NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Si të flasësh me fëmijët për racizmin
Që në moshë të njomë, fëmija yt mund të vër re se disa njerëz përdorin ngjyrën e lëkurës dhe kombësinë si justifikim për t’i trajtuar ndryshe të tjerët. Si ta ndihmosh fëmijën të mos ndikohet kur sheh që njerëzit i paragjykojnë të tjerët për shkak të racës? Ç’mund të bësh nëse fëmija bie viktimë e paragjykimeve raciale?
Në këtë artikull
Si të flasësh me fëmijët për racën
Çfarë mund të shpjegosh. Anekënd botës njerëzit kanë lloj-lloj tiparesh fizike dhe zakonesh kulturore. Mirëpo, kjo larmi i ka nxitur disa t’i trajtojnë keq të tjerët duke u bazuar te paraqitja dhe te mënyra si veprojnë.
Megjithatë, Bibla mëson se të gjithë ne kemi një paraardhës të përbashkët. Me fjalë të tjera, të gjithë kemi lidhje me njëri-tjetrin.
«Nga një njeri i vetëm, [Perëndia] bëri të gjitha kombet.»—Veprat 17:26.
«Kemi parë se kur fëmijët tanë rrinin me njerëz të racave të ndryshme, arrinin të kuptonin vetë se çdokush meriton ta duam dhe ta respektojmë.»—Kerëni.
Si t’ua shpjegosh fëmijëve racizmin
Herët a vonë, fëmija yt do të dëgjojë lajme për krime të nxitura nga urrejtja ose incidente të tjera që kanë në rrënjë racizmin. Si t’i shpjegosh çfarë po ndodh? Kjo varet goxha edhe nga mosha e fëmijës.
Parashkollorët. Dr. Elison Brisko-Smith, e cituar në revistën Prindërit, tha se «fëmijët e vegjël e kuptojnë fare lehtë atë që është e drejtë dhe e gabuar. Kjo të jep një mundësi të shkëlqyer për të folur për padrejtësinë».
«Perëndia nuk është i anshëm, por pranon nga çdo komb këdo që e nderon thellësisht dhe që bën atë që është e drejtë.»—Veprat 10:34, 35.
Paraadoleshentët. Fëmijët e moshës 6-12 vjeç janë shumë kureshtarë dhe ndonjëherë bëjnë pyetje të vështira. Përgjigjju sa më mirë të mundesh. Fol me ta për atë që shohin në shkollë, në televizor e internet, dhe këto raste përdori për t’u shpjeguar se paragjykimi racial është i gabuar.
«Jini . . . në një mendje, tregoni empati, përzemërsi vëllazërore, jini zemërdhembshur dhe të përulur.»—1 Pjetrit 3:8.
Adoleshentët. Të rinjtë janë në një fazë jete kur mund të kuptojnë çështje më të ndërlikuara. Ndaj, vitet e adoleshencës janë një mundësi e artë për ty dhe fëmijën tënd adoleshent për të diskutuar rreth lajmeve për paragjykimet raciale.
‘Njerëzit e pjekur e kanë stërvitur aftësinë dalluese, që të dallojnë si të drejtën, edhe të gabuarën.’—Hebrenjve 5:14.
«Flasim me fëmijët për racizmin, sepse herët a vonë do të përballen me të, pavarësisht ku jetojnë. Nëse nuk dëgjojnë në shtëpi për këtë argument, mund të përvetësojnë mendimin paragjykues të të tjerëve. Njerëzit mund t’ua paraqitin si fakte lumin e informacioneve të rreme.»—Tanja.
Si të lësh shembullin
Fëmijët mësojnë nga shembulli, ndaj është e rëndësishme për ju si prindër t’i kushtoni vëmendje të folurit dhe veprimeve. Për shembull:
A i vini në lojë njerëzit e racave të tjera ose a i ofendoni? Akademia Amerikane e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe të Adoleshentëve thotë: «Fëmijët ju shohin e ju dëgjojnë dhe u vjen natyrshëm t’ju imitojnë.»
A kënaqeni kur rrini me njerëz nga vende të tjera të botës? Pediatria Alana Nzoma komenton: «Nëse do që fëmijët e tu . . . të krijojnë marrëdhënie [të mira] me njerëz të prejardhjeve të ndryshme, duhet t’ju shohin juve që veproni po njësoj.»
«Nderoni njerëz të çdo lloji.»—1 Pjetrit 2:17.
«Përgjatë viteve, familja jonë ka mikpritur miq nga të katër anët e botës. Kemi mësuar për ushqimin dhe muzikën e tyre, madje kemi veshur kostumet e tyre tradicionale. Flitnim me fëmijët për njerëzit, jo për racën që i përkitnin. Dhe nuk mburreshim me kulturën tonë.»—Katarina.
Nëse fëmija yt është viktimë e paragjykimit
Pavarësisht sa shumë flitet për barazinë, racizmi është tejet i përhapur. Kjo do të thotë se fëmija yt mund të bjerë pre e keqtrajtimit, sidomos nëse shihet si pjesë e një grupi minoritar. Nëse ndodh kjo . . .
Mblidh faktet. Fyerja ishte tendencioze apo thjesht një fjalë e pamenduar? (Jakovi 3:2) A ka nevojë që ofenduesit t’i kërkohet llogari për incidentin, apo thjesht mund të anashkalohet?
Është e qartë se kërkohet ekuilibër. Bibla ofron këtë këshillë të mençur: «Mos u fyej shpejt.» (Eklisiastiu 7:9) Racizmi nuk duhet minimizuar, ama jo çdo fyerje është krim i nxitur nga urrejtja ose racizmi.
Sigurisht, çdo situatë është e ndryshme, ndaj zbulo çfarë ka ndodhur vërtet para se të vendosësh nëse do të ndërmarrësh ndonjë hap.
«Kush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, është i marrë dhe turpëron veten.»—Proverbat 18:13.
Pasi të mbledhësh të gjitha faktet, pyet veten:
«A do t’i bënte mirë fëmijës tim nëse mendon se çdo njeri është paragjykues dhe se sa herë që e fyen dikush, ndodh për shkak të racës?»
«A do të nxirrte dobi fëmija im po të ndiqte këshillën e Biblës: ‘Mos ua vër veshin gjithë fjalëve që thonë njerëzit.’»—Eklisiastiu 7:21.
«Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.»—Filipianëve 4:5.
Po nëse fyerja duket e qëllimshme? Ndihmoje fëmijën të kuptojë se gjërat mund të përmirësohen ose të përkeqësohen në varësi të përgjigjes që do të japë. Ndonjëherë personi që tallet, që bullizon ose që përbuz një tjetër, mezi pret një kundërpërgjigje. Në këto raste, kundërpërgjigjja më e mirë mund të jetë të mos përgjigjesh fare.
«Ku s’ka dru, zjarri fashitet.»—Proverbat 26:20.
Nga ana tjetër, nëse nuk është e rrezikshme për fëmijën, ai mund të flasë me ofenduesin. Mbase mund të thotë diçka të tillë (paqësisht): «Mendoj se ajo që the (ose bëre), nuk ishte shumë e këndshme.»
Po nëse do që ta raportosh incidentin? Nëse fëmija është në rrezik ose nëse për arsye të tjera ti mendon se situata s’duhet anashkaluar, shko fol me zyrtarët e shkollës ose shko në polici, po të jetë e nevojshme.