NDIHMË PËR FAMILJEN
Të flasësh me fëmijët për alkoolin
«Herën e parë që folëm me vajzën për alkoolin, ajo ishte 6 vjeçe. Për habinë tonë dinte shumë më tepër sesa mendonim.»—Aleksandri.
Çfarë duhet të dish?
Të flasësh me fëmijën për alkoolin është jetësore. Mos prit derisa fëmija të bëhet adoleshent. «Sa do të doja të kishim folur me djalin për alkoolin që kur ishte më i vogël,—thotë Hameti në Rusi.—E mësova rëndësinë e kësaj në një mënyrë të dhimbshme. Zbulova që im bir pinte rregullisht që në moshën 13-vjeçare.»
Pse duhet të të interesojë ky argument?
Shokët e klasës, reklamat dhe TV mund të ndikojnë në pikëpamjen e fëmijës tënd për alkoolin.
Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, konsumimi i alkoolit nën moshën e lejuar përbën 11 për qind të të gjithë alkoolit të konsumuar në Shtetet e Bashkuara.
S’është për t’u habitur që punonjësit e shëndetësisë rekomandojnë që prindërit t’i mësojnë fëmijët që në moshë të vogël për rreziqet e alkoolit. Si ta arrish këtë?
Ç’mund të bësh?
Parashiko pyetjet e fëmijës. Fëmijët janë kuriozë dhe adoleshentët akoma më kuriozë. Prandaj bën mirë të përgatitësh çfarë do të thuash. Për shembull:
Nëse fëmija është kurioz për shijen e alkoolit, mund të thuash që vera vjen pak a shumë si lëng frutash i thartë dhe birra vjen e hidhur.
Nëse fëmija dëshiron ta provojë alkoolin, mund t’i thuash që është tepër i fortë për trupin e fëmijëve. Trego efektet: alkooli e qetëson një person, por, nga pirja me tepri, ai mund të trulloset, të bëjë budallallëqe dhe të thotë gjëra për të cilat do t’i vijë keq më vonë.—Proverbat 23:29-35.
Informohu. Bibla thotë: «Njeriu mendjehollë do të veprojë sipas njohurisë.» (Proverbat 13:16) Mbahu i informuar rreth efekteve të alkoolit dhe kufizimeve ligjore që ka në vendin tënd për konsumin e tij. Atëherë do të jesh më se i përgatitur si ta ndihmosh fëmijën tënd.
Merr iniciativën për të hapur bisedën. «Të rinjtë mund të ndihen konfuzë në lidhje me përdorimin e alkoolit,—thotë Marku, një baba në Britani.—E pyeta djalin 8-vjeçar nëse ishte i gabuar apo jo përdorimi i alkoolit dhe bëra që biseda të ishte spontane e miqësore. Kjo e ndihmoi ta thoshte mendimin hapur.»
Do të lësh gjurmë më të thella në zemrën e fëmijës, nëse flet herë pas here për alkoolin. Në varësi të moshës, gërshetoje argumentin alkool me mësime të tjera për jetën, siç mund të jenë siguria në rrugë dhe seksi.
Lër shembullin. Fëmijët janë si sfungjeri—thithin gjithçka nga ambienti që i rrethon—dhe studimet tregojnë se prindërit ndikojnë më shumë se çdo gjë te fëmijët. Kjo do të thotë se, po ta kesh alkoolin mënyrën kryesore për t’u qetësuar ose për të hequr stresin, fëmija do të mësojë se zgjidhja për shqetësimet e jetës është alkooli. Prandaj ji një shembull i mirë. Sigurohu që e konsumon alkoolin me masë.