuk e humbi besimin, Jobi kishte tmerrësisht nevojë për ngushëllim. Por, kur shokët e tij filluan të flisnin, kuptoi se do të ishte më mirë sikur të mos e kishin hapur fare gojën.—Jobi 13:5.

 I pari foli Elifazi, mbase më i madhi nga 3 shokët, por më i moshuar se Jobi. Më pas folën dy të tjerët. Në përgjithësi thanë broçkulla njësoj si Elifazi. Gjërat që përmendën, ishin veç fjalë boshe, edhe pse disa prej tyre mund të dukeshin të padëmshme, si për shembull, Perëndia është i madh, ai i dënon të këqijtë dhe shpërblen të mirët. Por që nga fillimi dukej që fjalët e tyre ishin të kamufluara me mirësi. Elifazi foli gjoja me logjikë, por shpërfilli disa të vërteta të rëndësishme. Ai tha se, nëse Perëndia është i mirë dhe i ndëshkon të ligjtë, atëherë Jobi po ndëshkohej ngaqë ishte njeri i keq.—Jobi 4:1, 7, 8; 5:3-6.

 Nuk çuditemi që Jobi s’e pranoi arsyetimin e tij, madje e kundërshtoi me forcë. (Jobi 6:25) Por kjo veçse ua mbushi mendjen 3 ngushëlluesve se ai po fshihte ndonjë mëkat, prandaj i meritonte gjithë të këqijat që po i binin. Elifazi e akuzoi se ishte arrogant, i lig dhe pa frikë Perëndie. (Jobi 15:4, 7-9, 20-24; 22:6-11) Zofari i tha Jobit ta flakte tej të keqen e mos të gjente kënaqësi te mëkati. (Jobi 11:2, 3, 14; 20:5, 12, 13) Ndërsa fjalët e Bildadit ishin edhe më therëse. Ai tha se bijtë e Jobit kishin mëkatuar, ndaj vdiqën.—Jobi 8:4, 13.

Tre shokët e Jobit në vend që ta ngushëllonin, e lënduan më shumë

Sulm ndaj integritetit

 Këta ngushëllues të rremë shkuan më tej. Vunë në dyshim jo vetëm besnikërinë e Jobit, por edhe vetë cilësinë e besnikërisë. Me këtë e mbushën kupën. Në fjalimin hapës, Elifazi përshkroi ngjarjen rrëqethëse me një krijesë demonike. Pas kësaj doli në përfundimin tronditës se Zoti ‘nuk u zë besë shërbëtorëve të vet, madje edhe engjëjve të tij u gjen të meta’. Sipas tij është e pamundur të kënaqësh Perëndinë. Më vonë, Bildadi pohoi se integriteti i Jobit kishte aq vlerë sa integriteti i një vemje.—Jobi 4:12-18; 15:15; 22:2, 3; 25:4-6.

 A je përpjekur ndonjëherë të ngushëllosh dikë të dërrmuar shpirtërisht? Nuk është dhe aq e lehtë. Por mësojmë shumë nga ngushëlluesit e rremë të Jobit, sidomos çfarë të mos themi në këto raste. Në fjalimet e tyre të stërholluara e plot arsyetime të gabuara nuk ia përmendën asnjëherë emrin Jobit. Nuk e morën fare parasysh plagën e tij të zemrës dhe as u sollën butësisht me të. a Prandaj, nëse dikush që ke për zemër ndihet përtokë, përpiqu të jesh miqësor, i përzemërt dhe i butë. Gjej mënyra si ta inkurajosh e t’i forcosh besimin te Perëndia e te drejtësia, mëshira dhe mirësia e tij unike. Këtë do të bënte Jobi për shokët e tij nëse do të ishte në vendin e tyre. (Jobi 16:4, 5) Por, si reagoi ai ndërsa e akuzonin pareshtur se nuk e mbante integritetin?

Jobi nuk u lëkund

 I gjori Job! Zemrën e kishte vrer, por tani duhej të përfshihej edhe në këtë debat të stërgjatë. Që në fillim e pranoi se ndonjëherë fjalët e tij ishin «të rrëmbyera» dhe si ‘thëniet e një të dëshpëruari’. (Jobi 6:3, 26) Dhe është normale, sepse ato pasqyronin agoninë që po kalonte. Gjithashtu tregonin se nuk e kuptonte plotësisht situatën. Ai mendonte se shkaku i tragjedive ishte Jehovai, ngaqë ndodhën aq shpejt dhe dukeshin si të mbinatyrshme. Mirëpo, ky lloj arsyetimi ishte i gabuar, pasi kishin ndodhur ngjarje të rëndësishme për të cilat Jobi s’ia kishte idenë.

 Gjithsesi, Jobi kishte besim të fortë. Teksa fliste plot besim, shprehu fjalë të vërteta, të këndshme e zemërdhënëse edhe për ne. Kur foli për mrekullitë e krijimit, i dha lavdi Perëndisë, duke nxjerrë në pah gjëra që vetëm Ai mund t’ia zbulonte. Për shembull, tha se Jehovai ‘e mban tokën të varur në asgjë’, një fakt shkencor tejet i përparuar për atë kohë. b (Jobi 26:7) Kur foli për shpresën e tij për të ardhmen, shprehu atë lloj sigurie që kishin shprehur edhe shumë besnikë të tjerë. Ai besonte se, po të vdiste, Perëndia s’do ta harronte, do të kishte mall për të dhe me kalimin e kohës do ta ringjallte.—Jobi 14:13-15; Hebrenjve 11:17-19, 35.

 Ç’të themi për çështjen e integritetit? Elifazi me 2 shokët e tij këmbëngulën se integriteti i njeriut nuk ka vlerë në sytë e Perëndisë. A e pranoi Jobi këtë mësim të shtrembëruar? Përkundrazi, e kuptoi mirë se integriteti ka rëndësi për Perëndinë. Me siguri të plotë tha se Jehovai ‘do ta njihte integritetin e tij’. (Jobi 31:6) Më tej kuptoi se arsyetimet e rreme të të ashtuquajturve ngushëllues ishin veç sulme ndaj integritetit të tij. Kjo e nxiti Jobin të bënte një fjalim aq të gjatë, sa ua mbylli gojën të 3 burrave.

 Jobi e ndiente se besnikëria lidhej me çdo aspekt të jetës. Prandaj e mbrojti veten duke u shpjeguar si e kishte ruajtur besnikërinë në çdo gjë. Për shembull, ai shmangte çdo lloj idhujtarie; i trajtonte të tjerët me mirësi dhe dinjitet; mbeti i pastër moralisht; çmonte martesën dhe mbi të gjitha i ishte përkushtuar plotësisht të vetmit Perëndi të vërtetë, Jehovait. Ndaj Jobi mund të thoshte me plot gojën: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.»—Jobi 27:5; 31:1, 2, 9-11, 16-18, 26-28.

Jobi nuk hoqi dorë nga integriteti

Imitoni besimin e Jobit

 A e çmon integritetin po aq sa Jobi? Ai e kuptoi mirë se nuk është fare e lehtë të mbetesh besnik. Pritet që t’i kushtohemi plotësisht dhe me gjithë zemër Perëndisë dhe t’i bindemi e të bëjmë atë që është e drejtë, pavarësisht nga vështirësitë. Atëherë, jo vetëm që do ta gëzojmë Jehovain, por edhe do t’i sabotojmë planet e Satanait, siç bëri Jobi kohë më parë. S’ka mënyrë më të mirë për të imituar besimin e Jobit!

 Por, historia e tij nuk mbaron këtu. Ai kishte harruar çfarë ishte më e rëndësishme, pasi ishte përqendruar aq shumë te drejtësia e vet, saqë nuk e mbrojti aspak reputacionin e Perëndisë. Kishte nevojë për ndreqje dhe ndihmë që t’i shikonte gjërat si Perëndia. Dhe në atë gjendje të mjerueshme kishte jashtë mase nevojë për ngushëllim të vërtetë. Çfarë do të bënte Jehovai për këtë njeri me besim dhe me integritet? Përgjigjen do ta marrim në një artikull tjetër të kësaj rubrike.

a Për çudi, Elifazi me shokët e tij mendonin se po i flitnin me butësi Jobit, ndoshta ngaqë nuk po ngrinin zërin. (Jobi 15:11) Por edhe fjalët e thëna me butësi mund të jenë si një goditje therëse.

b Me sa dihet, vetëm rreth 3.000 vjet më vonë shkencëtarët filluan të pranonin idenë se toka nuk ka nevojë për një objekt që të mbahet. Njerëzimi pa prova të qarta të fjalëve të Jobit vetëm kur toka u fotografua nga hapësira.