Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

A duhet të bashkëjetojmë para se të martohemi?

A duhet të bashkëjetojmë para se të martohemi?

 Shumë çifte bashkëjetojnë para se të martohen. Disa duan të shohin sa përputhen me njëri-tjetrin dhe mendojnë se bashkëjetesa do t’ua bëjë më të lehtë të kenë një martesë të lumtur. Por, a është e mençur të bashkëjetosh para se të martohesh?

Në këtë artikull

 Çfarë thotë Bibla?

  •   Bibla e dënon seksin jashtë martese. Për shembull, ajo thotë: «Rrini larg imoralitetit seksual.» (1 Selanikasve 4:3; 1 Korintasve 6:18) Këtu përfshihet edhe seksi mes një djali e një vajze që bashkëjetojnë, edhe nëse kanë ndër mend të martohen më vonë. a Normat e Biblës mund ta mbrojnë një çift nga shtatzënitë jashtë lidhjes martesore dhe nga pasoja të tjera negative që mund të sjellë bashkëjetesa para martesës.

  •   Martesën e themeloi Perëndia. Kur e bëri këtë, ai tha: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe do të bëhen një mish i vetëm.» (Zanafilla 2:24) Ndjenja e përkushtimit që sjell martesa, është themeli më i mirë për një familje që karakterizohet nga dashuria dhe stabiliteti.

 A do të të përgatitë bashkëjetesa për jetën martesore?

 Disa thonë po. Ata mendojnë se një çift fiton eksperiencë të çmuar kur bëjnë bashkë punët e shtëpisë dhe kur vërejnë zakonet e njëri-tjetrit. Megjithatë, një faktor i domosdoshëm për një martesë të suksesshme është përkushtimi.

 Si mund të mësojë një çift të ruajë një lidhje të ngushtë, si në kohë të mira, ashtu edhe në të vështira? Jo duke u futur në një «periudhë prove» paraprake, ku secili nga partnerët e shohin lidhjen e tyre si një marrëdhënie që mund t’i japin fund kur t’u teket. Përkundrazi, një marrëdhënie forcohet kur të dy partnerët kanë një ndjenjë të fortë përkushtimi ndaj njëri-tjetrit dhe punojnë bashkë për të kapërcyer problemet.

 Përfundimi: Në vend se të përgatiten për martesë, në të vërtetë, çiftet që bashkëjetojnë më përpara, mbase po përgatiten për t’u ndarë.

 Parim nga Bibla: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—Galatasve 6:7.

 A do të të ndihmojë bashkëjetesa financiarisht?

 Disa thonë po. Sipas një sondazhi të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara nga Pew Research Center, rreth 4 në 10 të rritur që filluan të bashkëjetonin, e bënë këtë për arsye financiare. Mirëpo, pasi bashkëjetuan për njëfarë kohe, shumë nga të anketuarit i përmendnin ende problemet financiare si një nga arsyet kryesore pse nuk ishin gati për martesë.

 Bashkëjetesa para martesës mund të ketë edhe pasoja të tjera negative, sidomos për gratë. Për shembull, kur një lidhje merr fund, zakonisht janë gratë ato që marrin përsipër përgjegjësinë për të rritur fëmijët që kanë ardhur në jetë nga ajo lidhje.

 Përfundimi: Pasojat negative të bashkëjetesës mund të jenë shumë më të mëdha se dobitë e supozuara.

 Parim nga Bibla: «Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson si të nxjerrësh dobi për vete.»—Isaia 48:17.

 A do të të ndihmojë bashkëjetesa të mos martohesh me personin e gabuar?

 Disa thonë po. Megjithatë, siç tregon një libër që trajton këtë temë, «ata që jetojnë bashkë para se të martohen, shpesh nuk e kuptojnë se bashkëjetesa ua bën më të vështirë të ndahen». (Fighting for Your Marriage) Pse? Disa çifte që bashkëjetojnë, mund të zbulojnë se kanë mospërputhje karakteri të mëdha. Por, për shkak të detyrimeve të përbashkëta të tilla, si një kafshë shtëpiake, një kontratë qiraje ose një shtatzëni e papritur, zhvillojnë atë që studiuesit e quajnë «inercia e bashkëjetesës». b Me fjalë të tjera, «disa që përndryshe do të ndaheshin, përfundojnë të martuar, thjesht sepse kjo është zgjidhja më e lehtë»,—shpjegon më tej libri i përmendur më sipër.

 Përfundimi: Në vend që të të ndihmojë të marrësh një vendim të mençur, bashkëjetesa mund të ta bëjë më të vështirë t’i japësh fund një lidhjeje që nuk funksionon.

 Parim nga Bibla: «Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon përpara dhe vuan pasojat.»—Proverbat 22:3.

 A ka një zgjidhje më të mirë?

 Mund t’i shmangësh rreziqet që sjell bashkëjetesa para martesës dhe të shtosh mundësitë për të pasur një martesë të lumtur. Si? Duke iu përmbajtur normave të Biblës për martesën. Lër kohë mjaftueshëm që ta njohësh mirë personin me të cilin po mendon të martohesh, para se të jetoni bashkë si burrë e grua. Është e mençur ta zgjedhësh shokun e jetës duke u bazuar te vlerat dhe te bindjet e përbashkëta. Këto gjëra kanë shumë më tepër rëndësi se tërheqja seksuale.

 Bibla përmban këshilla që tregojnë si mund të hedhësh themelin për një martesë të lumtur e të qëndrueshme. c Për shembull, parimet e saj mund të të ndihmojnë . . .

 Për të mësuar më shumë rreth këtyre temave, shih pjesën «Martesa dhe familja» në sitin jw.org.

 Parim nga Bibla: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar.»—2 Timoteut 3:16.

b Nga artikulli «Sliding Versus Deciding: Inertia and the Premarital Cohabitation Effect», nga Skot Stenli, Galena Klajn Rodsi dhe Hauard Markmeni, publikuar në revistën Family Relations.

c Në disa kultura, prindërit ndikojnë shumë në zgjedhjen e bashkëshortit për fëmijët e tyre. Në këtë rast, Bibla mund t’i ndihmojë prindërit të kuptojnë cilat cilësi kanë më shumë rëndësi.