NDIHMË PËR FAMILJEN
Ç’të bëj nëse fëmija im është viktimë e bullizmit?
Djali të thotë se është bërë objekt i bullizmit në shkollë. Ç’mund të bësh?! T’i kërkosh shkollës që ta ndëshkojë fajtorin? T’i mësosh djalit si t’ia kthejë njësoj? Para se të vendosësh ç’të bësh, shqyrto disa fakte rreth bullizmit. a
Ç’duhet të di për bullizmin?
Çfarë është bullizmi? Bullizmi është keqtrajtim i vazhdueshëm dhe i qëllimshëm, qoftë ky fizik a emocional. Prandaj, nuk quhet bullizëm çdo fyerje ose veprim keqdashës.
Pse na intereson të dimë çfarë është bullizmi? Disa quajnë bullizëm çdo veprim, sado i vogël qoftë, që u sjell shqetësim. Por, nëse e bën të madh çdo incident të vogël, padashur mund ta bësh fëmijën të mendojë se është i paaftë të zgjidhë mosmarrëveshjet—aftësi që i duhet tani dhe gjithë jetën.
Parim nga Bibla: «Mos u fyej shpejt.»—Eklisiastiu 7:9.
Përfundimi: Në disa raste mund të kërkohet ndërhyrja jote si prind. Në raste të tjera vetë fëmija mund të mësojë si t’i kapërcejë vështirësitë e si t’i zgjidhë mosmarrëveshjet.—Kolosianëve 3:13.
Atëherë, ç’të bësh nëse fëmija të thotë se është objekt i ngacmimeve të qëllimshme e të vazhdueshme?
Si ta ndihmoj fëmijën?
Dëgjoje me durim. Përpiqu të përcaktosh (1) çfarë po ndodh dhe (2) pse është bërë shënjestër e bullizmit. Mos nxirr përfundime pa i njohur të gjitha faktet. Pyet veten: «Mos duhet të di edhe anën tjetër të medaljes?» Për ta pasur të plotë tablonë, mund të flasësh me mësuesin e djalit ose me prindërit e fëmijës për të cilin të ankohet djali.
Parim nga Bibla: «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.»—Proverbat 18:13.
Nëse fëmija është viktimë e bullizmit, ndihmoje të kuptojë se mënyra si reagon, mund ta përmirësojë ose ta përkeqësojë situatën. Për shembull, Bibla thotë: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje, ngjall zemërim.» (Proverbat 15:1) Dhe ashtu është, hakmarrja mund të ketë efektin e kundërt, t’i shtojë ngacmimet në vend që t’i shuajë ato.
Parim nga Bibla: «Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe sharjen me të sharë.»—1 Pjetrit 3:9.
Shpjegoji fëmijës se nuk është shenjë dobësie nëse zgjedh të mos hakmerret. Përkundrazi, është shenjë force pasi nuk lejon të kontrollohet nga të tjerët. Në njëfarë kuptimi, po e mund bullistin pa grushta.
Është jetësore që fëmija ta ketë të qartë këtë sidomos nëse bie viktimë e bullizmit kibernetik. Shkëmbimi i mesazheve fyese ose kërcënuese në Internet vetëm sa e nxit bullistin të vazhdojë dhe lë të hapur mundësinë që edhe fëmija yt të akuzohet si bullist. Ja përse, ndonjëherë përgjigjja më e mirë është të mos përgjigjet fare—taktikë që ka më shumë mundësi ta çarmatos bullistin e ta ndihmojë fëmijën të marrë situatën nën kontroll.
Parim nga Bibla: «Ku s’ka dru, zjarri shuhet.»—Proverbat 26:20.
Ndonjëherë, fëmija mund të shmangë njerëz e vende ku rrezikon të bjerë viktimë e bullizmit. Për shembull, nëse ai e di se në cilin vend rri një person apo grup i caktuar, mund t’u shmanget telasheve duke i rënë nga një rrugë tjetër.
Parim nga Bibla: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.»—Proverbat 22:3.
SUGJERIM: Ndihmoje fëmijën të mendojë për avantazhet dhe disavantazhet e mundësive që ekzistojnë. Për shembull:
Ç’do të ndodhte po ta shpërfillte bullistin?
Po nëse do t’i thoshte me bindje të mos vazhdonte më?
Po sikur ta raportonte bullizmin në shkollë?
A «do ta çarmatoste» bullistin nëse do të ishte miqësor apo nëse do të përdorte humor?
Pavarësisht si ndodh bullizmi, ballë për ballë a online, çdo rast është unik. Prandaj puno bashkë me fëmijën tënd që të gjeni zgjidhje praktike. Siguroje për mbështetjen tënde gjatë gjithë kësaj peripecie.
Parim nga Bibla: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.
a Megjithëse artikulli i referohet fëmijës në gjininë mashkullore, parimet vlejnë për të dyja gjinitë.