NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Si ndikon divorci te fëmijët?
Disa bashkëshortë që s’shkojnë mirë me njëri-tjetrin, mendojnë se divorci është zgjidhja e duhur për fëmijët. Sipas tyre, kjo do të ishte më mirë se të jetosh me dy prindër që zihen. Po çfarë tregojnë faktet?
Ç’pasoja sjell divorci te fëmijët?
Studimet tregojnë se divorci ka pasoja shkatërrimtare te fëmijët. Fëmijët me prindër të divorcuar janë më të prirur:
të zemërohen, të kenë ankth dhe depresion
të sillen keq
të shkojnë keq me mësime ose ta lënë fare shkollën
të sëmuren
Gjithashtu, shumë fëmijë fajësojnë veten për divorcin e prindërve. Mendojnë se e shkaktuan ata ose se nuk bënë asgjë për ta parandaluar.
Problemet e tyre mund të vazhdojnë edhe në moshë të rritur, kur ka më shumë gjasa të vuajnë nga vlerësimi i ulët për veten dhe ta kenë të vështirë t’u besojnë të tjerëve. Madje ka më shumë mundësi të divorcohen kur t’u lindin probleme në martesë.
Përfundimi: Megjithëse disa e shohin divorcin si zgjidhjen më të mirë për fëmijët, studimet nuk e mbështetin këtë. Penelope Liçi, eksperte për kujdesin ndaj fëmijëve, shkruan: «Divorci ua shkatërron jetën fëmijëve.» a
Parim nga Bibla: ‘Mos kërkoni vetëm interesat tuaja, por edhe të të tjerëve.’—Filipianëve 2:4.
A do të jetë më i lumtur fëmija nëse divorcohem?
Disa thonë po. Megjithatë, mbaj parasysh se zakonisht nevojat e prindërve nuk janë të njëjta me ato të fëmijëve. Bashkëshorti që po mendon divorcin, do një jetë të re. Ndërsa fëmija do jetën që ka, me babin dhe mamin së bashku.
Pasi analizuan mijëra divorce, autoret e librit The Unexpected Legacy of Divorce shkruan: «Një gjë është e qartë: fëmijët nuk thonë se janë më të lumtur. Përkundrazi e thonë hapur: ‘Fëmijëria ime mbaroi ditën që m’u divorcuan prindërit.’» Libri shton se atyre bota u duket «një vend shumë më i pasigurt, madje i rrezikshëm, ngaqë marrëdhëniet e njerëzve të tyre më të shtrenjtë nuk janë më stabël».
Përfundimi: Kur prindërit divorcohen, ka të ngjarë që fëmijët të jenë të palumtur.
Parim nga Bibla: «Një shpirt i dërrmuar t’i shteron forcat.»—Proverbat 17:22.
Ç’duhet të di për kujdestarinë e përbashkët?
Disa të divorcuar përpiqen të imitojnë familjet me dy prindër, duke menduar se mund të përmbushin përgjegjësitë në rritjen e fëmijës njësoj si më parë. Sidoqoftë, kujdestaria e përbashkët është e vështirë. Studimet tregojnë se prindërit e divorcuar shpesh:
kalojnë më pak kohë me fëmijët
u mësojnë fëmijëve norma të kundërta
i lejojnë fëmijët të bëjnë ç’të duan ngaqë ndihen fajtorë ose të lodhur
Gjithashtu, një fëmijë me prindër të divorcuar mund të zhvillojë prirjen për të mos iu bindur atyre. Në fund të fundit, prindërit e tij nuk bënë atë që është e drejtë, pra nuk mbajtën premtimin për të qëndruar bashkë. Ndaj, fëmija mund të arsyetojë: «E pse u dashka t’i dëgjoj?»
Përfundimi: Zakonisht, kur prindërit divorcohen, kujdestaria e përbashkët është e vështirë. Por situata është edhe më e vështirë për fëmijët.
Parim nga Bibla: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, që të mos shkurajohen.»—Kolosianëve 3:21, shënimi.
A ka zgjidhje më të mirë?
Në shumicën e rasteve është më mirë që çifti të përpiqet të ruajë martesën, sesa të investojë për jetën pas divorcit. Libri The Case for Marriage shpjegon: «Edhe pse martesa nuk po shkon mirë, nuk do të thotë se s’do të përmirësohet kurrë. Ata që nuk divorcohen edhe pse s’janë të lumtur për momentin, me kohë do të ndihen shumë më të lumtur.» Si përfundim, kur prindërit qëndrojnë së bashku, fëmijët rriten më mirë.
Kjo nuk do të thotë se divorci nuk është asnjëherë zgjidhje. Faktikisht, Bibla e lejon divorcin kur ka për bazë imoralitetin seksual. (Mateu 19:9) Nga ana tjetër thotë edhe se «mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin». (Proverbat 14:15) Çiftet me një martesë problematike duhet të marrin parasysh të gjithë faktorët, përfshirë edhe pasojat që sjell divorci te fëmijët.
Sigurisht, nuk mjafton thjesht të durosh një situatë pa bërë asnjë përpjekje për ta rregulluar. Bibla siguron këshillat më të mira për të ndihmuar bashkëshortët që të zhvillojnë cilësitë e duhura për një martesë jetëgjatë e të lumtur. Kjo s’na habit sepse lidhjen martesore e krijoi Jehovai, Autori i Biblës.—Mateu 19:4-6.
Parim nga Bibla: «Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson si të nxjerrësh dobi për vete.»—Isaia 48:17.
a Nga libri Your Growing Child—From Babyhood Through Adolescence.