NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Kur fëmija humbet besimin tënd
Disa adoleshentë nuk i respektojnë oraret që u vënë prindërit. Të tjerë mbase i gënjejnë ose ikin fshehurazi nga shtëpia, që të takohen me shokët. Ç’mund të bësh nëse fëmija adoleshent humbet besimin tënd? a
A është rebel fëmija im?
Jo medoemos. Bibla thotë se «marrëzia i ka rrënjët në zemrën e një të riu» dhe shpesh adoleshentët tregojnë sa të vërteta janë këto fjalë. (Proverbat 22:15, shënimi) Dr. Lorens Stinbergu shkruan: «Ndonjëherë adoleshentët marrin vendime të nxituara dhe të gabuara. Ndaj flijeni mendjen se do të bëjnë gabime.» b
Ç’të bëj nëse më gënjen?
Mos dil në përfundimin se fëmija dëshiron të sfidojë autoritetin tënd. Studimet tregojnë se adoleshentëve u intereson shumë mendimi i prindërve, edhe pse mund të duket ndryshe. Ndonëse mund të mos e japë veten, ka të ngjarë të jetë i zhgënjyer me veten dhe i mërzitur që të ka zhgënjyer ty.
Kush e ka fajin?
A e ka fajin ambienti? Bibla thotë: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.» (1 Korintasve 15:33) Po, shokët ndikojnë jashtë mase tek adoleshentët. Po ashtu, edhe faktorë të tjerë, si rrjetet shoqërore dhe reklamat. Të mos harrojmë se atyre u mungon edhe përvoja e jetës. Ndaj kuptohet pse mund të marrin vendime të gabuara. Sigurisht, që të bëhen të rritur të përgjegjshëm, duhet të mësojnë të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre.
A e kam fajin unë? Ndoshta mendon se ke qenë tepër strikt dhe se e ke shtyrë ti adoleshentin drejt një sjelljeje të gabuar. Ose ndoshta thua me vete që je treguar shumë tolerant dhe i ke dhënë liri të tepruar. Mirëpo, në vend që të vrasësh mendjen se ku ke gabuar, mendo si mund ta zgjidhësh problemin.
Si ta ndihmoj të rifitojë besimin tim?
Bëj kujdes si reagon. Në këto raste, fëmija pret që të acarohesh. Ama mund të reagosh ndryshe. Me qetësi, fol me të që të kuptosh pse gaboi. Ishte kurioz? I mërzitur? I vetmuar? I mungonte shoqëria? S’diskutohet që asgjë nga këto nuk e justifikon gabimin, por mund të të ndihmojë ty dhe fëmijën që të kuptoni rrënjën e problemit.
Parim nga Bibla: ‘Ji i shpejtë për të dëgjuar, mos u nxito për të folur.’—Jakovi 1:19.
Ndihmoje të arsyetojë. Bëji pyetje të tilla, si: ç’mësim nxore nga kjo përvojë? Çfarë do të bëje ndryshe nëse kjo situatë përsëritet? Kështu do ta mësosh fëmijën si të arsyetojë që të marrë vendime të mira.
Parim nga Bibla: «Korrigjo, hiq vërejtje dhe nxit me shumë durim si një mësues i mirë.»—2 Timoteut 4:2.
Disiplinoje që të kuptojë se veprimet kanë pasoja. Disiplina e ndihmon adoleshentin të mësojë nga gabimet. Për shembull, nëse merr vesh se ka lënë orët e mësimit për të dalë me shokët, mund të vësh ca kufizime të arsyeshme për kohën që kalon me shokët.
Parim nga Bibla: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—Galatasve 6:7.
Përpiqu ta ndihmosh të rifitojë besimin tënd. Është e vërtetë se kjo nuk ndodh sa hap e mbyll sytë. Gjithsesi, adoleshenti duhet ta ketë të qartë se besimi mund të rifitohet me kalimin e kohës. Bëj çmos që, si të thuash, fëmija të shohë dritë në fund të tunelit. Nëse i duket sikur nuk do ta rifitojë kurrë besimin tënd, mund të dorëzohet.
Parim nga Bibla: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»—Kolosianëve 3:21.