Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Fëmijët dhe smartphoni—Pjesa 2: Mësoje fëmijën ta përdorë me mençuri smartphonin

Fëmijët dhe smartphoni—Pjesa 2: Mësoje fëmijën ta përdorë me mençuri smartphonin

 Smartphoni është si një thikë—mund të të ndihmojë ose të të dëmtojë, në varësi të mënyrës si e përdor. Si ta mësosh fëmijën që ta përdorë siç duhet këtë pajisje të fuqishme? Për shembull, sa orë në ditë duhet ta lejosh fëmijën ta përdorë smartphonin? a

 Çfarë duhet të dish

  •   Smartphoni të ekspozon ndaj rreziqeve. Siç e pamë në artikullin «Fëmijët dhe smartphoni—Pjesa 1: A duhet të ketë smartphone fëmija im?» nëpërmjet smartphonit je i ekspozuar ndaj çdo gjëje që ofron interneti, e mirë a e keqe qoftë.

     «Është e lehtë të harrosh se smartphoni i vë fëmijët tanë përballë çdo lloj njeriu dhe ideje të rrezikshme.»—Brenda.

  •   Fëmijët kanë nevojë për drejtim. Të rinjtë e sotëm kanë lindur në epokën e teknologjisë, ndërsa shumë të rritur tani po futen në botën e teknologjisë. Gjithsesi, kjo s’do të thotë se prindërit s’marrin vesh nga teknologjia dhe se fëmijët janë më të kualifikuar për të vendosur se si dhe kur duhet ta përdorin smartphonin.

     Është e vërtetë se fëmijët mund të jenë më të aftë me pajisjet elektronike, por të mos e ngatërrojmë aftësinë me pjekurinë. Edhe fëmijët që janë bërë ekspertë, kanë nevojë që prindërit t’i mësojnë se si ta përdorin smartphonin në mënyrë të përgjegjshme.

     «T’i japësh smartphone një fëmije pa e mësuar fare, është sikur t’i lësh në dorë çelësat e makinës, ta ulësh në sedilien e shoferit, ta ndezësh makinën dhe t’i thuash ‘Të lutem bëj kujdes’. E gjitha kjo pa e mësuar si ta ngasë makinën.»—Sethi.

 Ç’mund të bësh

  •   Mëso opsionet e telefonit të fëmijës. Njihi mirë opsionet që mund ta ndihmojnë fëmijën të përdorë telefonin në mënyrë të përgjegjshme. Për shembull:

     Cilat opsione ka telefoni për kontrollin prindëror që të lejojnë t’ia kufizosh fëmijës sa kohë ta përdorë dhe çfarë sitesh të shohë?

     A e di se filtrat që bllokojnë materialet e papërshtatshme nuk janë 100 për qind të sigurt?

     Sa më shumë mëson për smartphonin e fëmijës, aq më i përgatitur do të jesh për ta ndihmuar që ta përdorë me përgjegjshmëri.

     Parim nga Bibla: «Falë njohurisë, njeriu bëhet edhe më i fortë.»—Proverbat 24:5.

  •   Vër kufij. Vendos se çfarë do t’i lejosh dhe çfarë jo. Për shembull:

     A do ta lejosh fëmijën ta marrë telefonin kur hani së bashku ose ta përdorë kur vizitoni familjarët dhe miqtë?

     A duhet ta mbajë në dhomë telefonin edhe gjatë natës?

     Çfarë aplikacionesh do t’i lejosh?

     Sa orë në ditë duhet ta lejosh fëmijën ta përdorë smartphonin?

     A do të vendosësh një limit kohor për përdorimin e përditshëm?

     Bëja të ditur fëmijës rregullat dhe disiplinoje nëse i thyen ato.

     Parim nga Bibla: «Mos ia kurse shkopin e disiplinës fëmijës.»—Proverbat 23:13, shënimi.

  •   Monitoroje. Mëso kodin e telefonit të fëmijës dhe, sa herë të jetë e nevojshme, kontrollo se çfarë gjërash ka në telefon si për shembull, mesazhet, aplikacionet, fotot dhe sitet.

     «I thamë vajzës se herë pas here do t’ia kontrollonim telefonin pa e njoftuar. Nëse nuk do ta kishte përdorur me përgjegjshmëri, atëherë do t’ia limitonim kohën që kalonte me të.»—Lorena.

     Prindi ka plotësisht të drejtë të dijë si po e përdor fëmija smartphonin.

     Parim nga Bibla: «Fëmija njihet nga veprimet e tij, në ka sjellje të pafajshme dhe të drejtë.»—Proverbat 20:11.

  •   Mësoji vlerat. Ndihmoje fëmijën që të bëjë atë që është e drejtë ngaqë këtë do, jo thjesht se i thua ti. Pse ka rëndësi? Nëse një fëmijë do që t’ua fshehë diçka prindërve, ka për ta gjetur një mënyrë, pavarësisht nga përpjekjet e tyre për ta kontrolluar. b

     Prandaj stërvite fëmijën që të zhvillojë cilësi të mira, si ndershmërinë, vetëkontrollin dhe që të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij. Një fëmijë me standarde ka shumë të ngjarë ta përdorë me mençuri telefonin.

     Parim nga Bibla: ‘Njerëzit e pjekur e kanë stërvitur aftësinë dalluese, që të dallojnë si të drejtën, edhe të gabuarën.’—Hebrenjve 5:14.

a Në këtë artikull, termi «smartphone» i referohet një celulari që mund të lidhet me internetin. Me pak fjalë është si një kompjuter i vogël.

b Për shembull, disa përdorin «aplikacione fantazmë»—pra, aplikacione me një ikonë që duket e padëmshme, për shembull, një makinë llogaritëse, për të fshehur materiale që nuk duan t’i shohin prindërit.