Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Kur fëmija do që t’i japë fund jetës

Kur fëmija do që t’i japë fund jetës

 Gjatë viteve të fundit, në disa vende është rritur ndjeshëm numri i vetëvrasjeve tek adoleshentët. Çfarë po ndodh? A rrezikon edhe fëmija yt?

Në këtë artikull

 Fëmijët dhe vetëvrasja—pse duhet të shqetësohen prindërit?

 Nga viti 2009 deri më 2019, në Shtetet e Bashkuara, numri i nxënësve të shkollave të mesme që shfaqnin simptoma depresioni u rrit me 40 për qind. Përveç kësaj, në të njëjtën periudhë u rrit edhe numri i vetëvrasjeve. a

 «Brezi i të rinjve të sotëm po përballet me sfida unike. . . . Këto sfida po ua dëmtojnë rëndë shëndetin mendor.»—Vivek H. Mërthi, autoriteti më i lartë për shëndetin publik në SHBA.

 Parim nga Bibla: «Një shpirt i dërrmuar t’i shteron forcat.»—Proverbat 17:22.

 Si ta kuptosh nëse fëmija yt është në rrezik?

 Shqyrto këta faktorë.

  •   Ngjarjet. A është përballur vajza b jote me ndonjë tragjedi—ndonjë refuzim, thyerje zemre, ndonjë lloj dështimi ose me vdekjen e ndonjë njeriu të shtrenjtë? Nëse po, mos është lënduar emocionalisht më shumë nga ç’mendon ti?

  •   Sjelljen. A po izolohet nga miqtë dhe nga familja ose a ka humbur interesin për aktivitetet që i kishte qejf? A po ua jep të tjerëve gjërat që i ka për zemër?

  •   Fjalët. A flet për vdekjen ose a përmend shprehje, si «më mirë të mos isha gjallë»? A të ka thënë se nuk do që të të bëhet barrë?

     S’diskutohet që disa fjalë janë thjesht «të rrëmbyera». (Jobi 6:3) Ama, fjalë të tjera mund të jenë një klithmë për ndihmë. Ndaj mos shpërfill as edhe një gjë që fëmija yt thotë për vetëvrasjen.

 Nëse vajza thotë se ka menduar të vrasë veten, mund ta pyesësh: «Ke menduar kur dhe si do ta bëje këtë?» Nga përgjigjja do të kuptosh sa urgjente është situata.

 «Si prindër mbase hezitojmë t’i pyesim fëmijët, ngaqë kemi frikë nga ajo që do të thonë. Mirëpo, nëse shprehin vërtet atë që ndiejnë, a nuk është më mirë ta marrim vesh?»—Sandra.

 Parim nga Bibla: «Mendimet e . . . njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe.»—Proverbat 20:5.

 Si të veprosh nëse fëmija yt po mendon të vrasë veten?

  •   Me durim zbulo çfarë mendon dhe si ndihet fëmija. Së pari falënderoje vajzën që të foli hapur. Pastaj mund t’i thuash: «Dua vërtet të kuptoj çfarë po kalon. Të lutem më trego çfarë ka ndodhur kohët e fundit?» Ose: «A mund të m’i përshkruash ndjenjat që provon?»

     Dëgjoji me durim përgjigjet. Rezistoji prirjes për të minimizuar rëndësinë e ndjenjave të saj ose për të dhënë «zgjidhje» të menjëhershme.

     Parim nga Bibla: ‘Ji i shpejtë për të dëgjuar, mos u nxito për të folur e mos u zemëro shpejt.’—Jakovi 1:19.

  •   Krijo një strategji për ta mbrojtur. Ndihmoje fëmijën të dallojë e të shkruajë aspektet e mëposhtme:

     Shenja paralajmëruese. Zakonisht, çfarë bën ose çfarë mendon para se t’i lindë mendimi për të vrarë veten?

     Aktivitete të dobishme. Cilat aktivitete e ndihmojnë më shumë të ulë stresin ose të mos mendojë më për vetëvrasjen?

     Ndihma nga të tjerë. A ka fëmija yt një grup miqsh, pra, njerëz te të cilët mund të mbështetet kur ka nevojë për ndihmë? Mes tyre mund të jesh ti, një i rritur tjetër i besuar, një profesionist i shëndetit mendor ose një organizatë e specializuar për të ndihmuar ata që mendojnë të vrasin veten.

    Krijo një strategji për ta mbrojtur

     Parim nga Bibla: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri sukses.»—Proverbat 21:5.

  •   Ji syhapur. Mbaje nën kontroll situatën, edhe kur mendon që fëmija ndihet më mirë.

     «Kur im bir më tha se s‘kishte më mendime për vetëvrasje, mendova se problemi mori fund. Ky ishte një gabim i rëndë. Një person mund të pësojë një krizë tjetër e t’i lindin sërish mendime për vetëvrasje, dhe kjo mund të ndodhë sa hap e mbyll sytë.»—Danieli.

     Ndihmoje fëmijën tënd adoleshent të kuptojë një të vërtetë jetike për ndjenjat: ato janë të përkohshme. Sipas librit The Whole-Brain Child, «ndjenjat janë si moti. Shiu është fenomen real, dhe kur bie, do të tregoheshim të marrë po të rrinim në shi dhe të bënim sikur nuk bie. Ama do të ishim po aq të marrë po të mendonim që dielli s’do të rishfaqej kurrë».

  •   Jepi siguri: Thuaji vajzës që e do shumë dhe se mund të mbështetet te ti për ndihmë. Mund t’i thuash edhe: «Do të bëj të pamundurën që t’ia dalësh mbanë.»

     Parim nga Bibla: «Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.

a Shumica e njerëzve që vuajnë nga depresioni, nuk kryejnë vetëvrasje. Gjithsesi një pjesë e mirë e atyre që kanë vrarë veten, vuanin nga depresioni.

b Edhe pse artikulli flet për vajzat, parimet zbatohen njësoj edhe për djemtë.