NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Ç’të bëj kur fëmija im është i mërzitur?
Vajza ose djali yt është i detyruar të qëndrojë në shtëpi, s’ka asgjë për të bërë dhe të thotë: «U mërzita!» Para se t’i ndezësh televizorin ose t’i sugjerosh të luajë videolojën e preferuar, ja disa gjëra që duhet të mbash parasysh.
Çfarë kanë kuptuar disa prindër
Sasia dhe lloji i zbavitjes mund t’ia shtojnë mërzinë fëmijës. Një baba që quhet Robert thotë: «Për disa fëmijë, të shohin televizor ose të luajnë me videolojëra është më argëtuese se të merren me aktivitetet e jetës së përditshme. Jeta reale nuk u duket edhe aq emocionuese.»
Gruaja e tij, Barbara, mendon njësoj. Ajo thotë: «Në jetën reale duhet ta vrasësh mendjen e të përpiqesh fort, dhe shpesh rezultatet nuk vijnë menjëherë. Fëmijëve që kalojnë shumë kohë para televizorit ose me videolojëra, realiteti u duket i mërzitshëm.»
Kur fëmija kalon shumë kohë me median sociale, kjo mund ta zhytë në ndjenja negative. Kur fëmija sheh fotot e videot e të tjerëve mund t’i duket sikur jeta e tij s’është aspak interesante. Një vajzë që quhet Beti thotë: «Fare lehtë mund të mendosh: ‘Të gjithë po bëjnë qejf, vetëm unë ngela në shtëpi.’»
Përveç kësaj, pas orësh të tëra në media sociale, shpesh mbetet vetëm një ndjenjë boshllëku—dhe mërzitja nuk kalon. Një i ri që quhet Kris, shprehet: «Media sociale të mban të zënë për një kohë të gjatë, ama njëherë që mbaron punë me të, s’ke arritur asgjë me vlerë.»
Mërzia është një mundësi e mirë për të zhvilluar kreativitetin. Një nënë që quhet Katerina thotë se mërzia u jep mundësi fëmijëve të bëhen kreativë. Ajo thotë: «Një kuti e thjeshtë bëhet një kuti kujtimesh, një makinë, një varkë ose një anije kozmike. Një batanije e sistemuar te ca mobilie bëhet tendë.»
Psikologia Sheri Tërkëll thotë se mërzia është «thirrja e imagjinatës» a, pra një mundësi fantastike për t’u bërë kreativë. Kështu, mërzia nuk duhet shmangur me çdo kusht. Në fakt një libër shpjegon: «Mërzia vë në punë trurin siç bëjnë peshat me muskujt.»—Disconnected.
Përfundimi: Mos e shih mërzinë e fëmijëve si problem, por si një mundësi që t’i ndihmosh të bëhen kreativë.
Ç’mund të bësh
Nëse e lejojnë rrethanat, jepu mundësi fëmijëve të luajnë përjashta. Barbara, e përmendur më sipër, thotë: «Është fantastike të shohësh si e largon mërzinë drita e diellit dhe ajri i freskët. Kur fëmijët tanë filluan të luanin në natyrë, imagjinata e tyre mori krahë.»
Parim nga Bibla: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, . . . një kohë për të qeshur [dhe] një kohë për të kërcyer nga gëzimi.»—Eklisiastiu 3:1, 4, shënimi.
Për të menduar: Çfarë mundësish mund t’u krijoj fëmijëve të mi që të luajnë më shpesh në natyrë? Nëse kjo është e pamundur, me cilat aktivitete kreative mund të merren brenda shtëpisë?
Ndihmoji fëmijët të mendojnë për të tjerët. Një nënë që quhet Liliana sugjeron: «Mund të shkoni për të përshëndetur një të moshuar dhe ta ndihmoni duke i korrur barin e oborrit, duke mbledhur gjethet e rëna ose duke gatuar diçka për të. Kur bëjmë gjëra për të tjerët, provojmë gëzim të vërtetë.»
Parim nga Bibla: «Njeriu bujar do të begatohet, dhe kush është burim freskie për të tjerët, do të ripërtërihet edhe vetë.»—Proverbat 11:25.
Për të menduar: Si mund t’i ndihmosh fëmijët të provojnë gëzimin që vjen kur bën diçka për të tjerët?
Lër shembullin. Mënyra si flet për aktivitetet e përditshme mund të ndikojë te fëmijët. Një nënë që quhet Sara thotë: «Nëse me fjalët që themi përcjellim idenë se jeta jonë është monotone, po i mësojmë fëmijët të jenë të mërzitur. Por nëse flasim në një mënyrë që tregon se gëzojmë çdo ditë, do t’i ndihmojmë fëmijët të fitojnë të njëjtin qëndrim.»
Parim nga Bibla: «Kush ka zemër të gëzuar, ka festë përherë.»—Proverbat 15:15.
Për të menduar: Çfarë përshtypje u lë fëmijëve kur flas për aktivitetet e përditshme? Çfarë reagimi shohin tek unë kur kaloj periudha mërzie?
Sugjerim: Ndihmoji fëmijët të bëjnë një listë me aktivitete kreative. Një nënë që quhet Alisona pohon: «Kemi një kuti sugjerimesh ku secili pjesëtar i familjes mund të hedhë ide.»
a Nga libri Reclaiming Conversation.