Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Fëmijët dhe smartphoni—Pjesa 1: A duhet të ketë smartphone fëmija im?

Fëmijët dhe smartphoni—Pjesa 1: A duhet të ketë smartphone fëmija im?

 Gjithnjë e më shumë fëmijë sot kanë smartphone a dhe shumica e përdorin për të hyrë në internet kur rrinë vetëm në dhomën e tyre. Cilat janë rreziqet nëse e lejon fëmijën të ketë smartphone? Cilat janë dobitë? Si ta kuptosh nëse fëmija po kalon tepër kohë ngulur para ekranit?

 Ç’duhet të dish

 Dobitë

  •   Fëmijët janë më të sigurt dhe prindërit e kanë mendjen të qetë. Betania, që ka dy fëmijë adoleshentë, thotë: «Jetojmë në një botë të rrezikshme. Prandaj është shumë e rëndësishme që fëmijët të kenë mundësi të kontaktojnë me prindërit.»

     Një nënë që quhet Katerina, shton: «Falë disa aplikacioneve, mund të lidhesh me telefonin e fëmijës për ta ditur ku është.»

  •   Ndihmë për detyrat e shkollës. Një nënë që quhet Maria, thotë: «Nëpërmjet email-it ose mesazheve, fëmijët marrin detyrat e shtëpisë dhe komunikojnë me mësuesit.»

 Rreziqet

  •   Tepër kohë para ekranit. Në përgjithësi fëmijët e të rinjtë kalojnë shumë orë në ditë me celular në dorë. Në fakt, edhe prindërit kalojnë po aq kohë me celularët sa kalojnë duke biseduar me fëmijët. Sipas një eksperti, disa familje janë bërë si «një grup me të panjohur që çdo ditë rrinë bashkë, ama secili është i fiksuar pas celularit të vet». b

  •   Pornografia. Sipas një studimi, më shumë se gjysma e adoleshentëve kërkojnë materiale pornografike çdo muaj. Kjo s’është për t’u habitur kur merr parasysh sa kollaj mund të gjesh materiale të tilla nëpërmjet celularit. Uilliami, baba i dy adoleshentëve, thotë: «Duke i lejuar fëmijët të kenë një smartphone, pa dashje prindërit po hapin një dyqan me materiale pornografike që e ndjek fëmijën kudo.»

  •   Varësia. Shumë njerëz lidhen emocionalisht me celularin. Ata thonë se, nëse u humbet, i zë paniku, u ikën truri dhe madje sëmuren. Disa prindër vërejnë se fëmija i tyre bëhet i paedukatë kur merret me celularin. Karmeni thotë: «Ndonjëherë, kur dua të flas me djalin, ai shtrembëron fytyrën ose këput ndonjë shprehje ironike se bezdiset kur e ndërpresin.»

  •   Rreziqe të tjera. Ndër rreziqet e tjera që sjell përdorimi i smartphonit janë bullizmi kibernetik, sexting dhe probleme të ndryshme shëndetësore që vijnë nga pozicioni i gabuar i trupit dhe mungesa e gjumit. Disa të rinj përdorin «aplikacione fantazmë»—pra, aplikacione me një ikonë që duket e padëmshme, për shembull, një makinë llogaritëse, për të fshehur materiale që nuk duan t’i shohin prindërit.

     Danieli, që ka një vajzë adoleshente, e përmbledh kështu: «Smartphoni i hap derën gjithçkaje që ofron interneti, qoftë e mirë, qoftë e keqe.»

 Cilat pyetje duhet t’i bësh vetes

  •   «A i duhet vërtet një smartphone fëmijës tim?»

     Bibla thotë: «Mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.» (Proverbat 14:15) Me këtë parim në mendje, pyet veten:

     «A do të ishte e mençur që fëmija im të kishte një smartphone për të qenë më i sigurt ose për arsye të tjera? A i kam peshuar mirë dobitë dhe rreziqet? A ka ndonjë alternativë tjetër përveç smartphonit?»

     Një baba që quhet Tod, thotë: «Ekzistojnë ende celularët e thjeshtë që të ndihmojnë të jesh në kontakt me fëmijën nëpërmjet mesazheve dhe telefonatave. Veç kësaj, do të kursesh goxha para.»

  •   «A është fëmija im gati për këtë përgjegjësi?»

     Bibla thotë: «Zemra e prin të mençurin në rrugë të drejtë.» (Eklisiastiu 10:2) Me këtë parim në mendje, pyet veten:

     «Çfarë më bind se fëmija im është i besueshëm? A kemi tashmë një komunikim të mirë e të hapur? A më thotë gjithmonë të vërtetën apo më fsheh gjëra, për shembull, nuk më tregon cilët janë miqtë e tij? A ka treguar se ka vetëkontroll me pajisje të tjera, si televizori, tableti ose laptopi?» Një nënë që quhet Serena, komenton: «Smartphoni është një mjet fantastik, por edhe shumë i rrezikshëm. Mendo mirë se ç’përgjegjësi të madhe po i jep fëmijës që në moshë të njomë.»

  •   «A jam unë gati për këtë përgjegjësi?»

     Bibla thotë: «Stërvite fëmijën në udhën që duhet të ndjekë.» (Proverbat 22:6, shënimi) Me këtë parim në mendje, pyet veten:

     «A e njoh unë mjaftueshëm smartphonin që të ndihmoj fëmijën të kuptojë dhe të shmangë rreziqet e mundshme? A di të instaloj aplikacionet e kontrollit prindëror? Si do ta ndihmoj fëmijën të marrë vendimet e duhura ndërsa përdor smartphonin?» Danieli i cituar më sipër, thotë: «Kam parë shumë prindër që u japin fëmijëve një smartphone e pastaj i lënë pa kontroll fare.»

 Përfundimi: Fëmijët kanë nevojë t’i mësosh si ta përdorin smartphonin në mënyrë të përgjegjshme. Një libër komenton: «Tundimi për t’i përdorur me tepri këto pajisje është shumë i fortë dhe s’mund të presim që fëmijët tanë t’i rezistojnë vetë, pa mbikëqyrjen e prindërve.»—Indistractable.

a Në këtë artikull, termi «smartphone» i referohet një celulari që mund të lidhet me internetin.

b Nga libri Disconnected, nga Tomas Kërsting.