Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Si t’i drejtosh fëmijët?

Si t’i drejtosh fëmijët?

 Çfarë duhet të dish?

 Sot, në disa kultura, fëmijët kanë një lidhje të ngushtë me prindërit dhe kërkojnë drejtimin e tyre. Në të tjera shpesh fëmijët kërkojnë drejtim nga bashkëmoshatarët.

 Rasti i dytë ia ul vlerën autoritetit të prindërve. Në fakt, derisa fëmijët arrijnë moshën e adoleshencës, prindërit mund të ndihen sikur s’kanë më ndikim tek ata. Dhe s’ka pse çuditemi. Kur fëmijët kalojnë tepër kohë me fëmijë të tjerë, është sikur po rritin njëri-tjetrin, në vend që t’i rritin prindërit.

 Pse e kanë kaq të lehtë të lidhen më ngushtë me bashkëmoshatarët sesa me prindërit? Shqyrto këto arsye.

  •   Shkolla. Kur fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të kohës me fëmijë të tjerë, krijojnë lidhje mes tyre dhe vlerësojnë më tepër miratimin e moshatarëve sesa të prindërve. Ky qëndrim mund të bëhet edhe më i dukshëm kur të jenë adoleshentë.

    Fëmijët duhet të vlerësojnë miratimin e prindërve me tepër se të shokëve të shkollës

  •   Më pak kohë me familjen. Në shumë familje, kur fëmijët kthehen nga shkolla, s’gjejnë njeri në shtëpi, ndoshta sepse prindërit janë në punë.

  •   Bota e adoleshentëve. Kur hyjnë në adoleshencë, fëmijët tashmë janë zhytur në botën e tyre, me rregullat e veta për mënyrën si vishen, si flasin dhe si veprojnë. Shpesh, vlerësojnë mendimin që kanë moshatarët për ta sesa atë të prindërve.

  •   Marketingu. Duke pasur në mendje të rinjtë, bizneset reklamojnë shumë produkte dhe forma zbavitjeje vetëm për ta, e kështu thellohet gjithnjë e më tepër hendeku mes brezave. Dr. Robert Epsteini shkroi: «Nëse bota e adoleshentëve do të zhdukej, shumë prej këtyre industrive multimiliardere do të falimentonin sa hap e mbyll sytë.» a

 Ç’mund të bësh?

  •   Mbaj një lidhje të fortë me fëmijën

     Bibla thotë: «Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato [fëmijëve] të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.»—Ligji i përtërirë 6:6, 7.

     Moshatarët e fëmijëve mund të jenë miq me ta, por kurrsesi nuk duhet të zënë vendin tuaj si prindër. Madje, ekspertët thonë se shumica e fëmijëve dhe e adoleshentëve i respektojnë prindërit dhe duan t’i kënaqin. Ndaj, nëse mban një marrëdhënie të ngushtë me fëmijët, mund të kesh më tepër influencë se bashkëmoshatarët.

     «Duhet të kalosh kohë më fëmijët duke bërë gjëra të përditshme, si të gatuani, të pastroni ose edhe të bëni detyrat e shkollës. Madje zbavituni me lojëra, shikoni ndonjë film ose TV. Mos mendo se duhet të kalosh ‘kohë cilësore’ me fëmijët vetëm njëherë në kaq kohë. Ajo nuk e kompenson sasinë e kohës që duhet kaluar me ta.»—Lorena.

  •   Nxite të shoqërohet edhe me të rritur

     Bibla thotë: «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës.»—Proverbat 22:15, Diodati i Ri.

     Disa prindër janë të kënaqur kur shikojnë që fëmija ka plot shokë. Prapëseprapë, ai ka nevojë të zërë miq të rritur që të bëhet më i pjekur. Moshatarët nuk mund të sigurojnë drejtimin dhe udhëheqjen që i duhen një të riu. Ama, prindërit e dashur, po.

     «Moshatarët e fëmijëve mund të kenë njohuri për ca gjëra, mirëpo nuk kanë aftësi të vlefshme për jetën, përvojë dhe mençuri që të ndihmojnë të rinj të tjerë të marrin vendime të mira. Kur fëmijët ndjekin drejtimin e prindërve, rriten dhe bëhen më të pjekur në përputhje me moshën.»—Nadia.

  •   Siguro drejtim të mençur

     Bibla thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur.»—Proverbat 13:20.

     Ndërsa rriten, fëmijët mund të përfitojnë shumë kur kalojnë kohë me ty. Bëhu një shembull i mirë për ta.

     «Shembujt më të mirë për fëmijët janë prindërit. Kur ata mësohen të çmojnë dhe të respektojnë prindërit, kur të rriten, do të duan t’i imitojnë.»—Katerina.

a Nga libri Teen 2.0—Saving Our Children and Families From the Torment of Adolescence.