NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA
A po ndikon alkooli në martesën tënde?
A të ka shprehur bashkëshorti ose bashkëshortja se e shqetësojnë zakonet e tua lidhur me alkoolin? Nëse po, ka disa faktorë të cilëve duhet t’u kushtosh vëmendje.
Në këtë artikull
Abuzimi me alkoolin dhe martesa—një koktej i rrezikshëm
Abuzimi me alkoolin mund të shkaktojë lloj-lloj problemesh shëndetësore, përfshirë këtu sëmundje të zemrës, cirrozë të mëlçisë dhe kancer. Por abuzimi me alkoolin nuk sjell vetëm probleme shëndetësore; sjell edhe probleme në martesë. Në fakt ai mund të jetë shkaku i dhunës në familje, i problemeve financiare, i tradhtisë dhe i divorcit.
Bibla thotë se alkooli, kur pihet me tepri, «të kafshon si gjarpër dhe të helmon si nepërkë». (Proverbat 23:32) Si ta kuptosh nëse ke krijuar varësi ndaj alkoolit?
A ke krijuar varësi ndaj alkoolit?
Pyetjet e mëposhtme mund të të ndihmojnë të dallosh nëse ke krijuar varësi:
A e ke të vështirë të kontrollosh sasinë e alkoolit që konsumon?
A mendon shpesh se kur do të pish prapë?
A vazhdon të pish edhe pse kjo të hap probleme në jetë, madje edhe në martesë?
Kur përpiqesh ta lësh, a vë re simptomat e ndërprerjes?
A është pija mollë sherri mes teje dhe bashkëshortit?
A pi më shumë alkool tani se në të kaluarën, edhe pse mund ta mbash?
A e kthen ndonjë gotë fshehurazi ose a e fsheh alkoolin në shtëpi ose në punë?
Nëse përgjigjja jote për një ose më shumë nga këto pyetje është po, ka të ngjarë të kesh krijuar varësi ndaj alkoolit. Mbase vuan nga çrregullimi i përdorimit të alkoolit, që ndryshe quhet alkoolizëm.
Kujdes nga prirja për ta mohuar
A të ka shprehur bashkëshorti merak për sasinë që pi? Nëse po, mbase je përpjekur ta minimizosh ose ta justifikosh sjelljen tënde. Ndoshta ua ke hedhur fajin të tjerëve, për shembull bashkëshortit, me fjalë të tilla, si:
«Po të më trajtoje më mirë, s’do të kisha pse të pija.»
«Po të kishe shefin tim, edhe ti do të pije.»
«Njoh plot veta që pinë më shumë se unë.»
Nëse thua gjëra të tilla, mos po e vendos dëshirën për të pirë para dëshirës për një martesë të lumtur? Por, cila gjë duhet të jetë më e rëndësishme?
Parim nga Bibla: «Burri i martuar merakoset . . . si të fitojë miratimin e gruas.»—1 Korintasve 7:33.
Ç’mund të bësh
Kushtoju vëmendje shqetësimeve që shpreh bashkëshorti. Edhe nëse bashkëshorti është tepër i ndjeshëm për këtë çështje, pse të mos bësh ca ndryshime? Nëse nuk e bën dot këtë, pra nëse këmbëngul të pish pavarësisht nga ankthi që i shkakton bashkëshortit, kjo në vetvete është tregues se alkooli është bërë problem.
Parim nga Bibla: «Secili të vazhdojë të kërkojë jo interesin e vet, por atë të tjetrit.»—1 Korintasve 10:24.
Informohu. Për të fituar një betejë, ushtari duhet të njohë taktikat e armikut. Ti ke një sfidë të ngjashme—që të mposhtësh armikun, duhet të marrësh informacione për alkoolizmin dhe si i zë në grackë njerëzit. Do të të duhet të mësosh edhe strategji të efektshme që do të të ndihmojnë të çlirohesh nga kjo varësi dhe të mos biesh përsëri pre e saj.
Parim nga Bibla: «Vazhdoni të rrini larg nga dëshirat mëkatare, të cilat luftojnë kundër jush.»—1 Pjetrit 2:11.
Kërko ndihmë. Ka disa shërbime në fushën e mjekësisë që ndihmojnë në mposhtjen e çrregullimit të përdorimit të alkoolit, për shembull programe rehabilitimi, qendra kurimi dhe spitale. Gjithashtu, mund të flasësh me një mik të pjekur që mund të të ndihmojë të kuptosh nëse ka arsye të tjera pse ke krijuar varësi ndaj alkoolit. Pastaj merre në telefon këtë mik sa herë që të vjen t’i rikthehesh vesit.
Parim nga Bibla: «Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.
Abuzimi me alkoolin është një problem kompleks që nuk merr zgjidhje thjesht me leximin e një artikulli të shkurtër. Nuk e mposht dot as duke thënë: «Do të mundohem të pij më pak.» Gjithsesi, nuk duhet të harrosh se mënyra si e trajton këtë çështje nuk do të ndikojë vetëm te shëndeti, por edhe te martesa jote.
Për më shumë informacion: Lexo artikujt e mëposhtëm që të mësosh si e kanë mposhtur të tjerët alkoolizmin.
Gjithashtu shih videon «M’u neverit jeta që bëja»